Mbretëria e Bashkuar në përpjekje për t’u mundësuar ujgurëve të kërkojnë vendim gjykate për gjenocid

Mos i humb

Parlamentarët britanikë po bëjnë presion që ujgurëve dhe pakicave të tjera muslimane t’u jepet e drejta të kërkojnë një vendim nga Gjykata e Lartë e Mbretërisë së Bashkuar se një gjenocid po ndodh në Kinë, veprim që mund të kufizojë lidhjet tregtare të Mbretërisë së Bashkuar me Pekinin.

Sipas një raporti nga gazeta The Guardian, masa ka mbështetje të gjerë ndër-partiake dhe provokoi frikë brenda qeverisë britanike se lidhjet fitimprurëse tregtare me Kinën mund të vendosen në rrezik.

Propozimi po udhëhiqet nga ish-lideri i Partisë Konservatore, Ian Duncan Smith.

Vendimet mbi gjenocidin janë bërë në Kombet e Bashkuara (OKB), por kritikët thonë se ndarjet politike nënkuptojnë se krimet e luftës dhe gjenocidi ndëshkohen me vështirësi ose kurrë.

Masa e re në Mbretërinë e Bashkuar do të lejojë që viktimat dhe ata që bëjnë fushatë në interes të tyre të paraqesin kërkesa në gjykatat britanike.

Përveç çështjes së ujgurëve, lidhjet midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Kinës po ashtu kanë qenë të tensionuara për çështjen e rolit të kompanisë kineze Huawei në azhurnimin 5G të Britanisë, si dhe ligjin e diskutueshëm të sigurisë kombëtare të vendosur nga Pekini në Hong Kong, i cili më parë drejtohej nga Britania e Madhe.

“Qeveria ende nuk i ka marrë parasysh të drejtat e njeriut në Kinë. Nëse një vend afrikan bën atë që po bën Kina, të gjithë ministrat do të ishin mbi të, por për shkak të kalibrit dhe ndikimit të Kinës në OKB, ajo arrin të ikë. Është koha që ne të ngrihemi kundër abuzimeve që po ndodhin brenda Kinës”, citohet Smith nga The Guardian.

Aleancat pro-ujgure në të dy dhomat e parlamentit britanik po propozojnë që asnjë projektligj tregtar të mos mund të hyjë në fuqi nëse gjyqtari i gjykatës së lartë vendos se njëra palë në marrëveshjen tregtare po kryen gjenocid.

Një amendament pritet të kalojë në Dhomën e Lordëve, dhoma e lartë e Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, ndërsa Smith tha se ai do të vazhdonte luftën në Dhomën e Përfaqësuesve, respektivisht në dhomën e ulët. 

Çështja ujgure

Kina është akuzuar gjerësisht për vendosjen e ujgurëve në kampe dhe ka pasur raporte të sterilizimit të detyruar të grave ujgure.

Grupi i të drejtave, përfshirë Amnesty International dhe Human Rights Watch (HRW), akuzojnë Pekinin për izolimin e 12 milionë ujgurëve në Kinë, shumica e të cilëve janë muslimanë.

Një raport i vitit 2018 nga HRW u përqendrua në atë që tha se ishte një fushatë e qeverisë kineze e “ndalimit masiv arbitrar, torturave, indoktrinimit politik të detyruar dhe mbikëqyrjes masive të muslimanëve të rajonit Xinjiang”.

Në mënyrë të ngjashme, Amnesty International ka botuar raporte mbi një “fushatë internimi masiv, mbikëqyrjeje ndërhyrëse, indoktrinimi politik dhe asimilimi kulturor të detyruar”, duke theksuar se “fusha dhe natyra e vërtetë e asaj që po ndodh në Xinjiang mbetet e fshehur”.

Shumë ujgurë, rreth 1 deri në 1.6 milionë, sipas Kongresit Botëror Ujgur kanë lëshuar Kinën për të jetuar jashtë.

Kina ka mohuar në mënyrë të përsëritur pretendimet se po operon kampe ndalimi në rajonin e saj veriperëndimor Xinjiang, i cili është vendbanim i komunitetit ujgur, duke pretenduar në vend se po “ri-arsimon” ujgurët.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit