Mustafa: Nuk bashkëpunojmë me koalicionin për dialog

Mos i humb

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se bashkëpunimi për dialog me Serbinë, nuk mund të bëhet duke akuzuar LDK-në se po lufton për pushtet.

Përmes një postimi në Facebook, Mustafa ka theksuar se LDK nuk bashkëpunon me këtë koalicion në procesin dialogut, sepse nuk i beson.

Si asnjëherë më parë Mustafa është treguar i ashpër me koalicionin qeverisës PAN, por nuk ka hezituar të drejtojë akuza edhe ndaj Vetëvendosjes.

Ai më tej ka ftuar partitë politike që të shkojnë në zgjedhje, e pastaj të flasin për dialog.

” LDK ju fton: ejani të matemi në zgjedhje, i respektojmë rregullat, pastaj rreshtohemi për dialog me një qeveri të shumicës, me përfshirje të gjerë dhe platformë që merr besimin e 2/3 të deputetëve të Kuvendit”, ka shkruar Mustafa.

Postimi i plotë:

Bashkëpunimi për dialog me Serbinë nuk mund të bëhet duke e akuzuar LDK-në se po lufton për pushtet dhe kolltukë.

Në fakt oreksi për pushtet dhe zhveshja nga çdo normë e përgjegjësisë e PDK-së dhe Kryetarit të saj me organizimin e mocionit të mosbesimit së bashku me ata që e kallën Kosovën për dy vjet me radhë, që na gjuajtën me vezë, me gaz lotsjellës, me shishe mollotovi, që na sulmuan shtëpitë dhe familjet, e sollën vendin në këtë gjendje ku jemi. Pa një mazhorancë qeverisëse, me një qeveri e cila çdo ditë merr vendime (të mëdha) skandaloze mbi vendimet skandaloze të ditës paraprake.

Kryetari i PDK-së dhe zëvendësi i tij krekoseshin dhe vazhdojnë të krekosen se e rrëzuan qeverinë e drejtuar nga LKD, ku ishin edhe vetë, sepse nuk kishte guxim të merr vendime të mëdha. Ne u themi atyre sot, urdhëroni ju dhe merrni vendime të mëdha, nëse mundeni!

Për LDK-në problemi nuk qëndron as te pushteti as te kolltukët kur është fjala te temat me interes të vendit. Deputetët tanë e votuan marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi. E votuan për interes të qytetarëve, jo për merita të koalicionit qeverisës. Sepse krejt Kosova e di se kush e pengoi demarkacionin dhe liberalizimin e vizave. E penguan me kauza të rrejshme dhe veprime të dhunshme ata që sot qeverisin me vendin.

LDK nuk bashkëpunon me këtë koalicion në procesin dialogut, sepse nuk i beson. Ne e themi qartë se nuk ikim nga përgjegjësia jonë për vendin, por rrjedhimisht nuk ndajmë përgjegjësi me ata që u treguan të papërgjegjshëm. As nuk bëjmë marrëveshje me njerëz, të cilëve nuk iu besojmë.

LDK, dhe unë si kryetar i saj, do të dëshironim që të ekzistonte një nyje e besimit ndërmjet forcave politike në Kosovë. Pa besim reciprok nuk ecin temat e mëdha.

LDK ju fton: ejani të matemi në zgjedhje, i respektojmë rregullat, pastaj rreshtohemi për dialog me një qeveri të shumicës, me përfshirje të gjerë dhe platformë që merr besimin e 2/3 të deputetëve të Kuvendit./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit