Naser Osmani mohon t’i ketë tejkaluar kompetencat e tij në rastin e privatizimit të fabrikës “FAN”

Mos i humb

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Naser Osmani, ka mohuar se ai i ka tejkaluar kompetencat e tij, në kohën sa ka qenë zëvendës kryetar i bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).
Deputeti Osmani, bashkë me anëtarët e tjerë të bordit të kësaj agjencie, akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, lidhur me privatizimin e fabrikës “FAN”, në Podujevë.

Bashkë me Osmanin, për të njëjtën vepër penale, akuzohen edhe Melita Ymeraga, Shkëlzen Lluka, Naim Avdiu, Agron Kamberi, Adrian Kelmendi e Agim Deshishku.

Në seancën e se premtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Osmani është përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të tij, avokatit Besnik Berisha, lidhur me privatizimin e fabrikës “FAN”, në Podujevë.

“Sipas prokurorisë në aktakuzën kundër jush thuhet se në datën 20 janar 2012, ju nuk i keni përmbushur detyrat zyrtare dhe keni tejkaluar kompetencat zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë për vete apo personin tjetër, a mundesh me na tregu çfarë detyre tjetër ke mund ta ushtrosh ti më20 janar 2012, përcaktuar me ligj, çfarë kompetence se ke përmbush?”, ka qenë pyetja e avokatit Berisha, për klientin e tij, Osmani.

“Unë e kam përmbush të drejtën time ligjore për të dhënë një mendim për çështjen në fjalë duke marr parasysh të gjitha rrethanat”, është përgjigjur Osmani, duke shtuar se asnjëherë nuk i ka tejkaluar kompetencat e tij.

“Sipas prokurorisë nuk është dashur me i liru këto asete, por është dashur të shqiptoni ndëshkime financiare dhe kthimin e aksioneve, si bord në mandatin tuaj a keni pasur të drejtë ta bëni në gjë të tillë?”, ka qenë pyetja e radhës e avokatit Berisha.

“Sipas opinionit ligjor të avokatëve të angazhuar anglezë për të sqaruar bordin lidhur me kompetencat që kanë të bëjnë me ndëshkime financiare, ajo konsulencë që e kanë angazhuar avokatin David Shasha për të bërë interpretimin e kontratës me ‘spin off special’ ndërmjet AKM-së dhe ndërmarrjes dhe e njëjta është e lidhur në bazë të ligjeve angleze, interpretimi i konsulencës është që Kosova nuk ka ligje që të zbatojnë këtë kontratë për ndëshkime financiare”, është përgjigjur Osmani.

Ai ka thënë se gjashtë anëtarë të bordit, kanë votuar për lirim nga monitorimi për këtë fabrikë, përveç Haxhi Arifit, i cili ka qenë edhe kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK).

“Kështu ka qenë sepse zotëri Arifi gjithmonë ka abstenuar ose votuar kundër në çdo rast për shkak të pozitës së tij si sindikalist ndaj punëtorëve”, ka thënë Osmani.

Ai ka shtuar se lirimi nga monitorimi i kësaj fabrike nga AKP-ja, ishte përkrahur edhe nga përfaqësuesja e Ambasadës së SHBA-së, në Prishtinë.

Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Berisha, Osmani ka deklaruar se kërkesën për lirim nga monitorimi për këtë ndërmarrje e ka paraqitur drejtori menaxhues, Shkëlzen Lluka dhe për kësaj, sipas tij, ka shprehur përkrahje edhe përfaqësuesja e ambasadës amerikane.

Ai është përgjigjur edhe lidhur me pretendimet e prokurorisë se Osmani ka ndikuar te anëtarët e tjerë në këtë rast.

“Unë kam thënë që secili anëtar e ka mendimin e vet, nëse ka ndonjë dyshim tjetër unë nuk di të komunikoj në gjuhën angleze drejtpërdrejt sa i përket anëtarëve ndërkombëtar që të ndikoj te të njëjtit në vendimmarrje”, ka thënë tutje Osmani.

Ai ka thënë se ka qenë kërkesë e blerësit që të lirohet nga monitorimi pas gjashtë viteve me disa fakte dhe argumente të reja për të cilat ai kishte njoftuar bordin.

“Bordi ka diskutuar lidhur me njohjen e këtyre investimeve, në veçanti gjatë diskutimit arsyetimi duke shpresuar se lirimi do të ndikojë në zhvillimin e ndërmarrjes dhe ekonomisë në përgjithësi dhe t’i lihet mundësi më kreative blerësit që të zhvillojë ndërmarrjen e saj. Ne kemi diskutuar dhe vendosur që të njihen investimet e reja. Me këto investime përmbushej 100% kontrata sipas marrëveshjes dhe secili anëtar i bordit ka votuar. Votimi është i pavarur në bord dhe secili ka votuar në mënyrë të pavarur. Votimi i bordit bëhet në mënyrë të hapur, që në këtë rast nga 7 sa kanë qenë prezent, 6 kanë votuar pro dhe 1 ka votuar kundër me arsyetimin për pakënaqësi të disa punëtorëve në këtë ndërmarrje shoqërore, por i njëjti është pajtuar dhe ka përkrahur sa i përket çështjes së investimeve”, ka thënë tutje Osmani.

Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Berisha, nëse gjatë marrjes së këtij vendimi ka pasur ndonjë dokumentacion në mbështetje të kërkesës së blerësit për lirim nga monitorimi, ai ka thënë se sa i kujtohet ka qenë kërkesa e blerësit me dokumente përcjellëse dhe këtë dokument, sipas tij, e ka prezantuar drejtori menaxhues, Shkelzen Lluka.

Osmani ka thënë se gjatë këtij procesi ka pasur vëzhgues nga Zyra Ndërlidhëse e Këshillit të Evropës, ndërsa ka munguar donatori tjetër.

“Sipas procesverbalit në shkresa të lëndës, rezulton se pasi zotëri Lluka e ka elaboruar kërkesën dhe dokumentacionin e dorëzuar nga blerësi fjalën e ka marr zotëri Orman, kush është ky?”, ka pyetur avokati Berisha. “Ka qenë anëtar i bordit dhe i njëjti ka qenë i deleguar nga Zyra e Bashkimit Evropian”, është përgjigjur Osmani.

“Sipas këtij procesverbali, thuhet se zotëri Orman pyeti nëse ne i pranojmë investimet sipas kërkesave të blerësit, se nga zotimet e përgjithshme të investimit mund të plotësohen, nëse kjo i plotëson investimet e zotuara, ai do ta përkrahte kërkesën e blerësit dhe do ta favorizonte mundësinë për ta liruar atë nga monitorimi i mëtutjeshëm i AKP-së?”, ka qenë pyetja e radhës e avokatit Berisha, derisa Osmani është përgjigjur se kështu ka qenë deklarata e tij edhe në atë procesverbal.

Sipas tij, ky vendim është përkrahur nga vendorë dhe ndërkombëtarë dhe se sipas tij, ai nuk ishte apeluar ndonjëherë në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme.

Seanca ndaj tij dhe të tjerëve është duke vazhduar.

Ndryshe, rasti  kundër  Naser  Osmanit  kishte  filluar  sipas  kallëzimit  penal  të  parashtruar  nga Policia e Kosovës më 28 prill 2014.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 30 prill 2014, kishte marr aktvendim për fillimin e hetimeve, kurse kjo Prokurori më 16 shkurt 2016, kishte ngritur aktakuzë kundër deputetit Naser Osmani, nënkryetar i Bordit të Drejtorëve të AKP-së, Bahri Shabani, Shkëlzen Lluka, Naim Avdiu, Melita Ymeraga, Agron Kamberi, Adrian Kelmendi, Agim Deshishku, të gjithë zyrtarë në AKP.

Sipas aktakuzës së ngritur nga ana e PSRK-së, të akuzuarit Naser Osmani, si nënkryetar i Bordit të Drejtorëve të AKP-së, Bahri Shabani si drejtori i Bordit të AKP-së, Shkelzen Lluka si menaxher i AKP-së, Naim Avdiu si zv/drejtor menaxhues i AKP-së dhe Melita Ymeraga, Ardian  Kelmendi,  Agron  Kamberaj, si  kryesues  të  Njësisë  së  Monitorimit në AKP në bashkëpunim me zyrtarët e tjerë si anëtarë ndërkombëtarë të AKP-së: Lisa  Brodey, Mohammed Omran dhe Hubert Ërsmann, i kanë kaluar kompetencat zyrtare me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë për vete ose për personin tjetër, në vlerë prej 5,400,000,00 euro.

Ata akuzohen se kanë shkelur të drejtat e punëtorëve të kësaj ndërmarrje, me çka njëkohësisht i kanë shkaktuar dëm Ndërmarrjes Shoqërore “FAN” e përfaqësuar nga AKP-ja si dhe buxhetit të shtetit, lidhur me çështjen e Ndërmarrjes së Re “FAN-Podujevë”. Kjo e fundit, ishte privatizuar në valën e 7-të të shitjes nga AKM-ja, ku ishte  blerë  me  çmim  prej  2,310,000  euro  nga  blerësi, që më pas i akuzuari Agim  Deshishku, sipas kontratës së nënshkruar me zotimet e fituara të bëjë investime në vlerë prej 2,800,000 euro dhe të punësojë 236 punëtorë gjatë periudhës dy vjeçare.

Në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 4 prill 2016, pas leximit të aktakuzës nga prokurori special  Admir  Shala, të pandehurit Naser  Osmani dhe Bahri Shabani, nuk u deklaruan lidhur me fajësinë apo pafajësinë e tyre, me arsyetimin se prezent duhet të jenë të gjithë anëtarët e bordit.  Shqyrtimi i dytë lidhur me këtë rast ishte caktuar të mbahej më 6 maj 2016, por e njëjtë ishte shtyrë. Që nga 6 maji 2016, e deri në fund të shkurtit 2017 nuk është mbajtur asnjë seancë tjetër lidhur me këtë rast.

Kjo aktakuzë, tani, do të përfaqësohet nga prokurorja speciale Fikrije Fejzullahu, pasi ish-prokurori special, Admir Shala, është zgjedhur kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prizren./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit