Maqedoni, 17 vite nga Marrëveshja e Ohrit

Mos i humb

Republika e Maqedonisë sot shënon 17 vjetorin nga nënshkrimi i Marrëveshjes Kornizë së Ohrit, me të cilën iu dha fund konfliktit të armatosur në Maqedoni duke krijuar një kornizë për bashkëjetesë ndëretnike.

Negociatat mes palëve filluan në Shkup, për të vazhduar në Ohër ku u bë parafimi i dokumentit, nënshkrimi i të cilit u bë më 13 gusht në rezidencën presidenciale në Shkup.

Marrëveshja Kornizë, që njihet edhe si Marrëveshja e Ohrit u nënshkrua mes partive më të mëdha politike në vend dhe përfaqësuesve special të Bashkimit Evropian dhe SHBA-ve, e cila i dha fund konfliktit ndëretnik të vitit 2001 ndërmjet dy komuniteteve më të mëdha etnik në vend, shqiptarëve dhe maqedonasve.

Negociatat që zgjatën rreth dy muaj në qytetin e Ohrit u zhvillua nën patronazhin e presidentit të atëhershëm të Maqedonisë, Boris Trajkovski, ndërsa marrëveshja u nënshkrua edhe nga kryetarët e atëhershëm të partive politike, LSDM-së Branko Cërvenkovski, PDSH-së Arbën Xhaferi, VMRO-DPMNE-së Lupço Georgievski dhe nga ai i PPD-së Imer Imeri.

Dëshmitarë në nënshkrimin e marrëveshjes në cilësi të garantuesve ishin François Léotard, përfaqësues i posaçëm nga Bashkimi Evropian dhe James Perdue, përfaqësues i posaçëm nga SHBA.

Në vitet mbrapa, nga zbatimi i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit janë miratuar më shumë se 130 ligje, ndryshime ligjore, prej të cilave 59 janë ligje për mosdiskriminim dhe përfaqësim të barabartë, 40 janë në fushën e identitetit, kulturës, arsimit dhe decentralizimit të pushtetit .

Në mars të këtij viti, Kuvendi me 64 vota “për” dhe asnjë “kundër” dhe “të përmbajtur”, miratoi Ligjin për Avancimin e Gjuhëve.

Ligji parashikon që në të gjitha organet e pushtetit shtetëror në vend, institucionet qendrore, ndërmarrjet publike, agjencitë, zyrat, institucionet dhe organizatat, komisionet, personat juridikë me autoritet publik, në përputhje me ligjin dhe institucionet e tjera, gjuhë zyrtare krahas gjuhës maqedonase dhe alfabetit të saj ,është edhe gjuha e folur nga 20 për qind të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe alfabeti i saj, që në këtë rast është gjuha shqipe.

Ligji për Avancimin e Gjuhëve ende nuk është shpallur në Gazetën Zyrtare.

Përfaqësimi i barabartë i bashkësive etnike në institucionet publike është një segment tjetër i Marrëveshjes Kornizë.

Sipas Raportit Vjetor të vitit 2017 të Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës së Republikës së Maqedonisë që ka të bëjë me punonjësit e sektorit publik, nga 109.304 të punësuar, 82,374 (75,36%) janë maqedonas, 21,112 (19,31%) shqiptarë, 2.012 (1,84%) turq, 994 (0,91%) serbë, 1.245 (14,1%) romë, 429 (0,39%) boshnjakë, 408 (0.37%), vllehë dhe 730 (0,67%) janë të tjerë ose nuk janë deklaruar.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit