Mattis, “shuplakë” Kinës: Po intimidon fqinjët në detin e Kinës Jugore

Mos i humb

 

Kina po dërgon raketa në zonën e diskutueshme të detit të Kinës Jugore për të intimiduar dhe shtrënguar fqinjët e saj.

Ky është paralajmërimi i bërë nga Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, teksa ka folur nga Singapori, gjatë një konference sigurie. Sipas gjeneralit Mattis, veprimet e Pekinit po ngrejnë pikëpyetje mbi objektivat e saj për zgjerim të ndikimit.

Veç kësaj, ai deklaroi gjithashtu se çështja e trupave amerikane në Korenë e Jugut nuk mund të shtrohet në tryezë për diskutim, gjatë samitit të këtij muaji mes presidentit Trump dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un.

“Shtetet e Bashkuara dëshirojnë denuklearizimin e plotë të gadishullit Korean”, do të shtonte ai.

Edhe ministri koreano-jugor i Mbrojtjes ka thënë gjatë samitit të sigurisë “Shangri-La Dialogue”, se prania e forcave amerikane në Korenë e Jugut është krejtësisht i ndarë nga çështja bërthamore e Koresë së Veriut.

Aktualisht, në Korenë e Jugut ndodhen të dislokuara rreth 28.500 trupa amerikane.

Në konferencën e mbajtur këtë fundjavë, Mattis deklaroi se Pekini ka dërguar pajisje ushtarake, përfshi edhe raketat antianije, ato tokë-ajër dhe pajisje për diktimin e sinjaleve elektronike në ishujt artificialë të detit të Kinës Jugore.

“Pavarësisht se Kina pretendon të kundërtën, vendosja e këtyre sistemeve të armatimeve është e lidhur drejtpërdrejt me përdorime ushtarake me qëllim intimidimin dhe shtrëngimin”, u shpreh Mattis, teksa shtoi se administrata e presidentit Trump dëshiron një marrëdhënie konstruktive me Kinën, por mund të konkurrojë fuqishëm nëse do të jetë e nevojshme.

Amerika, sipas tij, e pranon se Kina duhet të ketë një rol të rëndësishëm për të luajtur në rajon.

Deti i Kinës Jugore, një nga portat kyçe tregtare në rajonin përkatës është subjekt i pretendimeve të mbivendosura mes 6 shtetesh. Kina ka krijuar ishuj të vegjël artificialë, duke i kthyer ato tashmë në mjedise për qëllime ushtarake.

Muajin e kaluar, Kina uli për herë të parë avionë bombardues në ishullin “Woody”, pjesë e ishujve “Paracel”, duke nxitur reagimin dhe paralajmërimin e Uashingtonit se Pekini po destabilizonte rajonin.

Ishulli “Woody”, të cilin Kina e quan “Yongxing”, pretendohet edhe nga Vietnami e Taivani.

Top Channel

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit