Meta: Më shumë përpjekje nga institucionet për fëmijët jetimë

Mos i humb

Presidenca e Republikës së Shqipërisë në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë organizuan sot aktivitetin për prezantimin e nismës “Java e Fëmijëve Jetimë”.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta duke folur në këtë aktivitet, theksoi se fëmijët jetimë janë shtresa shoqërore më e ndjeshme e shoqërisë shqiptare.

“Ne i shprehim mirënjohjen të gjitha familjeve shqiptare që kanë hapur dyert e zemrës për të pritur e strehuar fëmijët jetimë, atyre organizatave humanitare të shoqërisë civile që kanë qenë dhe janë pranë fëmijëve pa mbështetje e kujdes prindëror. Këto ditë, ne po përjetojmë si një familje e madhe ditët e fëmijëve jetimë, po ndajmë me këtë kategori ndjenja dh emocione të forta njerëzore, prindërore, familjare dhe mbarë shoqërore. Varfëria është plagë e madhe sociale dhe përballë varfërisë shteti dhe mbarë shoqëria duhet të bëjnë përpjekje edhe më të mëdha”, ka theksuar presidenti i Shqipërisë, duke kërkuar më shumë përpjekje nga institucionet për përkujdesin ndaj fëmijëve jetimë.

Duke folur për uljen e nivelit të varfërisë dhe ngritjen e minimumit jetik, Meta tha se gjetja e rrugëve të reja për të ndihmuar individët, familjet dhe shtresat më të varfra duhet të jenë në krye të prioriteteve të gjithë politikave të institucioneve.

“Problemet ekonomike dhe papunësia, grindjet dhe dhuna në familje provokojnë çdo ditë divorce dhe krim, të cilat shkatërrojnë themelet e familjes. Shkatërrimi i familjes hedh në rrugë për fat të keq fëmijë jetimë. Jetimët bëhen viktimat e para dhe më të pafajshme të divorcit, dhunës dhe krimit në familje. Sa më e shëndetshme të jetë familja jonë, aq më pak jetimë do të kemi në shoqërinë tonë dhe aq më shumë fëmijë të lumtur do të rrisim në vendin tonë”, deklaroi presidenti Meta. Sipas tij, rritja e mbështetjes për nënat kryefamiljare, ulja e divorceve dhe akteve të dhunës e të krimit kërkojnë zgjidhje social-ekonomike, por edhe masa parandaluese dhe ligjore.

Në përfundim të aktivitetit, Meta dekoroi institucione dhe personalitete të ndryshme që kanë kontribuar në fushën humane, në ndihmë dhe përkujdesje të fëmijëve jetimë si dhe vizituan ekspozitën fotografike me titull: “Streha e Parë Vorfnore, 100 vjet , rrugëtim i humanizmit shqiptar”.

Në kuadër të “Javës së Fëmijëve Jetimë” do të organizohen aktivitete të ndryshme në datat 22-27 nëntor në ambientet e Presidencë së Shqipërisë, me synim sensibilizimin e institucioneve shtetërore dhe organizatave të shoqërisë civile për ndihmën dhe përkujdesjen ndaj fëmijëve jetimë. /Rtv islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit