“Marrëveshja e Ohrit krijoi besim mes bashkësive etnike në Maqedoni”

Mos i humb

 

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, sot në panelin tematik “Rruga për në Bruksel përmes Ohrit” me rastin e 17 vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, deklaroi se kjo marrëveshje ka krijuar besim ndërmjet bashkësive të ndryshme etnike në Maqedoni.

Organizator i përvjetorit të Marrëveshjes Kornizë ishte Sekretariati për Çështje Evropiane i kryesuar nga zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani. Në këtë aktivitet morën pjesë politikanë nga qeveria dhe opozita, përfaqësuesit e trupit diplomatik në vend, si dhe përfaqësues të bashkësive fetare.

Në fjalën e tij në panel, kryeministri Zaev theksoi se Marrëveshja Kornizë e Ohrit është dokument i rëndësishëm për Maqedoninë për shumë gjëra.

“Ai i dha fund konfliktit në vitin 2001 dhe deri më sot garanton se dhuna nuk do të jetë një mekanizëm për arritjen e ndonjë qëllimi dhe interesi politik. Marrëveshja e Ohrit mbrojti sovranitetin dhe integritetin territorial të Maqedonisë. Marrëveshja garanton respektimin e plotë të parimit të mosdiskriminimit dhe trajtimit të barabartë dhe të drejtë të të gjithë personave para ligjit”, deklaroi kryeministri Zaev, duke shtuar se përfitimi më i madh i Marrëveshjes së Ohrit janë themelet e bashkëjetesës të vendosura nga ajo.

“Marrëveshja krijoi besim midis bashkësive të ndryshme etnike në Maqedoni. Kishte momente kur bashkëjetesa dhe toleranca ndëretnike u vunë në sprovë. Në ato momente të sprovës, treguam se së bashku jemi më të fortë, se duam të jetojmë së bashku dhe të bashkuar të përparojmë të gjithë së bashku”, tha Zaev.

Në fjalën e tij, ai iu referua edhe referendumit të planifikuar për më 30 shtator dhe tha se, ashtu sikurse 17 vjet më parë guximi i qytetarëve dhe politikanëve tërhoqi Maqedoninë nga kriza, edhe tani është mundësia që të merret vendimi i duhur për të siguruar një të ardhme më të mirë.

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, në fjalimin e tij në debat tha se në të kaluarën madje edhe optimistët më të mëdhenj nuk kishin menduar se pas 17 vjetësh, Maqedonia do të jetë një shembull i zgjidhjes së konflikteve dhe se si situatat e konfliktit transformohen në dialog.

Ahmeti theksoi se NATO kishte rol të madh në parandalimin e zgjerimit të mëtejshëm të konfliktit në Maqedoni.

“Pa angazhimin e NATO-s, ne do të paguanim çmim të lartë dhe ai nuk do të ishte material, por njerëzor. Unë jam falënderues sepse NATO shpëtoi njerëz. Ju na dhatë motivim që të ulemi dhe të bëjmë dialog dhe angazhimi juaj ka qenë më shumë se i sinqertë dhe ky angazhim shihet në rezultatet e sotme”, theksoi Ahmeti.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri Osmani u shpreh se Marrëveshja e Ohrit për dy dekada është bazamenti i marrëdhënieve të qëndrueshme ndëretnike, por edhe bazamenti mbi të cilin Maqedonia ndërton demokracinë e saj funksionale multietnike dhe multikulturore.

“Marrëveshja kornizë përfaqëson një simbol të integrimit të brendshëm të Maqedonisë dhe udhëzues të mirë për zgjidhjen e sfidave me të cilat përballemi sot, dhe kjo është të kompletojmë edhe integrimin e jashtëm të Republikës së Maqedonisë”, theksoi Osmani.

Dafina Jovanovska Stojanovska, deputete e partisë opozitare VMRO-DPMNE, tha se Marrëveshja e Ohrit është e rëndësishme nga aspekti i parandalimit të gjakderdhjes në të kaluarën.

Ajo tha se për qytetarët e Maqedonisë aspekti ekonomik është shumë i rëndësishëm, duke shtuar se varfëria, krimi dhe korrupsioni janë ende të pranishme në vend.

Kujtojmë se sot u shënua 17 vjetori i nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, e cila i dha fund konfliktit në Maqedoni dhe e vendosi kornizën për bashkëjetesën ndëretnike në Maqedoni.

Negociatat mes palëve filluan në Shkup, për të vazhduar në Ohër ku u bë parafimi i dokumentit, nënshkrimi i të cilit u bë më 13 gusht në rezidencën presidenciale në Shkup.

Marrëveshja Kornizë, që njihet edhe si Marrëveshja e Ohrit u nënshkrua mes partive më të mëdha politike në vend dhe përfaqësuesve special të Bashkimit Evropian dhe SHBA-ve.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit