Manastirliu: Në vitet e fundit është kthyer vëmendja tek shëndeti

Mos i humb

Instituti i Shëndetit Publik të Shqipërisë (ISHP) në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale organizuan sot një forum për prezantimin e të dhënave rreth sëmundshmërisë në Shqipëri.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik të Shqipërisë, Albana Fico, mjekë dhe studiues, të cilët diskutuan rreth raportit të sëmundshmërisë.

Në fjalën e saj ministrja Manastirliu u shpreh se janë mbledhur për të diskutuar me të gjithë aktorët e rëndësishëm të shëndetësisë disa të dhëna sipas saj të rëndësishme për vendin sa i përket një raporti i cili për të parën herë botohet në Shqipëri.

“Është raporti i parë kombëtar për monitorimin e sëmundjeve jo të transmetueshme, të cilat përbëjnë 70 për qind të barrës së sëmundshmërisë jo vetëm në vendin tonë, por edhe në botë dhe që janë sfida me të cilat sot po përballemi. Sot më shumë se kurrë nevojiten të dhëna dhe të përkthehen në politika dhe programe sa më efektive në luftën kundër parandalimit të sëmundjeve jo të transmetueshme”, u shpreh Manastirliu.

Sipas saj, të dhënat e raportit kanë dalë mbi bazë të një analize të realizuar nga ekspertët e ISHP-së.

“Ky forum shkencor është i vlefshëm për të orientuar më mirë dhe më drejt programet dhe investimet konkrete për ato nevoja që qytetarët kanë. Në 5 vitet e fundit është kthyer vëmendja tek shëndeti, jo tek sëmundja, tek ndërtimi i programeve të parandalimit, të kujdesit parandalues të hershëm në funksion të ruajtjes dhe kujdesit të shëndetit të qytetarëve”, u shpreh Manastirliu.

Duke folur për programin e kontrollit mjekësor bazë, Manastirliu tha: “Nga ky program kanë përfituar më shumë se 1 milion qytetarët në katër vite. Nga ky program vetëm në tre mujorin e parë të vitit 2019 më shumë se 122 mijë qytetarë kanë realizuar kontrollin mjekësor bazë falas. Sot jo vetëm kontrolli mjekësor bazë, por dhe gjithë organizimi shëndetësor ka sjellë rezultate të përmirësuara të cilat nga të dhënat e monitorimit që po prezantojmë sot tregojnë uljen me 13 për qind të vdekshmërisë nga sëmundjet ishemike të zemrës. Sot ne mbulojmë 80 për qind të nevojës për trajtimin e sëmundjeve kardiake me financim publik”.

Ndërsa drejtoresha e ISHP-së, Albana Fico, prezantoi raportin e monitorimit të sëmundjeve jo të transmetueshme. Raporti i parë kombëtar i monitorimit të sëmundjeve jo të transmetueshme i hap rrugë një diskutimi multidimensional.

Sipas raportit, sëmundjet jo të trasnmetueshme përbëjnë barrën më të madhe për shoqërinë shqiptare, ku vetëm sëmundjet kardiovaskulare dhe tumorale përbëjnë 70 për qind të kësaj barre. Sfidat e sistemit shëndetësor vlerësohet se janë vdekjet e parakohshme dhe humbja e viteve të jetës së shëndetshme.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit