Me Xhaminë e Namazgjasë Turqia bëri realitet ëndrrën 100-vjeçare të popullit shqiptar

Mos i humb

Në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, punimet për ndërtimin e Xhamisë së Namazgjasë vazhdojnë pa ndërprerje, ndërsa aktualisht ajo ka marrë pothuajse pamjen e plotë për shkak edhe të avancimit të punimeve me ritme të shpejta.

Xhamia po ndërtohet pranë godinës së Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa kur të përfundojnë punimet për ndërtimin e saj të plotë, do të jetë xhamia më e madhe në Ballkan.

Punimet për ndërtimin e xhamisë filluan në maj të vitit 2015 me një ceremoni ku merrte pjesë edhe presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, si dhe zyrtarë të lartë të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Turqisë. Që nga ajo kohë punimet kanë vazhduar pa ndërprerje dhe me ritme të shpejta.

– “Xhamia si karabina ka përfunduar”

Yasin Şengül, koordinator në zyrën e këshilltarit të çështjeve fetare pranë Ambasadës së Turqisë në Tiranë, në një prononcim për Anadolu Agency, duke folur për ecurinë e punimeve të xhamisë, tha se procesi i veshjes me shtresë plumbi ka përfunduar 70 për qind.

“Është parashikuar që të përfundojë (ndërtimi) në fund të vitit 2018. Si karabina është përfunduar dhe 70 për qind e procesit të veshjes me shtresë plumbi ka përfunduar. Minaret kanë përfunduar së ndërtuari, ndërsa sa i përket veshjes me mermer pjesa më e madhe edhe tek kjo fazë ka përfunduar. Ndërkohë në katet e poshtme vazhdojnë instalimet hidraulike dhe elektrike. Xhamia po ndërtohet në një sipërfaqe prej 10 mijë metra katrorë, ndërsa vetëm xhamia si karabina ndodhet në një hapësirë rreth 5 mijë metër katrorë. Xhamia është e përbërë nga katër minare, kupola kryesore dhe pjesa qendrore e xhamisë. Gjithashtu xhamia do të ketë edhe ambientet e jashtme”, thekson Şengül.

Sipas tij, sa i përket numrit të besimtarëve që mund të kryejnë ritet fetare, vetëm në pjesën e brendshme ka një kapacitet afërisht për 5.000 besimtarë, ndërsa duke përfshirë edhe pjesën e jashtme të xhamisë mund të arrijë një numër prej 10 mijë personash.

– “Turqia bëri realitet ëndrrën 100-vjeçare të popullit shqiptar”

“Kjo (Xhamia e Namazgjasë) është një ëndërr gati 100-vjeçare e popullit shqiptar, ku për arsye të ndryshme nuk është arritur të realizohet. Vetëm në vitin 2015 filloi të realizohet kjo ëndërr e tyre. Ne si popull vëlla musliman i Turqisë e dhurojmë për shqiptarët, duke bërë realitet këtë xhami. Xhamia është një ndërthurje e arkitekturës osmane dhe arkitekturës së re moderne. Ndërtimi i xhamisë financohet nga Kryesia e Çështjeve Fetare të Turqisë (Dijanet) dhe Fondacioni i Kryesisë së Çështjeve Fetare të Turqisë me shumën rreth 30 milionë euro. Ngjitur me Xhaminë e Namazgjasë do të ndërtohet dhe një muze, i cili do të quhet muzeu i bashkëjetesës fetare”, tregon Şengül.

Sa i përket kateve të nëndheshme, janë dy katet e garazhit, si dhe kati zero që do të jetë multifunksional, ku do të ketë bibliotekë, sallë konferencash, restorant dhe ambiente për kurse fetare. Pasi të përfundojnë të gjitha punimet, është programuar një ceremoni inaugurimi për Xhaminë e Namazgjasë.

Ndërkohë, qytetarë të shumtë shpesh vizitojnë ambientet ku po ndërtohet xhamia për të shikuar nga afër ecurinë e punimeve, ndërsa ajo përveç funksioneve për besimtarët muslimanë pritet të jetë një destinacion turistik për shumë turistë të huaj dhe vendas.

Besimtarët muslimanë në Tiranë, gjatë viteve të tranzicionit janë përballur me vështirësi në kryerjen e riteve të tyre, për shkak të numrit të vogël të xhamive dhe hapësirave të pakta të tyre, ku falja e namazit të bajrameve gjatë viteve të fundit është kryer në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe Sheshin “Skënderbeu”./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit