Ministri izraelit i Mbrojtjes mohon bisedimet për armëpushim me Hamasin

Mos i humb

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Avigdor Lieberman, nuk do të përkrahë një armëpushim me Hamasin. Reagimi i tij është një kundërpërgjigje ndaj pretendimeve se një armëpushim është i mundshëm së shpejti.

E përditshmja izraelite Yedioth Ahronoth publikoi një lajm në të cilin shkruan se Lieberman ka bërë komentet gjatë një takimi me zyrtarët lokal në jug të Izraelit, më saktësisht në afërsi të kufirit me Rripin e Gazës.

“Nuk jam i përfshirë në këtë marrëveshje”, ka thënë ai, për të shtuar se Hamasi është një organizatë terroriste e përkushtuar për shkatërrimin e Izraelit. “Mendoj se nuk kemi shumë për të biseduar”, ka shtuar ai.

Paralelisht me këtë deklaratë, ka reaguar edhe zëdhënësi i Hamasit, Hazem Qasem, sipas të cilit tubimet që po organizohen në Gaza do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, “pasi paraqesin një përpjekje të popullit për të arritur qëllimet”.

Protestuesit kërkojnë të drejtën për kthim në vatrat e tyre në Palestinën historike nga ku u dëbuan në vitin 1948, për t’i bërë hapësirë krijimit të shtetit të Izraelit.

Ata kërkojnë edhe fundin e bllokadës 11 vjeçare të Izraelit mbi Rripin e Gazës, e cila ka dobësuar dukshëm ekonominë në këtë enklavë bregdetare, duke privuar dy milionë banorët e saj nga shumë mallra bazë.

Që nga fillimi i protestave në Gaza më 30 mars, janë vrarë mbi 170 protestues palestinezë, si dhe mijëra të tjerë janë plagosur./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit