Lushtaku: Djemtë e vajzat e Kosovës mbrojtën popullin dhe kërkuan lirinë, pse po vazhdon padrejtësia ndaj tyre?

Mos i humb

Deputeti i Kuvendit të Kosovës Mërgim Lushtaku, ka reaguar pas ftesave të bëra nga Gjykata Speciale ndaj disa ish- luftëtarëve të UÇK-së për intervistim, ndërsa shkruan ai se kjo është një padrejtësi e radhës ndaj shqiptarëve për t’i ngopur apetitet e vartësve të Milosheviqit i cili kishte qëllim zhdukje biologjike të shqiptarëve.

Për më tepër, Lushtaku shkruan se mizorinë dhe planin për shfarosje e ndalën luftëtarët e UÇK-së, falë zotit edhe me mbështetjen e NATO-s. Lushtaku, kujton se djemtë e bijat e Kosovës luftuan për të drejtën e tyre për liri dhe nuk bënë asgjë më shumë se vetëmbrojtje nga shfarosja.

Postimi i plotë i Lushtakut në Facebook:

Pa u thelluar shumë në histori, në 100 vitet e fundit, ne, populli shqiptar jemi sprovuar dhe kemi vuajtur shumë. Edhe pas gati 20 viteve nga përfundimi i luftës në Kosovë, po vazhdohen padrejtësitë ndaj popullit tonë. Ne vazhdimisht dënohemi pse bëmë luftë çlirimtare, ne sanksionohemi, maltretohemi dhe përbuzemi, për kinse i paskemi kontribuuar prishjes së një shteti mizor dhe komunist, siç ishte Jugosllavia. Lideri i saj, i njohur si “Kasapi i Ballkanit”, Sllobodan Milloshoviç, i mbështetur nga krejt aparati shtetëror, nga Kisha Ortodokse kishin në plan zhdukjen biologjike të shqiptarëve të Kosovës. Këto veprime janë krime kundër njerëzimit deri në gjenocid. Falë Zotit, ky plan kishte dështuar me rezistencën e fundviteve të 1990-ta nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, me ndihmën edhe të Aleancës Veriatlantike të NATO-s. Rezistenca e cila buroi nga sakrifica shekullore e popullit të Kosovës që për ideal kishte lirinë shtyri këta djem e vajza, me profesione te ndryshme, bujq, ndërtimtarë, mësues, mjek, aktorë, etj., që të organizohen për mbrojtjen e pragut të shtëpisë, për t’i shpëtuar shfarosjes së tyre njëherë e përgjithmonë. Ata nuk bënë asgjë tjetër pos vetëmbrojtjes nga zhdukja e tyre dhe e një populli të tërë.

Por, trimave dhe burrave, trimëreshave e Teutave tona, po u mbetet prapë të sakrifikohen për pazarllëqet ndërkombëtare, për qetësimin e ariut dhe këlyshëve të saj. Po gjykohen pse luftuan e pse u vetëmbrojten!

Themeli i shtetit tonë, Kosovës tonë të dashur, është UÇK-ja dhe lufta e saj çlirimtare. Gjenocidi ndaj popullatës tonë, në fillim të shekullit XX edhe mund të jetë fshehur nga kjo bashkësi ndërkombëtare, por gjenocidi serb mbi popullin shqiptar në fund të shekullit XX nuk do të harrohet kurrë. Kriminelët e luftës janë tjetërkush, jo ne populli shqiptar i Kosovës. Ne për 100 vitet e fundit ishim viktimë e përballur me krime monstruoze. Asnjëherë, pavarsisht tendencave ndërkombëtare, pas asnjë procesi, ne nuk mund të barazohemi me kriminelët serbë. Ne jemi viktima e jo agresori. Historia jonë është histori e rezistencës për liri e pavarësi, për ekzistencë e dinjitet. Është histori e luftës së pastër e të drejtë!

Por me ndihmën dhe drejtësinë hyjnore dhe për shkak të luftës së drejtë vetëmbrojtëse që kemi bërë si popull shqiptar i Kosovës, babai dhe shokët e idealit do te dalin faqebardhë edhe nga kjo sfidë e pa drejtë që na është vënë në kurriz.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit