Ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut prezanton qendrën Global SOS

Mos i humb

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov, bashkë me kreun e Drejtorisë për të drejtën ndërkombëtare dhe punë konsullore, Lutfi Spahiu, kanë prezantuar qendrën Global SOS me të cilin u ofrohet ndihmë shtetasve të Maqedonisë së Veriut që ndodhen jashtë vendit.

Ministri Dimitrov theksoi se nevoja për një aplikacion të këtillë vjen nga problemet me të cilat hasen qytetarët gjatë kontaktimit për të pasur qasje më të lehtë në informatat e nevojshme. Ai sqaroi se është formuar një grup për situata emergjente i cili kontaktohet nëpërmjet një linje telefonike që është në shërbim edhe në aplikacionet Viber dhe WhatsApp.

“Mendoj se kjo është aktuale në periudhën pikërisht të këtyre muajve të verës kur qytetarët shkojnë në pushime e kështu me radhë dhe ballafaqohen më shumë me këto lloje të sfidave”, tha Dimitrov.

Drejtori Spahiu tha se në bazë të analizave të tyre, është konstatuar se qytetarët nuk kanë kontakt me Ministrinë e Jashtme apo me përfaqësitë diplomatike-konsullore, duke theksuar se është vendosur që në faqen e internetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të ketë një pjesë të quajtur Global SOS, ku do të shfaqen numrat e telefonëve të ministrisë dhe të përfaqësive diplomatike-konsullore.

“Në vendin ku do të gjejnë numrin e qendrës Global SOS, aty janë edhe numrat kujdestarë të çdo përfaqësie diplomatike të Republikës së Maqedonisë (së Veriut), që menjëherë të jenë të shërbyer apo të paktën të drejtohen në institucionin përkatës apo menjëherë t’u ofrohet mbrojtja konsullore”, tha Spahiu.

Ai tha se përfaqësitë diplomatike janë në shërbim të përhershëm 24/7 ndaj qytetarëve, duke shtuar se numri i Ministrisë së Punëve të Jashtme është në shërbim nga ora 08:00 deri në ora 22:00.

Spahiu tha se kjo qendër është paraparë të punojë për rastet emergjente, siç janë humbja e pasaportës apo në rast se shtetasi sulmohet fizikisht, por sipas të dhënave të deritanishme, ai tha se 80 për qind e thirrjeve janë për situata të zakonshme. Megjithatë, Spahiu tha se deri më tani janë shërbyer të gjithë qytetarët të cilët kanë kontaktuar Ministrinë e Jashtme apo përfaqësitë diplomatike.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit