Mbi 7.000 viktima në luftën e Bosnjës ende janë të zhdukur

Mos i humb

Më shumë se 20 vite kanë kaluar nga lufta në Bosnjë e Hercegovinë (BeH), e cila ndodhi gjatë viteve 1992-1995 dhe ende nuk janë gjetur kufomat e më shumë se 7.000 personave.

Zëdhënësja e Institutit për Personat e Zhdukur në BeH, Lejla Çengiç në një prononcim për Anadolu Agency (AA) tha se ende nuk është arritur të bëhet identifikimi i 2.000 mbetjeve mortore të gjetura nga gërmimet e pasluftës në varrezat masive.

“Disa nga mbetjet mortore u zhdukën tërësisht. Pra, disa nga personat e zhdukur nuk do të gjenden kurrë”, tha ajo.

Duke vënë në dukje se në gjithë shtetin ka më shumë se 32 mijë persona të zhdukur, Çengiç tha se “Ne kemi gjetur mbetjet mortore të 25.500 personave. Ende nuk është bërë identifikimi i 2.000 mbetjeve mortore. Ndërsa në mbarë BeH-në ende nuk janë gjetur kufomat e 7.175 personave”.

Ajo tha se numri i personave të zhdukur po rritet çdo vit me aplikimet e bëra nga familjet e të zhdukurve. “Pas luftës në BeH janë gjetur 750 varreza masive dhe brenda tyre u gjetën mbetjet mortore të mijëra viktimave”, tha ajo.

Sipas Çengiç, vendet e kufomave janë ndryshuar vazhdimisht gjatë luftës, në mënyrë që të mos gjenden vendet e varrezave masive. Si rezultat i kësaj, ajo bën të ditur se mbetjet mortore të një personi mund të dalin nga varrezat e ndryshme masive.

194 varreza masive në Srebrenicë dhe Prijedor

Çengiç tha se kufomat e viktimave të gjenocidit të Srebrenicës, të kryer nga trupat serbe në vitin 1995 ku janë masakruar më shumë se 8.000 civilë boshnjakë, janë gjetur në varreza të ndryshme masive. “Në Srebrenicë janë gjetur 95 varreza masive. Ata që e kanë kryer këtë krim kanë dashur t’i zhdukin dëshmitë duke i ndryshuar vendet e kufomave”.

Duke vënë në dukje se skeletët e viktimave të cilët varrosen çdo vit në Varrezat Përkujtimore të Potoçarit më 11 korrik në përvjetorin e gjenocidit të Srebrenicës, nuk janë të “tërë”, Çengiç tha se “Ne si institut, eshtrat e viktimave të varrosura më parë i shtojmë në varret e tyre. Këtë vit kemi hapur varret e 80 viktimave dhe i kemi shtuar eshtrat e gjetura. Ndërsa në muajin tetor do të hapim edhe varret e 60 viktimave të tjera”.

Çengiç bën të ditur se në qytetitn Prijedor në veri të BeH-së janë zbuluar 99 varreza masive. “Këtu janë gjetur mbetjet mortore të civilëve boshnjakë dhe kroatë. Edhe vendi i kufomave të civilëve të vrarë në Prijedor ka ndryshuar vazhdimisht”, thotë ajo.

Sipas saj, persekutimi më i madh gjatë luftës në BeH është bërë në Srebrenicë dhe Prijedor. Çengiç tha se “Ende nuk janë gjetur kufomat e 760 personave në Prijedor dhe më shumë se 1.000 në Srebrenicë”.

Çengiç tha se në Qendrën e Identifikimit në Tuzëll gjenden mbetjet mortore të 170 viktimave, identiteti i të cilëve është përcaktuar.

“Të afërmit e viktimave nuk duan t’i varrosin ata me shpresën se mund të gjendet edhe ndonjë asht i të dashurve të tyre. Të afërmit e viktimave e dinë se të dashurit e tyre nuk do të kthehen prapa por edhe pse kanë kaluar më shumë se 20 vite numri i kufomave të pagjetur është i lartë. Disa viktima do të regjistrohen si ‘të zhdukur’ deri në pafundësi. Disa prej këtyre personave janë djegur e disa janë hedhur në lum. Është e pamundur të gjenden mbetjet mortore të këtyre personave por ne do të vazhdojmë t’i kërkojmë të zhdukurit përderisa të afërmit e tyre do të jenë të gjallë”, u shpreh Çengiç.

Çfarë ndodhi në Srebrenicë dhe Prijedor

Më 11 korrik të vitit 1995 qyteti i Srebrenicës në lindje të BeH-së u pushtua nga trupat serbe nën komandën e Ratko Mladiçit. Pas kësaj civilët boshnjakë të cilët ishin strehuar tek ushtarët holandezë në kuadër të Kombeve të Bashkuara (OKB) u janë dorëzuar serbëve.

Serbët kishin lejuar që gratë dhe fëmijët të shkojnë në rajonin e kontrolluar nga ushtarët boshnjakë dhe masakruan 8.372 meshkuj boshnjakë në fusha pyjore, fabrika e depo. Boshnjakët e masakruar u varrosën në varreza masive.

Trupat serbe natën e 29 prillit të vitit 1992 morën nën kontroll qytetin Prijedor i cili në masë të madhe përbëhej nga popullsia boshnjake. Trupat serbe të cilat posedonin armë të rënda më 23 maj të vitit 1992 sulmuan fshatrat përreth Prijedorit. Në masakrën e kryer në Prijedor dhe rrethinën e saj humbën jetën 3.176 civilë prej të cilëve 102 fëmijë./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit