Maqedoni, fillojnë debatet për strategjinë “Një shoqëri për të gjithë”

Mos i humb

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, bashkë me ministren e Drejtësisë, Renata Deskoska dhe zyrtarë tjerë qeveritarë, kanë hapur sot debatin në kuadër të nismës “Konsultimi mbi përgatitjen e Strategjisë Kombëtare për zhvillimin e konceptit një shoqëri dhe interkulturalizëm në vend”.

Para një numri të madh të përfaqësuesve të organizatave të shoqërisë civile, publicistëve, profesorëve universitarë dhe personalitete tjera nga jeta shoqërore, kryeministri Zaev tha se kjo nismë paraqet praktikimin e përkushtimit të qeverisë për një shoqëri për të gjithë, që sipas tij është shembull i idesë evropiane, “të bashkuar në dallimet”.

“Pikërisht për këtë, me të drejtë themi se dallimet në shoqërinë tonë i shohim si një avantazh që kemi, një pasuri tonën të përbashkët”, tha Zaev.

Ai shtoi më tej se kjo strategji është ndër prioritetet e qeverisë, prandaj siç tha, do ta shndërrojnë në një instrument të gjallë për të parandaluar dominimin e njërës nga kulturat, të izoluar në katër muret e përkatësisë së vet etnike.

“Ky nuk është synimi i vendit tonë, modeli i Republikës së Maqedonisë fillon me respektimin e të gjitha bashkësive etnike, ky model bën thirrje të ndërtojmë një shtet ku komunitetet e ndryshme do të bashkëpunojnë mes tyre dhe kështu do të begatohen”, theksoi Zaev.

Sipas kryeministrit të Maqedonisë, vendi do t’i mbaj mend, por assesi nuk do të lejojë kthimin e politikave të ndasisë dhe shkaktimit të konflikteve të cilat siç tha, i ndanë njerëzit në tanët dhe tuajit, për të shtuar se toleranca dhe mirëkuptimi, do të jenë kryefjalë e konceptit “Një Shoqëri”.

Takimit në të cilin u bë hapja e procesit të konsultimeve për përpilimin e strategjisë kombëtare për zhvillim e konceptit “Një Shoqëri”, iu drejtua edhe ministrja e Drejtësisë, Deskoska, e cila në fjalimin e saj tha se shoqëria multikulturore nuk është një ekskluzivitet i Maqedonisë, sepse siç tha, nuk ka një vend në planetin tonë i cili nuk është i mbushur me dallime, ku Maqedonia nuk bën përjashtim.

Ajo tha se të gjithë njerëzit lindin të barabartë për sa i përket të drejtave dhe detyrimeve që kanë, prandaj është një detyrim i institucioneve të promovojnë diversitetin si një vlerë të paçmuar të vendit tonë.

“Formimi i identiteteve paraqet një lloz fundemantal të dinamikës shoqërore. Në të kaluarën, por fatkeqësisht edhe sot deri diku, ky lloz solli përplasje dhe urrejtje. Qëllimi ynë këtu sot është të shndërrojmë identitetin në një lloz fundamental për bashkëpunim, bashkëjetesë, tolerancë, që më vonë të mund të bashkohemi për një standard më të mirë jetësor për qytetarët”, tha Deskoska.

Ajo informoi se Ministria e Drejtësisë ka dorëzuar në Kuvend propozim ndryshimet në Kodin Penal ku janë paraparë vepra penale që për bazë kanë urrejtjen, të kryera ndaj viktimës pjesëtar i një grupi tjetër shoqëror, qoftë fetar, kombëtar apo tjetër.

Ajo tha se ndryshimet janë përgatitur në bashkëpunim me OSBE-në dhe përmbushin kriteret më të larta evropiane.

Debati i sotëm në Qeveri do të rezultojë me themelimin e një trupi i cili do të ketë për obligim që në bazë të konsultave dhe debateve në ditët e ardhshme, të përpilojë Strategjinë të cilën do ta miratojë qeveria.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit