Macron dhe Merkel kërkojnë nga Rusia të miratojë armëpushimin në Siri

Mos i humb

Presidenti francez dhe kancelarja gjermane kanë kërkuar nga Rusia të mbështesë propozimin e armëpushimit për Gutën Lindore në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB).

“Në një letër të përbashkët për presidentin rus, Vladimir Putin, presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, të cilët aktualisht qëndrojnë në Bruksel për një samit të Bashkimit Europian (BE), i kërkuan Rusisë të mbështesë projektrezolutën, e cila apelon për një armëpushim 30-ditor në rajonin e rrethuar të Damaskut, për të lejuar hyrjen e ndihmës humanitare dhe evakuimin e të dëmtuarve”, thuhet në një deklaratë nga Presidenca e Francës.

Të paktën 250 civilë u vranë në Gutën Lindore gjatë tri ditëve të fundit.

Gjatë ditës së djeshme, ambasadori rus në OKB, Vassily Nebenzia, tha se Rusia nuk do të mbështesë propozimin e OKB-së për armëpushim pa ndonjë ndryshim, duke e quajtur atë “jorealiste”.

Guta Lindore, e cila është shtëpi për rreth 400 mijë njerëz, ka mbetur nën rrethimin e regjimit sirian gjatë pesë viteve të fundit, duke e çuar atë në prag të katastrofës humanitare.

Gjatë tetë muajve të fundit, forcat e regjimit të Bashar al-Asadit kanë intensifikuar rrethimin e tyre, duke e bërë gati të pamundur që ushqimi ose ilaçet të hyjnë në lagje dhe duke lënë pa trajtim mijëra pacientë në nevojë.

Siria është përfshirë në një konflikt shkatërrues që nga fillimi i vitit 2011, kur regjimi i Asadit u përplas në demonstruesit.

Sipas zyrtarëve të OKB-së, deri më sot qindra mijëra njerëz janë vrarë në konfliktin në Siri./Rtv islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit