Maqedoni, Kuvendi miratoi nevojën për sjelljen e ligjit për gjuhët

Mos i humb

Me 66 vota “për” dhe 41 “kundër” Kuvendi i Republikës së Maqedonisë e votoi nevojën për sjelljen e Propozim-ligjit për përdorimin e gjuhëve, me çka i njëjti shkon në lexim të mëtejshëm.

Para fillimit të votimit, koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski, deklaroi se grupet parlamentare të VMRO-DPMNE-së do të votojnë kundër, meqë siç tha, sipas tyre ligji është jokushtetues dhe është diskriminues ndaj gjuhës maqedonase dhe gjuhëve tjera që flasin qytetarët në Maqedoni.

“Ky ligj absolutisht nuk është në kuadër të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë dhe absolutisht nuk është në kuadër të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, por del jashtë saj. Për fat të keq ligji nuk bashkon. Kjo u tregua në muajt e shkuar se ky ligj përçan, ky ligj nuk ndërton shoqëri të përbashkët ose shoqëri të barabartë për të gjithë. Ky ligj distancon dhe krijon shoqëri paralele në Maqedoni”, tha Dimovski.

Kryetari i Komisionit dhe deputet nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) Artan grubi përshëndeti votimin e sotëm për nevojën e sjelljes së ligjit për përdorimin e gjuhëve duke thënë se debati në Komisionin për çështje evropiane do të kalojë në rendin më të mirë dhe se ligji do të miratohet këtë vit, me çka do të arrihet barazia gjuhësore mes gjuhës shqipe dhe maqedonase në të gjitha organet e administratës shtetërore.

“Dua të shpreh keqardhjen nga votimi i VMRO-DPMNE-së lidhur me nevojën për miratimin e ligjit për gjuhët, dhe shpresoj se deputetët e opozitës do të reflektojnë në ndërkohë ashtu siç reflektuan edhe qytetarët në zgjedhjet e 15 dhe 29 tetorit dhe se do ta ndryshojnë vendimin e tyre lidhur me këtë çështje dhe do të votojnë për miratimin e ligjit për gjuhët dhe nuk do të votojnë kundër”, deklaroi Grubi.

Deputeti nga radhët e Lëvizjes BESA, Fadil Zendeli, paralajmëroi se do të parashtrojnë amendamente për Propozim-ligjin për gjuhët me çka gjuha shqipe do të bëhej gjuha e dytë zyrtare.

“BESA votoi për Ligjin për gjuhët dhe do ta mbështesë, por kemi shumë vërejtje për këtë propozim. Me këtë Ligj, gjuha shqipe nuk do të zyrtarizohet dhe nuk do të bëhet gjuha e dytë zyrtare në Maqedoni”, tha Fadil Zendeli nga Lëvizja BESA.

Sipas koordinatorit të grupit parlamentar të Lidhjes Socialdemokratike të Maqedonisë (LSDM) në pushtet Tomisllav Tuntev, deputetët e LSDM-së punojnë në propozimet e amendamenteve për Propozim-ligjin për përdorimin e gjuhëve me të cilat dëshirojnë të intervenojnë në ligjin, aty ku hapet problem për interpretime të ndryshme të neneve.

“Me votimin e sotëm të nevojës për miratimin e ligjit filloi procedura për zgjidhjen e plotë të kësaj çështjeje të hapur me nënshkrimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Me këtë përfundimisht do të rrumbullakohet implementimi i pjesës së Marrëveshjes së Ohrit në pjesën e avancimit të të drejtave të njeriut në vend. Pres që në bashkëpunim me partnerët e koalicionit, por edhe me deputetët tjerë, gjatë debatit për amendamentet të vijmë deri tek zgjidhja e plotë që do të jetë në interes të të gjithë qytetarëve dhe bashkësive etnike në këtë shtet”, tha Tuntev.

Propozim-ligji për përdorimin e gjuhëve hyn në fazën e dytë kur deputetët kanë mundësi të parashtrojnë amendamente të cilat më tej do të shqyrtohen në Komisionin për çështje evropiane, pas çka sërish do të shkojë në seancë plenare ku vijon prononcimi final i deputetëve për tekstin.

Sipas propozimit, për zbatimin e ligjit do të ndahen mjete shtesë nga buxheti i Maqedonisë lidhur me themelimin e Agjencisë për zbatimin e gjuhëve./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit