Minatorët kërcënojnë me grevë dhe protestë

Mos i humb

Ndryshimi i Ligjit për Trepçën, kthimi në pikën zero i draft-statutit të hartuar nga bordi i Trepçës, zgjidhja e kërkesave të minatorëve me ligj, si dhe një fizibilitet i ri për Trepçën. Janë katër kërkesat kryesore të punëtorëve të Trepçës që nëse këto nuk merren parasysh nga organet kompetente deri më 9 korrik, minatorët do të futen në grevë të përgjithshme ose do të protestojnë nëpër rrugë.

Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress kryetari i Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Trepçës, Shyqyri Sadiku.

“Gjendja aktuale në Trepçë nuk është e mirë për shkak.. të draft-statutit dhe kërkesave të minatorëve të cilat janë të arsyeshme…Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Komisioni Parlamentar kanë kërkuar afat dy javor që të japim mundësi që kërkesat dhe vërejtjet tona të shqyrtohen ose të futen në draft-statut…”, ka thënë Sadiku.

Ai po ashtu ka thënë se nëse ky afat skadon pa ndonjë përgjigje pozitive për ta, atëherë minatorët do të organizojnë grevë të përgjithshme ose protesta në rrugë.

“Nëse ky afat skadon dhe nuk ka përgjigje pozitive nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Komisioni Parlamentar, atëherë afati i fundit është 9 korrik 2018 ku janë të paralajmëruara greva të përgjithshme ose protesta në rrugë. Ne dje patëm edhe një takim, Sindikata së bashku me menaxhmentin e Trepçës, ku dolëm me një komunikatë të përbashkët me katër kërkesa, përkatësisht Ligji për Trepçën të kthehet prapa dhe të bëhet plotësim ndryshimi i atij Ligji, i cili nuk na jep hapësirë me i fut të gjitha kërkesat tona në draft, draft-statuti i hartuar nga bordi i Trepçës të kthehet në pikën zero, kërkesat e minatorëve të rregullohen me ligj dhe paralelisht me atë ligj dhe me statut të shkohet në një pako dhe të votohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, si dhe kërkesa e katërt është se fizibiliteti për Trepçën është i papranueshëm për neve dhe kemi kërkuar që të bëhet një fizibilitet i ri”, ka thënë Sadiku.

Ndryshe, punëtorët e Trepçës nën organizimin e Sindikatës së tyre patën mbajtur për dy ditë rresht grevë njëorëshe, përkatësisht më 18 dhe 19 qershor, duke kundërshtuar kështu draft statutin e Trepçës të nxjerrë nga Qeveria, me arsyetimin se nuk janë përfshirë vërejtjet dhe kërkesat e tyre./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit