“Ndikimi më i madh i Mevlanas në Ballkan është në përhapjen e Islamit”

Mos i humb

Ligjëruesi në Universitetin Shtetëror të Tetovës, Prof. Dr. Metin Izeti, thotë se ndikimi më i madh në Ballkan i Xhelaledin Rumiut, poetit, mistikut dhe dijetarit islam të njohur edhe si Mevlana, është në përhapjen e fesë islame.

Me rastin e javës së Mevlanas, në të cilën zhvillohen aktivitete të ndryshme në vende të ndryshme të botës për përkujtimin e veprës së tij, në intervistë për Anadolu Agency (AA), Izeti thekson se periudha kur ka jetuar Mevlana ka qenë periudhë e begatë dhe e frytshme në aspektin e shkencës islame dhe spiritualitetit.

Ai shprehet se në atë periudhë, në Andaluzi dhe Anadoll po përjetohej një kohë problematike në aspektin politik, duke shtuar se po në këtë periudhë u shfaqën personalitete që lanë gjurmë të mëdha në botën islame në aspektin shpirtëror dhe shkencor.

Siç thotë Izeti, brenga e vetme e Mevlanas ishte afrimi me Allahun, ndërsa edhe çështja themelore dhe kriteri i mësimeve, mendimeve dhe besimeve të tij ishin afrimi dhe dashuria ndaj Allahut.

Duke theksuar se në librat e Mevlanas si Mesnevi, Divan-ul Kebir dhe Fihi Mafih trajtohen shumë dimensione të tij, Izeti thotë: “Në fakt, Mesneviu është si një kopsht lulesh, ka fikh, akaid, filozofi, letërsi, metaforë, retorikë, e natyrisht, sherbeti që i ka përgatitur këto është tasavufi islam (sufizmi). Mevlana është një nga prijësit tanë në tasavufin islam dhe ka një botëkuptim sufist në qendër të mësimeve të tij”.

Izeti thotë se çdo gjë që ekziston në qendër të mësimeve të çdo mendimtari serioz, gjenden edhe mësimet e Mevlanas, duke shtuar se në librat e Mevlanas trajtohet mënyra e afrimit me Allahun.

Sipas tij, në mësimet e Mevlanas shtjellohet edhe respekti dhe dashuria për Profetin Muhamet.

“Ai shpjegon Hakikat-i Muhamedijen (E vërteta e Muhamedit), e cila koncentrohet në personalitetin e profetit tonë. Sepse, Hakikat-i Muhamedije dhe personaliteti fizik i Profetit tonë janë dy gjëra të ndryshme. Hakikat-i Muhamedije vazhdon deri më sot. Ngërthen botëkuptimin e shoqërisë së periudhës së profetit. Shokët e profetit, tabiinët (gjenerata më pas), ehli bejti (familja e Profetit), pra, të gjitha këto janë në qendër të mësimeve të tij”, thotë Izeti.

“Ndikimi më i madh i Mevlanas në Ballkan është në përhapjen e Islamit”

Siç thotë ai, Mevlana synonte që nejriu të ecë vertikalisht brenda vetes për të arritur tek Allahu, ndërkohë që në librat e tij ka metodologji specifike.

Izeti thotë se kohëve të fundit, Mevlana analizohet vetëm me anën e cila kënaq botëkuptimin modern të njerëzve, duke shprehur shqetësime për këtë gjë.

“Mevlana nuk është person që flet vetëm për tolerancën dhe dashurinë. Ai është një personalitet që falte pesë kohët e namazit, jepte zekatin, agjëronte, shkonte në haxh, që shkrihej për Profetin. Megjithatë, dhe, krahas kësaj, natyrisht, ekziston edhe dimensioni i dashurisë dhe tolerancës”, vë në dukje Izeti.

Ashtu si në çdo vend të botës, thotë Izeti, edhe në Ballkan Mevlana ka pasur ndikim, ndërsa islami në botëkuptimin islam është sjellë në Ballkan duke u përgatitur me sherbetin e tasavufit.

Duke rikujtuar se deklaratat se “Islamin në Ballkan e kanë sjellë vetëm sufitë” janë të gabuara, Izeti shprehet se në përgjithësi, ato janë të koncentruara përreth botëkuptimit sufist, duke shtuar se të gjithë popujve në rajon, Islami u është sjellur i plotë, me dashurinë që ngërthen, bukursjelljen (edep), kulturën dhe estetikën.

“Ndikimi më i madh i Mevlanas në Ballkan është në përhapjen e Islamit”, thotë Izeti.

Ai tha se teqe të tarikatit Mevlevi, pasuesve të Mevlanas, kishte në qytete të Ballkanit si Shkup, Sarajevë, Elbasan, Beograd dhe Nish.

“Ata që morën nga bukursjellja e Mevlanas në këtë rajon, atë bukursjellje e bartën në këtë rajon”, thekson Izeti, duke thënë se edhe letrarët shqiptarë kanë shkruajtur shumë poezi të frymëzuar nga botëkuptimi i bukursjelljes i Mevlanas.

“Për shembull, një nga poetët më të fuqishëm të letërsisë shqipe është Naim bej Frashëri, vëllai i Sami Frashërit. Naim bej Frashëri ka një poezi me titullin ‘Fyelli’, e cila është e njëjta me ‘Ney-in’ që gjendet në 18 dyvargëshat e parë të Mevlanas. Pra, aty flitet për insan-i Kamil (përkryerjen e njeriut), për ankesën e njeriut nga ndarja me atdheun e tij esencial. Përpos kësaj, edhe në veprat e tjera të Naimit është e njëjta. Për shembull, ai ka një poezi për dashurinë (ashk) të shkruar në gjuhën greke. Është edhe vepra ‘Tejhyjylat’ (Ëndërrimet) të shkruar në gjuhën perse, ku ndikim të madh ka Mevlana. Edhe në poezitë e shkruara në gjuhën shqipe gjatë periudhës osmane, Mevlana ka ndikim të madh”, shpjegon Metin Izeti.

Sipas tij, tradita e buruar nga Mesneviu në Ballkan ka zgjatur brenda një periudhe të caktuar. Ai thotë se në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Maqedoni janë zhvilluar takime dhe biseda fetare (sohbet) për Mesneviun.

“Në qendër të mësimeve të Mevlanës gjendet njeriu universal”

Metin Izeti tregon se në qendër të mësimeve, besimeve, bukursjelljes, disiplinës dhe njohjes shpirtërore të Mevlanas nuk gjendet njeriu i kohës dhe hapësirës.

“Ajo që është në qendër është njeriu universal, insan-i kamil (njeriu që ka arritur përkryerjen). Nëse e themi me gjuhën e filozofisë, është njeriu primordial, pra, njeriu që nuk ka fillim dhe fund. Është njeriu që në çdo kohë do ta bëjë të perceptueshme praninë e tij. Kjo nuk është çështje që i përket vetëm botës islame. Edhe në perëndim, Nietzsche është përpjekur që në plan të parë ta nxjerrë konceptin e ‘super njeriut’, jo në kuptimin e ‘supermenit’ që ne njohim, por në atë të njeriut që e ka arritur përsosmërinë brenda një periudhe. Këtë e shohim si të tillë në aspektin historik, por edhe si proces në të cilin njeriu zhvillon veten. Mevlana nxori në plan të parë tiparet e nevojshme që duhet t’i ketë njeriu universal, ndërsa këto ende lexohen sot”, vlerëson Izeti.

Ndikimi i Mevlanas, thotë Izeti, shihet te Paulo Coelho, Umberto Eco, Marquez, si dhe te shumë letrarë të kohës sonë apo letrarë që zbukuruan shekullin 20 dhe 21.

Ai tregon se ndikimi i Mevlanas është i pranishëm edhe në art, duke theksuar se këngëtarja me famë botërore Madonna, para tre-katër viteve përdori fjalë të Mesneviut në një këngë të saj.

“Ndikimin e Mevlanas mund ta shohim nga një cep në cepin tjetër. Temat e rrahura në Mesneviun e Mevlanas janë forma e shpjegimit më e afërt me popullin e temave të rrahura në Futuhat el-Mekije të Muhjidin Arabiut. Këto i shohim edhe në kinematografinë e sotit. Për shembull, nëse shikoni tematikën e filmit Matrix, aty flitet për dimensionin e dytë, një botë të dytë. Në tasavuf, ne këtë e quajmë ‘Alemi Misal’, pra flitet për një botë imagjinate. Edhe në te Kryezoti i Unazave flitet për ngjarje aspak reale, jofizike dhe të pavërteta të cilat mund të shfaqen në ëndrrat e njeriut. Kjo gjë në këtë formë ndikohet nga letërsia”, shprehet Izeti.

Sipas Izetit, muslimanët nuk janë duke e jetuar tërësinë e fesë që e kishte Mevlana, duke shtuar se Mevlana ishte burim frymëzimi si për muslimanët, ashtu edhe për jomuslimanët.

Izeti thotë se kontributi më i rëndësishëm për paqen në botë mund të realizohet nëse zhvillohet doktrina dhe botëkuptimi i Mevlanas për kuptimin dhe përshkrimin e njerëzve dhe se njeriu i ditëve të sotme ka shumë gjëra për të mësuar nga Mevlana.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit