Maqedonia e Veriut regjistron 2 viktima dhe 120 të infektuar nga Covid-19

Mos i humb

Maqedonia e Veriut ka regjistruar shifra rekorde të personave të infektuar me koronavirus, që nga fillimi i pandemisë. Ditën e enjte janë regjistruar 120 të infektuar me koronavirus, shifër kjo më e lartë sesa ajo e 15 prillit, kur ishte raportuar për 107 të infektuar.

Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, në këtë shtet janë regjistruar edhe dy viktima nga qyteti i Tetovës duke e çuar numrin e viktimave në 147.

Prej tyre, 37 janë në Shkup, 25 në Tetovë, 24 në Kumanovë, 20 në Strugë, 10 në Veles, ndërsa në qytetet tjera numri i viktimave është më i vogël se 10.

Numri më i madh i të infektuarve mbetet në Shkup. Nga 120 rastet e reja, 66 janë në Shkup, që mbetet vatra kryesore e infektimit në Maqedoninë e Veriut. Numër i lartë i të infektuarve është regjistruar edhe në Kumanovë, gjithsej 19 raste dhe në Prilep, 17.

Rezultatet mbi të infektuarit dhe të vdekurit kanë dalë nga testimi i 953 mostrave. Shifra e lartë e testimeve ka qenë edhe në ditët e kaluara, duke kaluar madje edhe shifrën e një mijë testeve brenda një dite. Gjithsej që nga paraqitja e pandemisë janë realizuar mbi 33 mijë teste.

Prej tyre 2,611 persona kanë rezultuan pozitivë në Covid-19, sëmundje që shkakton koronavirusi. Prej tyre, 1,621 janë shëruar, ndërsa aktivë janë ende 843 persona.

Rritja e numrit të të infektuarve ka bërë që nga dita e enjte të rikthehen masat e ndalimit të plotë lëvizjeve në Shkup, Tetovë, Kumanovë dhe Shtip.

Në këto qytete ndalimi i lëvizjes do të nisë nga ora 21:00 deri të hënën në orën 05:00, ndërsa në qytetet tjera do të ketë regjim më të lehtë të ndalimit të lëvizjes.

Drejtuesit e institucioneve kanë bërë thirrje për respektimin e masave, pasi në të kundërtën mund të aplikohen masa shtesë, jo vetëm të ndalimit të punës së bizneseve, por edhe të lëvizjes së qytetarëve në gjithë vendin.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit