Mbretëri e Bashkuar, rritet në 281 numri i vdekjeve nga koronavirusi

Mos i humb

Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka paralajmëruar se nëse qytetarët britanikë nuk respektojnë “në mënyrë të rreptë” distancimin shoqëror, atëherë mund të ndërmerren masa të mëtejshme qeveritare për të luftuar përhapjen e koronavirusit të ri (COVID-19), (AA).

Komentet e tij pasuan pas një fundjave me diell në Mbretërinë e Bashkuar, me rrjetet sociale të mbushura me fotografi nga parqet dhe hapësirat publike të frekuentuara nga njerëzit.

Departmenti i Shëndetësisë në Mbretërinë e Bashkuar sot njoftoi se numri i vdekjeve nga koronavirusi është rritur në 281, me 48 vdekje të raportuara vetëm në 24 orët e fundit. Numri i përgjithshëm në vend i rasteve pozitive aktualisht është 5.683.

“Unë dua, natyrisht që dua, njerëzit të shkojnë në parqe e hapësira publike dhe të kënaqen. Por, ju lutem ndiqni këshillat dhe mos mendoni se ajri i pastër automatikisht garanton imunitet”, tha Johnson në një konferencë për media.

Johnson paralajmëroi ata që mendojnë se “janë të paprekshëm”, duke theksuar se ata mund të përhapin virusin tek të tjerët.

“Nëse njerëzit nuk janë të përgjegjshëm në parqe dhe hapësira të gjelbërta, nuk ka dyshim se ne do të sjellim masa të mëtejshme dhe ne po e mbajmë atë në rishqyrtim në mënyrë të vazhdueshme”, paralajmëroi Johnson.

Ndërkaq, në konferencën e përbashkët për media me kryeministrin Johnson, sekretari britanik për Strehim, Komunitete dhe Pushtetin Lokal, Robert Jenrick, njoftoi se Shërbimi Kombëtar i Shëndetit ka identifikuar mbi 1.5 milionë persona në Angli që përballen me rrezikun më të lartë për t’u shtruar në spital nga koronavirusi. 

Jenrick tha se Shërbimi Kombëtar i Shëndetit së shpejti do t’i kontaktojë ata dhe do t’u kërkojë të mos largohen nga shtëpitë e tyre për 12 javë. Ai tha se anëtarët e tjerë të familjeve të tyre akoma mund të largohen nga shtëpia, por duhet të ndjekin rregullat e distancimit shoqëror.

Qeveria britanike ka paralajmëruar se do të krijojë qendra lokale për shpërndarjen e ushqimit dhe ilaçeve tek njerëzit e cenueshëm nga koronavirusi, me pako të dorëzuara në pragun e derës. Është planifikuar që shërbimi i urgjencës dhe forcat e armatosura të mbështesin këtë përpjekje.

Koronavirusi i ri, i njohur zyrtarisht si COVID-19, për herë të parë u shfaq dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës dhe aktualisht, bazuar në të dhënat e Universitetit John Hopkins në SHBA, është përhapur në të paktën 169 vende dhe rajone.

Nga pothuajse 328 mijë raste të konfirmuara, numri i vdekjeve ka tejkaluar shifrën 14 mijë, ndërsa rreth 95 mijë janë shëruar.

Italia, Kina, Irani dhe Spanja vazhdojnë të jenë vendet më të prekura.

Pavarësisht numrit në rritje të rasteve, shumica e njerëzve që kontraktojnë koronavirusin vuajnë simptoma të buta para se të shërohen.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit