Mbetjet spitalore, Hajdari: Prova prokurorisë për kompanitë. Të hetohen edhe spitalet

Mos i humb

Duke mbështetur hetimet dhe duke premtuar se do t’i ofrojë prova akuzës për hetimin ndaj 6 kompanive që trajtojnë asgjësimin e mbetjeve spitalore, Inspektori i Përgjithshëm, Shkëlqim Hajdari i bën apel prokurorisë që të hetojë edhe spitalet.

“Dy janë problemet kryesore, kur të kryhet hetimi kam përshtypjen do të rezultojnë që jo të gjitha këto kompani, por disa prej tyre, do të dalë që nuk kanë plotësuar kushtet për të patur leje mjedisore, ose licencë për t’i asgjësuar, ose nuk kanë kapacitetet e duhura për të kryer këtë proces. E dyta ka një bashkëpunim të heshtur mes këtyre firmave dhe drejtuesve të enteve publike, pra spitale, qendra shëndetësore, klinika që nga njëra anë firma merr lekët e taksapaguesve shqiptarë dhe nga ana tjetër mund të ketë elementë korrupsioni, që drejtuesi i klinikës, mjaftohet që ai i lëvron lekët, por ai nuk vjen t’i marrë mbetjet dhe ai gjen mënyrat për t’i asgjësuar në mënyra klandestine. Bashkëpunim kriminal është mes dy institucioneve, sepse nëse një spital nuk do të pranojë, por do të telefonojnë në bazë të kontratës që ka, firma nuk ka ku shkon. Do të shkojë t’ja marrë”, thotë Shkëlqim Hajdari, Inspektor i Përgjithshëm i Inspektoriatit Qendror.

Top Channel e pyeti nëse Inspektoriati Qëndror dyshon për kontrata fiktive mes spitale dhe firmave të asgjësimit.

“Nga pikëpamja, forma, ato klinika, ato ente shëndetësore që janë inspektuar nga inspektoriati dhe ai i mjedisit, rezultojnë se shumica e tyre nga pikëpamja, forma i kanë kontratat me këto firma, por realiteti mendoj unë është ndryshe. Kontratat ekzistojnë ama. Nuk është gjithë sasia, nuk janë të gjitha klinikat që ua japin këtyre firmave, pra këto firma të shkojnë t’i marrin për t’i asgjësuar nëpërmjet djegies. Kam përshtypjen që një pjesë e madhe nuk kalojnë në rrugën ligjore që duhet të kalojnë mbetjet, por hidhen dhe fshihen nëpër territore që edhe syri i publikut nuk i kap”, përgjigjet kryeinspektori.

Më tej, Shkëlqim Hajdari paralajmëron inspektime të përbashkëta me Inspektoriatin Shëndetësor dhe të Mjedisit për të verifikuar nga fillimi kapacitetet dhe kushtet e kompanive të asgjësimit.

“Problemi i transportit është problem për t’u ndjekur, sepse tani nga transportimi deri tek vendi i djegies duhet shtuar më shumë kontrolli mes Inspektoriatit të Shëndetësisë dhe Inspektoriatit të Mjedisit. Duhet ta trajtojmë prodhimin e mbetjeve spitalore deri tek asgjësimi me ato masa sigurie ligjore njerëzore, por edhe me letra, siç trajtojmë një të arrestuar që është dënuar me burgim të përjetshëm dhe ju e dini shumë mirë se çfarë masash merren për transportimin e një njeriu të tillë me këtë rrezikshmëri”, deklaron Hajdari./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit