Marrëveshje Shqipëri-ICMP për gjetjen e personave të zhdukur gjatë komunizmit

Mos i humb

Në mjediset e “Europe House” në Tiranë u mbajt ceremonia e nënshkrimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit midis Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit Ndërkombëtar të Personave të Humbur (ICMP).

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin, udhëheqësi i Programit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Holliday, zëvendës ministrja e Brendshme e Shqipërisë, Rovena Voda si dhe Ambasadorja e Delegacionit të BE-së në Shqipëri, Romana Vlahutin.

Në fjalën e tij udhëheqësi i Programit për Ballkanin Perëndimor (ICMP), Matthew Holliday tha se kjo marrëveshje synon të lokalizojë personat e zhdukur në Shqipëri gjatë periudhës së komunizmit.

Sipas Holliday, kjo marrëveshje reflekton një dëshmi të vullnetit politik për ta trajtuar këtë çështje me efektivitet. “Projekti do të zbatohet fillimisht në zonën e Dajtit dhe të Ballshit dhe synimi është që ky projekt të zgjerohet në të ardhmen”, tha Holliday.

Ndërsa zv.ministrja e Brendshme e Shqipërisë, Rovena Voda në fjalën e saj u shpreh se ballafaqimi me të kaluarën është një detyrim ligjor, por dhe moral për të gjitha grupet shoqërore, si parakusht për arritjen e paqes sociale në vend.

“Zbardhja e fatit të personave të zhdukur do të vendosë drejtësi për të gjithë familjarët e tyre. Do të mbyllte plagën e rëndë të shoqërisë sonë si dhe do të vendoste paqe dhe stabilitet”, tha Voda.

Duke folur për nënshkrimin e marrëveshjes, Voda nënvizoi: “Marrëveshja që do të nënshkruajmë sot me një sërë iniciativash të tjera të ndërmara nga qeveria si ligji për Hapjen e Dosjeve të Ish-Sigurimit të Shtetit është një demonstrim i qartë i vullnetit të qeverisë për të përfunduar një proces tranzitor të zgjatur në Shqipëri. Marrëveshja synon intensifikimin e përpjekjeve për gjetjen e personave të zhdukur gjatë periudhës komuniste në Shqipëri, midis periudhës 29 nëntor 1944 dhe 2 korrik 1991, duke përcaktuar në veçanti rregullat e bashkëpunimit për identifikimin, gjetjen e personave të humbur si dhe koordinimin e punës me organet kompetente”, deklaroi Voda.

Sipas Vodës, nëpërmjet kësaj marrëveshjeje palët marin përsipër të forcojnë bashkëpunimin dhe përmirësimin e shkëmbimit të informacionit për këtë qellim.

“Përmbushja e detyrimeve ligjore si dhe kushtetuese dhe e drejta e antarëve të familjeve të personave të zhdukur, veçanërisht për të ditur vendodhjen e familjarëve të tyre dhe për t’u njohur me rrethanat e zhdukjes së tyre burojnë nga traktatet për të drejtat e njeriut, në të cilat Shqipëria është palë”, u shpreh ajo.

Në aktivitet mernin pjesë dhe nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Vasilika Hysi, përfaqësues të shoqërisë civile, institucioneve që kanë në fokus studimet rreth kalurës komuniste në Shqipëri, familjarë të viktimave etj.

Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Komisionit Ndërkombëtar të Personave të Humbur (ICMP) synon intensifikimin e përpjekjeve për gjetjen e personave të zhdukur gjatë periudhës komuniste në Shqipëri, midis periudhës 29 nëntor 1944 dhe 2 korrik 1991, duke përcaktuar në veçanti rregullat e bashkëpunimit për identifikimin, gjetjen e personave të humbur si dhe koordinimin e punës me organet kompetente./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit