“Marshi i Paqes”, të mbijetuarit e gjenocidit në Srebrenicë nderojnë viktimat

Mos i humb

Të mbijetuarit e Srebrenicës ishin në fillim të kolonës së Marshit të Paqes që filloi mëngjesin e sotëm nga Maja e Zezë, afër Zvornikut, për të nderuar ata që u vranë në gjenocidin e kryer në vitin 1995 në Srebrenicë.

“Marshi i Paqes 2020”, i cili në aspektin e organizimit u mbajt në kushte të vështira për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), filloi nga Maja e Zezë në vend të Nezukut, siç ishte traditë në vitet e kaluara.

Për dallim nga vitet e kaluara, kur mijëra njerëz nga e gjithë bota morën pjesë në “Marshin e Paqes”, këtë herë dhjetëra persona u nisën nga Maja e Zezë, ndërsa pjesëmarrësit e tjerë do të bashkohen me ta në kampin Liplje.

“Marshi i Paqes” i këtij viti do të mbahet në tre faza, kështu që pjesëmarrësit do të kalojnë natën në Gllodi, ku dhe do të vendoset kampi. Natën e dytë (9 korrik) kampi do të vendoset në Mravnjaci. Mbërritja e pjesëmarrësve të “Marshit të Paqes” në Qendrën Përkujtimore Srebrenica-Potoçari pritet pasditen e 10 korrikut.

Kreu i Nënkomitetit të “Marshit të Paqes 2020”, Munir Habiboviq, tha se numri i pjesëmarrësve në Marshin e Paqes është kufizuar për shkak të pandemisë së koronavirusit.

“Ne duhet t’u përmbahemi masave epidemiologjike. Të mbijetuarit do të udhëheqin Marshin e Paqes. Të gjithë ata që u shfaqën mbrëmë deri në mëngjesin e sotëm në kampin e Lipljes do të jenë të akredituar dhe pjesëmarrës në Marshin e Paqes. Nuk do të kthejmë askënd. Unë nuk mund t’ju them numrin e saktë të pjesëmarrësve sepse kemi të akredituar këtu dhe në Liplje. Tani nuk mund të flasim për numrin e pjesëmarrësve, mund të ketë 500 pjesëmarrës. Secili pjesëmarrës duhet të plotësojë broshurën epidemiologjike, t’i matet temperatura”, tha Habiboviq.

Siç tha ai, kanë vendosur, nëse shfaqet një numër pak më i madh i njerëzve, do të vendosin radhë në vende të caktuar dhe në çdo 10-15 minuta do të lëshojnë nga dhjetë persona. Habiboviq njoftoi se ata po ashtu kanë numër më të madh të mjekëve dhe spitaleve mobile.

Në kolonë ishte edhe Almedin Beqiroviq, njëri nga të mbijetuarit e gjenocidit të vitit 1995.

“Fatkeqësisht, në këtë rrugë humba dy vëllezër. E kam kaluar tërë luftën në Srebrenicë. Në vitin 1995 u nisëm në Kodrën e Gurit për depërtim. Jam plagosur këtu. Vëllezërit më mbajtën. Në fund iu luta të më linin. Pas 48 ditëve mbërrita në territorin e lirë afër Kladanjit”, tha Beqiroviq.

Edhe sot, siç tha ai, ku kalon një pjesë të rrugës ku ka udhëtuar në vitin 1995, ai ndalet dhe thotë se ky është vendi i tij i ri i lindjes.

“U bëj thirrje të gjithë njerëzve që e dinë ku ndodhen varret masive, të na tregojnë atë”, tha Beqiroviq për AA.

Salih Mulaliq filloi sot nga Maja e Zezë në rrugën për në Potoçari.

“Unë jam nga të mbijetuarit e kolonës së vdekjes së muajit korrik 1995. Marshi i Paqes, për mua, mbi të gjitha, është një kujtesë e rrugës së vdekjes dhe shpëtimit, si dhe të të gjithë atyre që u vranë në këtë depërtim. Ne shënojmë Marshin e Paqes në mënyrë që të mos harrojmë atë që na ndodhi në vitin 1995. Le t’ua kalojmë brezave tanë dhe kurrë askujt të mos i përsëritet Srebrenica”, tha Mulaliq.

Në mesin e pjesëmarrësve ishte edhe Muharem Mujçinoviq, i cili po ashtu i mbijetoi “rrugës së vdekjes”.

“Kam kaluar këtë rrugë 25 vite më parë. Është një ndjenjë e veçantë të jesh përsëri në këtë rrugë. Është një përsëritje e skenave të vdekjes dhe të jetuarit. Është e vështirë të kalohet kjo rrugë”, tha Mujçinoviq.

“Marshi i Paqes”, një ecje tre-ditore e organizuar që nga viti 2004 për të shënuar përvjetorin e gjenocidit të Srebrenicës, simbolizon ruajtjen e kujtesës dhe parandalimin e mohimit të asaj që ndodhi në verën e vitit 1995 dhe përreth Srebrenicës.

Nga gjenocidi ndaj boshnjakëve në Srebrenicë në vitin 1995 i kryer nga ushtria e Republika Srpska, e cila mori ndihmë nga formacionet logjistike serbe, u vranë të paktën 8.372 civilë.

Në Varrezat në Qendrën Përkujtimore Srebrenica-Potoçari deri më tani janë varrosur 6.643 viktima të gjenocidit, ndërkohë në kërkim janë edhe mbi 1 mijë të zhdukur të Srebrenicës.

432 të mitur dhe 26 gra u varrosën në Qendrën Përkujtimore në Potoçari. Nga kjo shifër, 19 gra ishin viktima të gjenocidit, ndërsa të tjerët vuajtën gjatë vitit 1992.

Mbetje të viktimave të gjenocidit janë zbuluar në rreth 570 lokacione të ndryshme.

Viktima më e re e varrosur deri më tani në Potoçari është Fatima Muhiq, një vajzë e posalindur, ndërsa më e moshuara është Shaha Izmirliq, e lindur në vitin 1902.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit