Ministrja e Drejtësisë e Shqipërisë, Etilda Gjonaj, gjatë raportimit në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në Kuvendin e Shqipërisë, në lidhje me rekomandimet në luftën kundër kriminalitetit gjatë vitit 2017 është ndalur në problematikat e hasura mbi mënyrën e zbatimit të tyre nga Prokuroria e Përgjithshme.
Gjonaj tha se Prokuroria tashmë funksion si një organ i decentralizuar duke garantuar mbarëvajtjen e funksionimit të veprimtarisë së saj nëpërmjet respektimit të pavarësisë së brendshme të prokurorëve në ushtrimin e ndjekjes penale.
Për sa i përket luftës kundër korrupsionit, në zbatimin nga Prokuroria e Përgjithshme të rekomandimeve nga Qeveria e Shqipërisë, ministrja Gjonaj është ndalur në problematikat e evidentuara për zbatimin e këtyre rekomandimeve, ku sipas saj janë disa.
“Bashkëpunimi i Prokurorisë me institucionet e tjera ligjzbatuese në ndjekjen penale të korrupsionit, shkëmbimi i informacionit dhe koordinimi i veprimeve hetimore, në vlerësimin e Ministrisë së Drejtësisë, bazuar edhe në raportin e katër ministreve të tjera, ka qenë i njëjtë, por jo i kënaqshëm. Roli aktiv i prokurores sidomos në drejtim të rritjes së numrit të hetimeve proaktive vazhdon të mbetet i ulët. Lidhur me cilësinë e hetimeve, sidomos të rasteve të zyrtarëve të lartë publik, duke përdorur metoda speciale të hetimit, Ministria e Drejtësisë vlerëson se edhe përgjatë vitit 2017 organi i prokurorisë ka vijuar të ketë pak ndjekje të suksesshme, ose dënime për korrupsion të nivelit të lartë, konstatim i bërë ky edhe nga raportet e partnerëve”, tha Gjonaj.
Për hetimet sistematike dhe rritjen e aseteve të konfiskuara në rastet e korrupsionit, Ministrja e Drejtësisë e Shqipërisë vlerëson se mbetet i ulur numri i rasteve të dërguara për gjykim.
Në luftën kundër krimit të organizuar sipas Gjonajt rezulton se bashkëpunimi i prokurorisë me institucione e tjera ligjzbatuese, nuk ka qenë në nivelet më të mira, duke sjellë sipas saj që edhe puna e përbashkët hetimore të mos plotësoje nevojat për një rritje cilësore të luftës kundër krimit.
Rekomandimet e miratuara nga Këshilli i Ministrave i Shqipërisë synojnë marrjen e masave për të garantuar parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, rritjen dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të të drejtave të njeriut.