Maqedonia zyrtarisht fillon negociatat për aderimin në NATO

Mos i humb

Maqedonia të enjten zyrtarisht i fillon bisedimet aderuese me NATO-n deklaroi sot ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë, Radmilla Shekerinska në konferencën e përbashkët me ministrin e Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov dhe koordinatorin nacional për NATO, Stevo Pendarovski.

Me fillimin e bisedimeve aderuese për Aleancën, Maqedonia hyn në fazën e dytë. Faza e parë e procesit filloi me marrjen e ftesës për në NATO në korrik të vitit 2018.

“Në bisedimet hyjmë të mbushur me optimizëm dhe dëshirë për sukses. Para nesh është rasti që shteti ynë të bëhet anëtar i aleancës më të fuqishme për siguri kolektive që bashkon shtete me cilësi më të lartë të jetesës dhe mbi 900 milionë qytetarë”, deklaroi Shekerinska.

Ministrja e Mbrojtjes u bëri thirrje deputetëve të të gjitha partive politike që të tregohen në vepër.

“Deputetët e të gjitha partive politike janë para një shansi historik dhe përgjegjësie historike. Me shtypjen e butonit ‘për’ marrin pjesë në hapat finale të maratonës 27 vjeçare për anëtarësimin e atdheut tonë në NATO. Suksesi i Maqedonisë varet nga vendimi i tyre”, theksoi Shekerinska.

Ministri i Punëve të Jashtme Nikola Dimitrov, në konferencën e përbashkët rikujtoi deklaratën e parë të Kuvendit të vitit 1993, kur të gjitha partitë politike theksuan se ardhmërinë e Maqedonisë e shohin në NATO.

“Këtë javë më 18 dhe 19 fillon procesi i negociatave aderuese. Ky është proces i shkurtër, do të përfundojë nga fundi i këtij ose fillimi i vitit të ardhshëm. Përgatitëm program për vazhdimin e reformave me theks mbi sundimin e së drejtës dhe reformat gjyqësore, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, deklaroi Dimitrov.

Nga ana tjetër koordinatori nacional për NATO, Pendarovski u përqendrua në aspektet teknike të procesit.

“Me këtë sesion bisedimesh në Bruksel, Maqedonia ‘de fakto’ hap fazën e fundit në marrëdhëniet e saj me NATO-n para anëtarësimit që paraqet hapin thelbësor në procesin i cili do të na çojë deri tek realizimi i qëllimit tonë më të madh strategjik. Nënkuptohet se nuk ka asnjë dilemë se e gjithë kjo doemos duhet të kalojë përmes implementimit të plotë të Marrëveshjes së Prespës”, tha Pendarovski.

Ai po ashtu theksoi se sipas të gjitha analizave të bëra nga institucionet relevante, anëtarësimi i Maqedonisë në NATO do të jetë i rëndësishëm për sigurinë dhe stabilitetin e Maqedonisë, por njëkohësisht do të jetë edhe një shembull pozitiv dhe kontribut drejt sigurisë rajonale, stabilitetit dhe prosperitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit