Meta : Nevojë urgjente për strategji të re, masa mbrojtëse për personelin mjekësor

Mos i humb

Pas ndarjes nga jeta të doktor Hysni Shjakut, i cili ishte prekur nga koronavirusi, vjen një mesazh ngushëllimi nga presidenti Ilir Meta.

Ky i fundit teksa i ka shprehur ngushëllime familjes dhe kolegëve për humbjen, thekson se ritmet shqetësuese të shtimit të rasteve të qytetarëve të prekur nga COVID-19 dhe të numrit të viktimave, tregojnë se nevojitet urgjentisht një strategji e re.

Meta mes të tjerash ka bërë thirrje për rritjen e masave mbrojtëse për të gjithë mjekët, infermierët, sanitarët dhe personelin mbështetës, të cilët janë në vijën e parë të frontit.

MESAZHI I METËS
Ndarja nga jeta këtë mëngjes e Dr.Hysni Shkjaut, i cili për 40 vite u shërbeu me përkushtim dhe profesionalizëm qytetarëve të Pukës, është një tjetër humbje e madhe për sistemin tonë shëndetësor.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes së Dr.Shkjaut, kolegëve dhe mbarë komunitetit pukian!
Ritmet shqetësuese të shtimit të rasteve të qytetarëve të prekur nga COVID-19 dhe të numrit të viktimave, tregojnë se nevojitet urgjentisht një strategji e re, më efikase dhe transparente, për përballimin e pasojave të rënda të kësaj pandemie të rrezikshme, veçanërisht me afrimin e pikut të sezonit turistik.
Çdo neglizhencë e mëtejshme është jo vetëm e papranueshme, por edhe me kosto tepër të rënda për shëndetin dhe ekonominë.
Ndaj përsëris thirrjen e fortë për rëndësinë e rritjes së masave mbrojtëse për të gjithë mjekët, infermierët, sanitarët dhe personelin mbështetës, të cilët janë në vijën e parë të frontit, duke sakrifikuar, deri edhe me jetën e tyre, në mbrojtje të shëndetit të çdo qytetari.
Është tepër i domosdoshëm forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit midis autoriteteve qendrore dhe vendore, me qëllim izolimin e përhapjes së mëtejshme të këtyre rasteve dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve për respektimin e të gjitha udhëzimeve të bëra publike.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit