Meta kthen ndryshimet në ligj: Krijon hapësira për keqpërdorimin e policisë në proceset zgjedhore

Mos i humb

Presidenti Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend sërish një tjetër ligj. Bëhet fjalë për ligjin nr. 74/2020 “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme, të ndryshuar”.

Sipas arsyetimit ligjor të bërë publik nga institucioni i Kreut të Shtetit: “Veçanërisht kur vendi pritet t’iu nënshtrohet edhe zgjedhjeve të përgjithshme, forcimi i këtij presioni përmes vlerësimit kalimtar (vetting-ut), bëhet akoma më i dëmshëm dhe i rrezikshëm për garantimin e paanësisë së forcave policore e për pasojë, tepër shqetësues. Kjo pasiguri e personelit policor është e pritshme dhe ka gjithë premisat që të keqpërdoret së tepërmi në situata të veçanta, sidomos përgjatë procesit zgjedhor”.

Në arsyetimet e Metës, ky ligj, i miratuar në mënyrë të nxituar, përmbante një gabim që në titullin e tij, titull i cili nuk reflekton vetëm një ndryshim dhe vetëm një shtesë që bëhen përmes tij në ligjin bazë nr. 12/2018, “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme”, por titullohet si një ligj i ri.

Sipas tij, ligji synon heqjen e afatit të përfundimit të procesit të vlerësimit kalimtar, këtë herë edhe për drejtuesit e lartë të forcave policore dhe për Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat.

Presidenti i Republikës, përmes kthimit për rishqyrtim të këtij ligji, i ka bërë thirrje Kuvendit që të rivlerësojë nismën mbi afatin e përfundimit të procesit të vlerësimit kalimtar, duke përcaktuar një afat të qartë, objektiv, që ndihmon në garantimin e një trupe policore me integritet dhe profesionale, për ta përmbyllur këtë proces jo më vonë se data 31 dhjetor 2020.

DEKRETI REPUBLIKA E SHQIPËRISË
PRESIDENTI
D E K R E T

PËR KTHIMIN E LIGJIT NR. 74/2020 “PËR VLERËSIMIN KALIMTAR DHE PERIODIK TË PUNONJËSVE TË POLICISË SË SHTETIT, GARDËS SË REPUBLIKËS DHE SHËRBIMIT PËR ÇËSHTJET E BRENDSHME DHE ANKESAT NË MINISTRINË E BRENDSHME, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të nenit 85, pika 1 dhe nenit 93 të Kushtetutës,

Dekretoj

Kthimin në Kuvend të ligjit nr. 74/2020 “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme, të ndryshuar”, për rishqyrtim sipas arsyetimit bashkëlidhur këtij dekreti.

Nr. Dekretit 11536
Tiranë, më 8.07.2020
PRESIDENTI I REPUBLIKËS

ILIR META

ARSYET E KTHIMIT
TË LIGJIT NR. 74/2020 “PËR VLERËSIMIN KALIMTAR DHE PERIODIK TË PUNONJËSVE TË POLICISË SË SHTETIT, GARDËS SË REPUBLIKËS DHE SHËRBIMIT PËR ÇËSHTJET E BRENDSHME DHE ANKESAT NË MINISTRINË E BRENDSHME, TË NDRYSHUAR”

Të nderuar deputetë,

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar në seancën plenare të datës 18 qershor 2020 ligjin nr. 74/2020 “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme, të ndryshuar”.

Ky ligj me shkresën me nr. 1636 prot., datë 23.06.2020 të Kuvendit, i është përcjellë Presidentit të Republikës për dekretim dhe shpallje.

Nga vlerësimi i praktikës parlamentare rezulton se ky ligj është propozim i Këshillit të Ministrave dhe është shqyrtuar nga Komisioni për Sigurinë Kombëtare në cilësinë e Komisionit Përgjegjës në Kuvendin e Shqipërisë.

Në relacionin shoqërues të këtij ligji, deklarohet se qëllimi i nismës është: “të japë një kontribut në përmbushjen e objektivit të qeverisë shqiptare dhe në veçanti të Ministrisë së Brendshme, në krijimin e institucioneve të forta, me profesionistë me integritet”.

Ndërsa më tej citohet se: “Nëpërmjet ndryshimeve të propozuara synohet që të ulen kostot e procesit, të shpejtohet koha e vlerësimit dhe të garantohet një standard uniform vlerësimi pa prekur paanshmërinë, pavarësinë, objektivitetin dhe përputhjen e procesit të vlerësimit me parametrat e procesit të rregullt ligjor”.

Ligji nr. 74/2020, objekt shqyrtimi përmban në tërësinë e tij vetëm 3 nene, përfshi këtu dhe nenin 3 që përcakton momentin e hyrjes në fuqi të tij. Nga shqyrtimi i këtyre tre dispozitave rezulton se ligji paraqet problematikë të theksuar jo vetëm në raport me Kushtetutën, por edhe në formën se si ky ligj është zbardhur. Konkretisht konstatohen problematika në raport edhe me rregullat e teknikës legjislative.

Ligji nr. 74/2020, që në titullin e tij është formuluar gabim.

Në projektin e administruar nga Institucioni i Presidentit të Republikës, ligji nr. 74/2020, ka këtë titull: “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme, të ndryshuar”.

Nga përmbajtja e titullit duket sikur Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar një ligj të ri, ndërkohë që ligji nr. 74/2020, sjell vetëm një ndryshim dhe vetëm një shtesë në ligjin bazë nr. 12/2018, “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme”.

Përveç këtij gabimi, që nuk mund të quhet një gabim i thjeshtë në teknikën legjislative, për sa kohë që nuk është një nismë e re, ky ligj që realizon vetëm një ndryshim dhe një shtesë nuk ka se si të sjellë: “kontribut në krijimin e institucioneve të forta”.

Risia kryesore e këtij ligji është se, përmes tij hiqet afati i parashikuar në ligj që përcaktonte periudhën kohore, brenda së cilës duhet të kryhej procesi i vlerësimit kalimtar për drejtuesit e e forcave policore dhe për Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat. Referuar këtij fakti, bie poshtë argumenti i qeverisë dhe i Kuvendit dhe është e pajustifikuar nisma se përmes këtij ligji: “po shpejtohet koha e vlerësimit”.

Nëse vërtetë qeveria dhe Kuvendi do të kishin për qëllim përshpejtimin e procesit të vlerësimit, atëherë që pas hyrjes në fuqi të ligjit bazë nr. 12/2018, ata duhej që përmes masave organizative dhe vënies në dispozicion të mjeteve të nevojshme logjistike dhe financiare të mbështesnin ngritjen dhe funksionimin e strukturave të reja të vlerësimit. Kjo do të bënte të mundur fillimin menjëherë të procesit dhe rrjedhimisht dhe respektimin e afateve që parashikonte ligji.

Përkundrejt kësaj qasje, Këshilli i Ministrave dhe Kuvendi i Shqipërisë, përmes ndërhyrjeve legjislative të realizuara në vitin 2019, nuk synoi përshpejtimin e procesit brenda afatit ligjor, por ndërhyri për të hequr fillimisht afatin e përfundimit të tij për një pjesë të trupës policore, ndërsa sot me këtë ndërhyrje të dytë, synon sërish të hiqet krejtësisht afati ligjor i përfundimit të procesit, edhe për pjesën tjetër të trupës policore, duke e lënë këtë proces pa një afat të përfundimit të tij.

Problemi më i madh që paraqet ky ligj është pikërisht heqja e afatit të përfundimit të procesit të vlerësimit kalimtar këtë herë edhe për drejtuesit e lartë të forcave policore dhe për Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat.

Nëse miratohet dhe hyn në fuqi, ky ndryshim do të sjellë pasoja të rënda në drejtim të stabilitetit dhe mirëfunksionimit të trupave policore. Ky ndryshim do të rrisë pasigurinë e trupave policore dhe rrjedhimisht, pasoja e pritshme negative do të jetë ulja e efektivitetit të tyre në punën e përditshme, nën presionin e vazhdueshëm dhe pa afat për t’iu nënshtruar vlerësimit kalimtar.

Ndërkohë që vlerësimi i drejtuesve të lartë është një proces që duhet të kishte përfunduar tashmë për shkak edhe të numrit të kufizuar të tyre, ky vlerësim propozohet të shtyhet pa asnjë kufi kohor. Kjo nismë ngjan më shumë me një lehtësi apo favor që krijohet për drejtuesit e lartë aktualë të Policisë së Shtetit, në kundërshtim me vetë qëllimin e nismës ligjore për të siguruar institucione të forta e të besueshme, me profesionistë me integritet.

Ky ligj ndryshon për herë të dytë brenda pak kohësh. Ndryshime kaq të shpeshta të ligjeve të tilla me kaq rëndësi, tregojnë ose për gabime në procesin legjislativ në momentin fillestar të miratimit të ligjit bazë, ose për një qëllim politik për ta mbajtur këtë proces të hapur për një kohë të gjatë, me qëllim pasjen e një mekanizmi presioni dhe kontrolli përkundrejt trupës policore.

Përsa më sipër, dhe përsa do të shpjegohet në vijim në bindje të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe në ushtrim të së drejtës të parashikuar në pikën 1, të nenit 85 të saj, Presidenti i Republikës ka vendosur që ky ligj i duhet kthyer për rishqyrtim Kuvendit, për argumentet e renditura në mënyrë më të detajuar, si më poshtë:

1. Problematika në titullin e Ligjit nr. 74/2020, si dhe në teknikën legjislative të përdorur në shkrimin e tij.

Titulli i ligjit nr. 74/2020 nuk reflekton ndryshimin që bëhet përmes tij në ligjin bazë nr. 12/2018 “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme”, të ndryshuar.

Titulli i ligjit nr. 74/2020 është po njësoj si titulli i ligjit nr. 12/2018, pra “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme”, të ndryshuar, ndërkohë që ligji nr. 74/2020 nuk është një ligj i ri, siç lë të kuptohet titulli i tij.

Ligji nr. 74/2020, objekt shqyrtimi, është një ligj që bën vetëm një shtesë dhe një ndryshim. Është e tepërt të shpjegojmë se titulli i ligjeve ndryshuese duhet të tregojë faktin e ndryshimeve, duke përdorur fjalë të përshtatshme si fjalët “ndryshime”, ose “ndryshime dhe shtesa”.

2. Këto pasaktësi në anën formale të hartimit të ligjit, që rrezikojnë të sjellin dhe pasiguri në zbatim, vërehen dhe në shtimin në mënyrë të gabuar nga pikëpamja e teknikës legjislative, të pikës 3, të nenin 6, të ligjit bazë, përmes nenit 1 të ligjit nr. 74/2020.

Në nenin 6 të ligjit ekzistues, pika 3 është shfuqizuar me ndryshimet që janë bërë me ligjin nr. 20/2019.

Mjafton referimi në dokumentin që ka orientuar për vite me radhë procesin e hartimit të ligjeve, përgatitur nën asistencën e eksperteve të misionit “EURALIUS”, që kanë orientuar qartë edhe mbi teknikën legjislative, për të propozuar në mënyrë korrekte ndërhyrjet në një ligj ekzistues.

Konkretisht, kur ndryshohet një ligj që është ndryshuar më parë, hartuesi duhet të përfshijë dispozitat e reja në tekstin origjinal të ligjit ashtu siç ai rezulton nga ndryshimet e mëparshme dhe jo në tekstin e ligjit, ose ligjeve që kanë ndryshuar tekstin origjinal të ligjit. […]. Si rrjedhojë, numrat dhe shkronjat e një neni të shfuqizuar nuk duhet të përdoren tek nenet ndryshuese, përveçse kur i gjithë neni është ndryshuar .

Ndaj dhe shtesa duhet të ishte paraqitur si një pikë e re, në fund të nenit apo me fraksion të pikës pararendëse, sipas zgjedhjes së ligjvënësit.

Këto elemente janë tepër të rëndësishme, pasi jo vetëm që lidhen pandashmërisht me cilësinë e ligjeve, por shmangin konfuzionin që krijohet gjatë zbatimit të tij. Duke qenë se ligji bazë, apo dhe ndryshimet e tij më pas, kanë gjetur zbatim dhe krijuar pasoja për një periudhë të caktuar, zbatuesi i ligjit duhet të jetë në gjendje në të ardhmen të identifikojë si ka qenë legjislacioni i zbatueshëm.

Kjo nevojë për identifikimin e legjislacionit të zbatueshëm në periudha të caktuara kohore dhe përmbajtjes konkrete të tij, lidhet direkt me sigurinë juridike. Siguria juridike, si koncept kushtetues i trajtuar disa herë nga praktika e deritanishme e Gjykatës Kushtetuese, përfshin qartësinë, kuptueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e sistemit normativ .

3. Sipas nenit 1 të ligjit nr. 74/2020, parashikohet një shtesë në nenin 6 të ligjit bazë nr. 12/2018, ku konkretisht pas pikës 2, shtohet pika 3 me këtë përmbajtje:

“3. Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ushtron veprimtarinë paralelisht me Komisionin e Jashtëm të Vlerësimit.”.

3.1 Lidhur me përmbajtjen e shtesës së bërë në nenin 6, të ligjit nr. 12/2018, sipas relacionit shoqërues të nismën kjo shtesë justifikohet me nevojën se:

“Si ligji ekzistues ashtu dhe ndryshimi i tij, i cili rregulloi mirëfuksionimin e procesit të vlerësimit në vazhdimësi, ka një vakum ligjor, duke mosparashikuar shprehimisht në ligj, afatin apo kohën kur i lind e drejta SHÇBA-së për fillimin e procesit të vlerësimit për subjektet e përcaktuara në ligj. Në frymën e ligjit, ligjvënësi ka nënkuptuar që kjo e drejtë i lind pas mbarimit të veprimtarisë të Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit për subjektet e tij.”

Në fakt, asnjë dispozitë e ligjit bazë nga ana formale, nuk duket të ketë penguar që ky proces të vijonte paralelisht. Pasi nëse një fakt i tillë do të ekzistonte vërtet, kjo do të ishte evidentuar që në momentin e parë kur qeveria dhe Kuvendi, vlerësoi të ndërhynte në ligjin bazë në vitin 2019, moment ky kur Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat iu dha kompetenca për kryerjen e procesit të vlerësimit kalimtar.

Për më tepër që, në nenin 5 të ligjit nr. 12/2018, kur citohen organet e vlerësimit kalimtar, është e qartë se veprimtaria e tyre kryhej në mënyrë të pavarur nga njëra- tjetra, pikërisht prej ndarjes së subjekteve që vlerëson secili prej tyre.

E njëjta logjikë ndiqet dhe nga nenet 34 e vijues të ligjit nr. 12/2018, kur detajohet procedura e vlerësimit hap pas hapi dhe referohen organet e vlerësimit me lidhëzën “ose”.

Në këto kushte, ky saktësim që propozohet sot është në fakt një justifikim i mosvijimit të procesit deri më tani dhe shtesë e përdorur për të justifikuar gjithashtu ndryshimin që i bëhet afatit në nenin 2, të ligjit nr. 74/2020.

Pengesa që krijohet për mosvijimin e procesit paralelisht lidhet me varësinë që ka ecuria e procesit të vlerësimit nga Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit, që duhet të kryejë më parë vlerësimin e punonjësve në Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat.

3.2 Nga ana tjetër, nisur nga fakti që ky ndryshim që vjen brenda një viti, bën të nevojshëm që të ripërsërisim qëndrimin e mbajtur me Dekretin nr. 11175, datë 19.4.2019 të Presidentit të Republikës, me anë të së cilit është kthyer për rishqyrtim në Kuvend, ligji nr. 20/2019, “Për disa ndryshime në ligjin nr. 12/2018, ‘Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme’”.

Njësoj si ligji nr. 20/2019, edhe ky ligj cenon parimet dhe standardet e vendosura në ligjin bazë nr.12/2018. Vijojnë të mungojnë garancitë e nevojshme se një proces kaq i rëndësishëm si vlerësimi kalimtar i punonjësve të Policisë së Shtetit dhe të Gardës së Republikës, do të realizohet në kohën e duhur, me objektivitet dhe paanshmëri, duke bërë hapa pas në raport me standardet e ligjit në fuqi.

Ndërsa kompetencat e realizimit të procesit të vlerësimit kalimtar të forcave policore dhe atyre të Gardës së Republikës, u janë hequr komisioneve të pavarura teknike dhe do të ushtrohen nga ana e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, një organ ky në varësi të drejtpërdrejtë të autoritetit politik të Ministrit të Brendshëm, sjellim në vëmendjen tuaj atë që ju vetë keni cituar në relacionin shoqërues të nismës, sipas së cilit janë kryer vetëm 15 vlerësime subjektesh nga ana e Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit.

Po në realcion, citohet se: “SHÇBA-ja, nëpërmjet trupave të vlerësimit të vlerësuara me parë sipas një procedure me përparësi nga Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit, të kenë të drejtën e shprehur në ligj, të ushtrojnë veprimtarinë paralelisht me Komisionin e Jashtëm të Vlerësimit”.

Ky fakt krijon dyshime të theksuara për selektivitet dhe subjektivizëm në kryerjen e procesit të vlerësimit kalimtar nga ana e SHÇBA-së, pasi ky moment është i lidhur me faktin se sot dihet tashmë se cilët janë personat brenda kësaj strukture (SHÇBA) që kanë kaluar procesin e vlerësimit.

Pra përmes ndryshimeve të vitit 2019 dhe ndryshimeve që tentohen të realizohen me ligjin nr. 74/2020, jo vetëm që vlerësimi i një pjese i kalon për realizim jo të gjithë trupës së strukturës së SHÇBA-së, por vetëm një pjesë të vogël të saj që mund të ketë kaluar aktualisht procesin e vlerësimit. Kjo rrit edhe më shumë kontrollin politik të Ministrit të Brendshëm mbi këtë proces.

Jo vetëm që mungon transparenca mbi mënyrën se si janë përzgjedhur subjektet që kanë kaluar procesin e vlerësimit me përparësi, por rritet dhe mundësia që ky proces të ushtrohet nën ndikim politik, duke mos garantuar standardin e domosdoshëm për realizimin e këtij procesi me objektivitet, pavarësi dhe paanshmëri.

4. Me ndryshimin e propozuar përmes nenit 2, të ligjit nr. 74/2020, në nenin 13 të ligjit bazë, afati “brenda 1 viti nga data e hyrjes në fuqi të ligjit”, shfuqizohet. Kështu, veprimtaria e Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit që duhet të mbaronte në qershor 2020, hiqet dhe veprimtaria e këtij komisioni lihet pa asnjë afat përfundimi.

4.1 Një ndryshim i tillë është i papranueshëm për arsyet që do të shpjegohen më poshtë.

Edhe pse nisur nga ecuria aktuale, ka qenë i pamundur respektimi i afatit, ai mund të duhet të shtyhet, duke përcaktuar një afat objektiv, por kurrsesi të hiqet.

Sjellim në vëmendjen tuaj se, me ndryshimet e bëra përmes ligjit nr. 20/2019, është shfuqizuar neni 68 i ligjit nr. 12/2018, që parashikonte se: “Procesi i vlerësimit kalimtar të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat do të përfundojë brenda një periudhe prej 24 muajsh, nga dita e hyrjes në fuqi të këtij ligji.”

Ky ndryshim është vlerësuar i papranueshëm nga Presidenti i Republikës, i cili me Dekretin nr. 11175, datë 19.4.2019, këto ndryshime ligjore i ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend, duke argumentuar pikërisht këtë çështje.

Ndërsa tani, përmes ligjit nr. 74/2020, synohet të shfuqizohet edhe afati brenda të cilit duhet të përmbyllte veprimtarinë Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit, që objekt të punës së tij ka këto kategori funksionarësh:

a) drejtor dhe zëvendësdrejtor i përgjithshëm, drejtor departamenti, drejtor i Drejtorisë Qendrore, drejtor e zëvendësdrejtor vendor dhe shef komisariati, në Policinë e Shtetit;
b) komandant, zëvendëskomandant dhe kolonel në Gardën e Republikës;
c) punonjësit në Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat.

Ky shfuqizim i afatit, pa përcaktuar një afat të ri brenda të cilit duhet të përmbyllet vlerësimi kalimtar për kategorinë e drejtuesve të lartë në Policinë e Shtetit, në Gardën e Republikës dhe të punonjësve në Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, përveçse nuk është në përputhje me qëllimin e vetë ligjit që u miratua si nevojë e një reforme prioritare në Policinë e Shtetit, ngjan më shumë me një “favor” që u bëhet këtyre drejtuesve aktualë, për të mos kaluar në procesin e vetting- ut në këto momente, duke i kthyer ata automatikisht, të varur nga ky vullnet politik sot, dhe në shërbim të presionit politik nesër.

4.2 Nga praktika parlamentare, kjo nismë legjislative e propozuar nga Këshilli i Ministrave, nuk shoqërohet me asnjë analizë që të paktën të orientojë mbi afatin e nevojshëm për përmbylljen e procesit të vlerësimit kalimtar. Nga ana tjetër, nuk jepet asnjë e dhënë nëse kjo nismë për heqjen e afatit të vlerësimit kalimtar, është konsultuar, apo jo, ndërkohë që është miratuar me procedurë të përshpejtuar, pa argumentuar nevojën.

4.3 Në këtë pikë, sërish ripërsërisim qëndrimin e mbajtur në arsyet shoqëruese të Dekretit nr. 11175, datë 19.4.2019 të Presidentit të Republikës, me anë të të cilit është kthyer për rishqyrtim në Kuvend, ligji nr. 20/2019, sa i takon heqjes së detyrimit ligjor për të përfunduar procesin e vlerësimit kalimtar brenda një afati të caktuar.

Heqja e këtij afati krijon të gjitha premisat për mbajtjen nën presion të vazhduar të forcave policore, tashmë edhe të drejtuesve të lartë, nëpërmjet forcës ndëshkuese të mekanizmit të vlerësimit kalimtar (vetting-ut).

4.4 Veçanërisht kur vendi pritet t’iu nënshtrohet edhe zgjedhjeve të përgjithshme, forcimi i këtij presioni përmes vlerësimit kalimtar (vetting-ut), bëhet akoma më i dëmshëm dhe i rrezikshëm për garantimin e paanësisë së forcave policore e për pasojë, tepër shqetësues.

4.5 Zgjatja e këtij procesi me një afat të papërcaktuar, përveç se nuk përkon me nevojën e menjëhershme që ka shteti shqiptar për një Polici Shteti të kaluar në vetting dhe që të ketë kaluar procesin e vlerësimit kalimtar (vetting-ut), krijon një gjendje pasigurie të tejzgjatur për çdo punonjës subjekt i ligjit, referuar faktit nëse do ta kalojë apo jo procesin e vetting-ut.

4.6 Pikërisht, kjo gjendje pasigurie me afat të papërcaktuar e kombinuar edhe me faktin që struktura që do të duhet ta realizojë procesin e vetting-ut është SHÇBA-ja, një strukturë në varësi direkte të një funksionari politik, por mbi të gjitha, proces që duhet të zhvillohet direkt tashmë nga ajo trupë e ngushtë personash, që kanë kaluar procesin e vlerësimit kalimtar, ndikon drejtpërdrejt në rezultatet dhe punën e forcave policore, të cilat do të vihen nën një situatë edhe më të shtuar pasigurie dhe tensioni.

Kjo pasiguri e personelit policor është e pritshme dhe ka gjithë premisat që të keqpërdoret së tepërmi në situata të veçanta, sidomos përgjatë procesit zgjedhor.

4.7 Mospërcaktimi i kohës së mbylljes së procesit të vlerësimit kalimtar (vetting-ut), krijon terren që ky proces të përdoret si një mekanizëm ndëshkimor apo shantazhues për gjithë strukturën policore, çka mund të sjellë një situatë shqetësuese në këtë strukturë.

Konkretisht, mospërcaktimi i afatit se kur përfundon procesi “vetting” mund të sjellë:

a) Rrezikun e ndikimit dhe presionit të vazhduar ndaj veprimtarisë së përditshme të forcave policore;

b) Mund ta zgjasë kohën e qëndrimit brenda forcave policore të individëve që nuk e meritojnë të jenë pjesë e Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës dhe që për shkak të profilit të tyre, janë lehtësisht të shantazhueshëm.

Heqja tërësore e afatit se kur përfundon ky proces, bie në kundërshtim të hapur me interesin publik që ka vetë realizimi i tij, por gjithashtu edhe me respektimin e të drejtave të subjekteve që do t’i nënshtrohen atij.

4.8 Gjithashtu, përtej këtyre argumenteve të renditura më sipër, të njohura tashmë nga ana juaj pasi ju janë bërë me dije gjatë rishqyrtimit të ligjit nr. 20/2019, duhet të sjellim në vëmendjen tuaj edhe qëndrimin që ka mbajtur Komisioni Europian për Demokraci përmes Ligjit (Komisioni i Venecias) lidhur me procesin e rivlerësimit kalimtar në përgjithësi, për Shqipërinë.

Procesi i vlerësimit kalimtar, është një proces jo i zakonshëm, që duhet të kryhet për arsye madhore që lidhen me interesin publik dhe për këtë arsye, mund dhe duhet të jetë vetëm një proces rreptësisht i përkohshëm. Kjo ka qënë dhe ideja e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, dhe po kështu është shprehur edhe Komisioni i Venecias për këtë çështje.

Madje, Komisioni i Venecias, në datën 19 qershor 2020, në Opinionin e miratuar nr. 978/2020 për Shqipërinë “Mbi emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese”, si dhe në dy Opinionet e mëparshme për këtë çështje , ka ripërsëritur qëndrimin se:

“Procesi shumë radikal i verifikimit (“vlerësimi i kualifikimit”) i të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i krijuar posaçërisht mund të shihet si i përshtatshëm në kontekstin shqiptar, mbi bazën e supozimit – të përhapur gjerësisht – që niveli i korrupsionit në gjyqësorin shqiptar ishte jashtëzakonisht i lartë dhe kërkonte masa urgjente dhe radikale. […] Sidoqoftë, Komisioni këmbënguli që vettingu mund të ishte vetëm një masë e jashtëzakonshme dhe rreptësisht e përkohshme dhe Komisioni bëri një numër rekomandimesh në mbrojtje të këtij procesi. […] procesi i verifikimit duhej të ishte “rreptësisht i përkohshëm”, që të mos ndodhte që strukturat e vettingut të zëvendësonin organet e zakonshme kushtetuese. […] Sidoqoftë, për Komisionin është e qartë se procesi i vetting duhet të zhvillohet sa më shpejt që të jetë e mundur, por duke siguruar një shqyrtim të drejtë të secilit rast.”
Këto rekomandime të Komisionit të Venecias për Shqipërinë janë rekomandime që kanë trajtuar thelbin e një procesi të “rivlerësimit kalimtar”, ndaj vlejnë dhe duhet të gjejnë reflektim pa vonesë edhe në ligjin për vlerësimin kalimtar të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme.

Referuar sa më sipër, një ndryshim ligjor i pranueshëm mund të ishte shtyrja e realizimit të këtij procesi, deri në datën 31 dhjetor 2020.

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Shqipërisë!

Për të gjitha sa u parashtruan më sipër, në bindje të Kushtetutës dhe në zbatim të nenit 85, pika 1, të saj, kam vendosur kthimin për rishqyrtim të ligjit nr. 74/2020 “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme”, të ndryshuar.

Kuvendi i Shqipërisë duhet të reflektojë mbi këtë nismë, duke ndrequr jo vetëm gabimet që ka bërë nga ana formale në hartimin e saj, por edhe të rishikojë ndryshimin e propozuar mbi afatin e përfundimit të procesit të vlerësimit kalimtar, duke përcaktuar një afat të qartë, objektiv, që ndihmon në garantimin e një trupe policore me integritet dhe profesionale, dhe jo mbajtjen e kësaj trupe nën presion!

Sinqerisht

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit