Mali i Zi mbështet edhe shkëmbimin e territoreve si zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë

Mos i humb

Ministri malazez i Punëve të Jashtme, Sërgjan Darmanoviq, ka vlerësuar se Rusia po lufton për ndikim në secilin prej vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndërsa ka theksuar se Bashkimi Evropian është një prej qëllimeve reale të politikës së jashtme të vendit të tij.

Tutje, ai ka folur edhe për zgjidhjen e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se nga koha e ish-Jugosllavisë kanë mbetur të trashëguara vetëm dy probleme të cilat duhen zgjidhur.

“Njëra është marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës, e tjera është stabiliteti i Bosnje e Hercegovinës si një vend që do të shkonte në rrugën e njëjtë sikurse vendet tjera – kah rruga evropiane, dhe nëse dëshiron edhe integrimet euro-atlantike. Edhe njëra edhe tjetra janë çështje të vështira. Ne si shtet mbështesim gjithçka që sjell paqe në rajon. Mbështesim çdo dialog mes Serbisë dhe Kosovës. Edhe këtë të tashmin që është disi i bllokuar. Kemi pasur rezervat tona në raport me parimin e zgjidhjes së problemeve me shkëmbim territoresh, por nëse dy vendet pajtohen, ne vetëm mund ta përshëndesim. Por, duke e njohur Ballkanin Perëndimor, patëm rezervat tona për këtë çështje”, ka thënë Darmanoviq në një intervistë për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe, transmeton Koha.net.

“Në fund, pavarësisht ndërprerjeve, edhe në Beograd edhe në Prishtinë ka politikanë që kanë treguar se mund të bisedojnë. Rrugë tjetër nuk ka. Neve na konvenon çdo zgjidhje paqësore dhe stabiliteti, ne jemi këtu që të përkrahim sa të mundemi, në përputhje me interesat tona, natyrisht”, ka porositur ministri malazez.

Sa i përket Bosnjës, Darmanoviq tha se i mbështesin ata në të gjitha fazat e stabilitetit dhe të rrugës evropiane. “Tani mendoj se këtu duhet të jemi të durueshëm dhe këmbëngulës”, shtoi ai.

Ai komentoi edhe nënshkrimin e protokollit për anëtarësim në NATO të Maqedonisë Veriore, duke e quajtur këtë “lajm të jashtëzakonshëm për rajonin”.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit