Ministri Ademi shpalosi investimet në kulturë

Mos i humb

Ministri i Kulturës së Maqedonisë, Asaf Ademi, në një konferencë për mediat sot shpalosi projektet që janë realizuar gjatë vitit që po lëmë pas, duke u ndalur edhe tek planet që kanë për vitin 2019.

Ministri Ademi, në shpalosjen e projekteve të realizuara tha se gjatë vitit 2018 janë realizuar rreth dy mijë sosh, të mbështetura në konkurse vjetore të Ministrisë së Kulturës dhe sipas analizave të bëra, në të gjitha aktivitetet ka një shkallë të lartë të realizimit të programit të planifikuar.

Për sa i përket buxhetit që ka pasur në disponim gjatë vitit 2018, ministri Ademi tha se ai qenë rreth 3.6 miliardë denarë, nga të cilat për aktivitete në fushën e kulturës, 3.3 miliardë denarë.

Ndër investimet kapitale në vitin 2018, ai veçoi 928.7 milionë denarët e investuar, me të cilët dukshëm janë përmirësuar apo do të përmirësohen kushtet e punës të të punësuarve në institucionet kulturore, ku në fazën e avancuar të ndërtimit të objekteve, tha se janë objekti i ri i teatrit dhe bibliotekës në Tetovë, ndërtimi i Teatrit në Strumicë si dhe rikonstruktimi i objektit që e shfrytëzon Institucioni Nacional “Teatri Shqiptar”.

“Ndër projektet më të rëndësishme që kanë përfunduar plotësisht gjatë këtij viti janë: Rehabilitimi i kulmit të objektit që e shfrytëzon Teatri i Dramës – Shkup; rikonstruksioni i kulmit dhe rehabilitimi i foajesë hyrëse të objektit ekzistues të Teatrit në Prilep; Rindërtimi i konstruksionit të kulmit të Teatrit “Komedia” – Shkup; rehabilitimi dhe rinovimi i Institucionit Publik “Teatri i Fëmijëve dhe të Rriturve”; rikonstruksioni i objektit të Qendrës së Kulturës – Koçan; rindërtimi dhe rehabilitimi i hapësirës së Galerisë Çifte Hamam; rehabilitimi, riparimi dhe mirëmbajtja e vazhdueshme e objektit të Qendrës për Konservim – Gostivar dhe projekte të tjera”, tha Ademi.

Në kontekst të legjislacionit të Republikës së Maqedonisë, tha ai, do të theksoj se këtë vit kemi miratuar 6 ligje, 4 akte nënligjore për zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhës maqedonase si dhe dy vendime për themelimin e institucioneve të reja nacionale: “Ansambli i këngëve dhe valleve popullore shqiptare në Republikën e Maqedonisë” – Shkup dhe “Teatri i Gostivarit” – Gostivar.

Ademi informoi edhe rreth buxhetit, prioriteteve dhe aktiviteteve të Ministrisë së Kulturës për vitin 2019.

“Buxheti për vitin 2019 i Ministrisë së Kulturës, që tanimë u votua në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë arrin 3.1 miliardë denarë, më saktë 3,140,216,000 denarë. Buxheti i vetë ministrisë është 215 milionë denarë, ndërsa buxheti i përgjithshëm për financimin e veprimtarive të sferës së kulturës arrin 2.9 miliardë denarë”, tha ai.

Lidhur me projektet kapitale investuese, informoi Ademi, Ministria e Kulturës në vitin 2019 parashikon rikonstruktimin e objektit të Qendrës së Kulturës në Gostivar, të Teatrit në Kumanovë, të Teatrit në Prilep, të Qendrës së Kulturës në Koçan – faza e dytë. Parashikohet edhe rikonstruktimi i kulmit të pjesës së vjetër të Bibliotekës Nacionale në Shkup, rikonstruktimi dhe lëshimi në përdorim i Teatrit Shqiptar, ndërtimi i Teatrit dhe Bibliotekës në Tetovë – do të përfundojë faza e parë, ndërtimi i Teatrit të Vjetër në Strumicë dhe rikonstruktimi i objekteve tjera të sferës së kulturës.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit