“Mesazh nga motra për motrën” Nga: Myzejen Myftari

Mos i humb

Allahu (xh.sh)në një hadith kudsij thotë:-

“E kam detyrim T’i dua njerëzit që e duan njëri-tjetrin  për hir Timin, që grumbullohen diku për Mua, që  vizitojnë njëri-tjetrin për hatrin Tim dhe që ndihmojnë njëri-tjetrin për Mua (për të fituar  kënaqësinë Time)”.

Zoti im! Më bëj një vend pranë mëshirës Tënde në Parajsë dhe më shpëto nga Faraoni dhe brutaliteti i tij e më shpëto prej popullit mizor!”

                                                                                        Asija (bashkëshortja e Faraonit)

 

Mesazh nga motra për motrën

Myzejen (Jeni) Myftari

18/01/2019

Shtutgard-Gjermani 

Bismi lahi rrahmani rrahim

Falënderimet dhe lavdërimet qofshin për Allahun (xh.sh), Krijuesin e gjithësisë, Sunduesin në Ditën e Gjykimit. Përshëndetjet dhe salavatet qofshin mbi të dërguarin e Tij, Muhammedin (a.s.a.s) mbi familjen e tij, shokët e tij dhe të gjithë ata që do të ndjekin rrugën e Profetit deri në ditën e fundit. Allahu na bëftë prej tyre. Amin!

Ju përshëndes me përshëndetjen e banorëve të Xhennetit:- “Es-selamu alejkum we rrahmetullahi we berekatuhu”

Motrat shqiptare!

Ju që Allahu ju vuri në udhën time të dunjasë, ju që keni të njëjtin gjak dhe gjuhë me timen! Është kënaqësi të jem sot këtu me ju, në mes të një pjesë të shkëputur të dheut tim. Duke ju parë ju sot, shoh në sytë tuaj mirësinë e femrës myslimane, të asaj femre që Allahu e begatoi me dritën e besimit dhe e ngriti në lartësi në dunja dhe akhiret; të asaj femre që Krijuesi i gjithësisë e bërë burimin e mirësisë dhe të dashurisë, të urtësisë dhe përkujdesjes, që e ka nderuar dhe e ka ngritur lart duke e bërë amanet të Tij tek bashkëshortët e tyre. Profeti Muhammed (s.a.a.s) ju drejtohet burrave dhe thotë:- Gratë tuaja ju janë dorëzuar në besë të Zotit, pra respektojeni o besimdrejtë, atë amanet të Zotit!”

Fisnike tek Allahu! 

Femra është një nga faktorët më të rëndësishëm brenda familjes dhe familja është institutcioni më i rëndësishëm në shoqërinë njerëzore, sepse aty fillon jeta, aty rriten brezat, aty edukohet njeriu, aty ka dashuri dhe përkujdesje që nuk mbaron kurrë. Familja është institucioni ky bashkëshortët respektojnë, duan dhe kujdesen për njëri tjetrin, ku prindërit kujdesen për fëmijët dhe ku fëmijët i kthejnë prindërve dashurinë, respektin dhe kujdesin në kohën e pleqërisë, atëherë kur ata më së shumti kanë nevojë për përkujdesjen e fëmijëve.

Ndërkohë, shoqëria sot përballet me sfida të shumta dhe më e vështira prej tyre është sfida e ruajtjes së familjes. Ruaje familjen tënde sepse ajo është themeli i shoqërisë, ndërsa ti je themeli mbi të cilin qëndron në këmbë familja! Allahu e ka vënë xhennetin nën këmbët e tua dhe ti je shembulli që fëmijët ndjekin në jetë, je pasqyra e bijave dhe mbesave të tua. Prandaj motra ime, eduko vetveten me moralin e lartë Islam dhe jepu fëmijëve të tu edukimin më të mirë i cili t’u vlejë në udhëtimin e dunjasë për t’u bërë besimtarë të devotshëm, që të nxjerrin nga duart e tyre dijetarë dhe përcjellës së fjalës së Allahut dhe t’u bëhet shok në Xhennetet e Akhiretit! Bëhu shembëlltyrë e vëllezërve dhe motrave të tua, e familjes dhe fqinjëve të tu! Bëhu e sinqertë, duke ditur se dilërsia dhe nderi gjendet tek secili që ka ambicje islame!

Besimtare tek Allahu!

Kujto gjithmonë se ti je ambasadorja e kësaj feje të lartësuar në tokë. Ti mbart mbi supet e tua peshën e thirrjes në Islam. Allahu të ka lartësuar në dunja dhe në akhiret. Ai ka zbritur në Kur’an një sure të veçantë që i kushtohet grave, të ka bërë të barabartë me burrin në detyrime dhe shpërblime, por të ka lartësuar më shumë se burrat me mëshirën dhe dashurinë që ka vënë në zemrën tënde.

Të gjitha këto të venë ty para përgjegjësive të mëdha dhe të bëjnë të jesh gjithmonë në kërkim të përsosjes së vetvetes në të gjitha etapat e jetës; si bijë shembullore, motër fisnike, bashkëshorte e devotshme, nënë e mrekullueshme, vjehërr e dashur dhe gjyshe e përkushtuar.

O të lartësuara!

Kujtoni se me kemi shumë obligime para Allahut dhe një nga obligimet është mbulesa nëpërmjet së cilës çdonjëra prej nesh përcjell pa fjalë mesazhin e saj, mënyra si jeton dhe vlerëson vetveten. Në fakt, mbulesa është një qëndrim në vetvete. Ajo është një mënyrë për të jetuar jetën në udhën e Islamit.  Mos e lejoni veten të jeni një copë dekori pa vlerë! Mos e degradoni veten! Ti motër, nuk je lodër seksuale në duart e shoqërisë pa vlera, ku duan të të drejtojnë. Mos harro motër se, mbulesa është dinjiteti, respekti dhe nderi yt, prandaj kurrë, kurrë mos e shit për një botë të përkohëshme! Kujto motër se mbulesa nuk është modë, Kur’ani nuk është muzikë, namazi nuk është gjimnastikë, agjërimi nuk është dietë, Islami nuk është një etapë e jetës, Islami është udha e të gjithë jetës tënde! Modestia është bukuri!

Motra myslimane!

Ne sot jetojmë në kohën e dixhitalizimit, kur media sociale vret kohën dhe realitetin e njeriut dhe ndërton stereotipe të gënjeshtërta. Por ti motër myslimane, mos prano të bëhesh pre e hipnotizimit mediatik. Mos e shpenzo kohën në internet, komuniko me familjen dhe shoqërinë jo me ekranin e vdekur të televizorit, kompjuterit apo telefonit celular (mobile)! Nëse ti nuk ia kushton kohën familjes tënde, bashëshortit dhe fëmijëve të tu, nga cili mendon se do t’a marrin ata këtë vëmendje? Mos e shpenzo kohën me leximin e revistave të modës dhe të thashethemeve mbi jetën e aktorëve, këngëtarëve, politikanëve apo të njerëzve të tjerë! Komuniko me Zotin tënd nëpërmjet mënyrave të ndryshme të adhurimit, kryerjes së namazit, leximit të Kuranit, faljes së namazit të natës, agjërimit, sadakasë, haxhit, veprave të mira, duave etj. dhe mundohu të përgatisësh rrugën për në botën tjetër, nëse ti vërtet synon Xhennetin! Shpenzoje kohën tënde në punë të mira, duke udhëzuar në të mirë dhe duke këshilluar për ndalimin nga e keqja! Armatose veten me besim dhe dije, drejtoje veten dhe ndërto një shoqëri të drejtë të udhëzuar në udhën e Allahut! Mos e bëj jetën tënde një jetë pa vlerë dhe pa qëllim! Vendosi vetes qëllimin më të lartë për të punuar, vepruar dhe jetuar sipas parimeve të Allahut! 

Motër!

Kur të të theri zemra nga dhimbja dhe rrëzohesh nga hallet e dunjasë, kujto se Allahu i sheh të gjitha këto. Merr forcë nga besimi për t’u ringritur dhe për të ndërtuar lumturinë e botës tjetër mbi dhimbjen që të shkaktoi dunjaja.

O Xhennetlie!

Bëhu e denjë për të qenë pjesë e ummetit mysliman dhe për të merituar emrin “Xhennetlije”.

Për të marrë buzëqeshje falënderimi, shmang xhelozinë dhe zilinë! Për të patur buzë të bukura, flit gjithmonë të vërtetën! Për t’i bërë sytë e bukur, ul vështrimin tënd dhe mos shiko aty ku është haram për ty! Për bizhuteri dhe stoli, zbukuro veten me dije dhe besim! Për të bërë duart e tua të bukura, jep sadaka pa kursyer sepse kështu pasuria shtohet e nuk pakësohet! Për të mbrojtur flokët që të mos dëmtohen, vish mbulesën! Për të patur një pamje të freskët, në vend të makjazhit merr abdes dhe falu pesë herë në ditë! Nëse dëshiron të kesh zë të bukur, lexo Kur’anin fisnik! Për të bërë zemrën tënde të pastër dhe të bukur, fal dhe dhuro dashuri! Respekto farefisninë!  Ruaju nga prostitucioni dhe tradhëtia bashkëshortore!  Largoju ngatërresave dhe përgojimit të njerëzve! Largohu nga thashethemet e kota e të pavlera! Bëhu e drejtë dhe amanetqare! Sillu me drejtësi me të gjithë njerëzit! Duaje dhe respektoje besimtarin dhe besimtaren! Largohu nga rruga e shejtanit të mallkuar! Mbaj shembull të jetës tënde jetën dhe veprën e profetit Muhammed (s.a.a.s)!

Motrat e mia!

Ndërsa ju shoh ju sot, krenohem me fenë tonë dhe me ju të gjitha. Juve Allahu Ju ka paisur me cilësi të larta, Ju ka dhënë potencial të paimagjinueshëm të cilin ju nuk duhet t’a zhvetnoni e ta lini të fjetur por, duhet t’a përdorni në të mirë të vetes, familjes, vendit dhe mbi të gjitha, të besimit tuaj. Lumturia e kësaj bote nuk është tek pasuria, as tek fëmija por tek veprat e mira që bën njeriu në jetë. Jini krenare për fenë tuaj dhe për qenien vetvetja dhe mos lejoni askënd të diktojë se çfarë duhet të veshësh e si duhet të sillesh në jetën tënde!

Fisnike të Allahut!

Ma bëni hallall nëse ndonjëra prej jush është prekur nga ndonjë fjalë që mund të kem thënë apo ndonjë koment që mund të kem bërë, por ta dini se çfarëdo që kam thënë e kam thënë vetëm për hir të Allahut, që fjala e Tij të jetë më e lartë se gjithçka në zemrën tuaj dhe për të ndriçuar udhën tuaj me dritën e të Gjithëmëshirshmit.

Jam e bindur se ju do vazhdoni punën dhe përpjekjet tuaja dhe do të jeni gjithmonë të sukseshme dhe besimtare të devotëshme në rrugën e Allahut.

Ju lutem ju Fisnike të Allahut që, në çdo namaz tuajin, kur të mblidheni së bashku, kur t’a lexoni Kuranin, kur të kryeni një vepër të mirë për hir të Allahut, kur t’i ngrini duart nga qielli në dua, në gëzime e në hidhërime, të më kujtoni dhe mua në duatë tuaja, derisa të vijë momenti që Allahu të na bashkojë sërish në dunja dhe në Xhennetin Firdeus. Amin!

O Besimdrejta!

Ju dua të gjithave për hir të Allahut. Amaneti im për ju është rikujtimi i fjalës së Rrahmanit në Kur’an:-

Dhe kapuni të gjithë për litarin e Allahut e mos u përçani …”. (El Imran 102)

Frikësojuni All-llahut, nën ndihmën, prehjen dhe mëshirën e të Cilit të gjithë jemi udhëzuar!

We aleikum selam we rahmetullahi we berekatuhu

Përjetësisht Motra Juaj në Islam

Myzejen Myftari

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit