“Në Shqipëri do të vendoset një regjim i ri në spitale”

Mos i humb

Gjatë një ceremonie është inauguruar sot urgjenca e re e Shërbimit të Sëmundjeve Infektive në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) në Tiranë.

Pjesë e aktivitetit përveç punonjësve të këtij spitali ishin edhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Republikës së Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, si dhe përfaqësues nga institucionet e tjera shëndetësore të vendit.

Ministrja Manastirliu në një deklaratë për mediat theksoi se do të vendoset një regjim i ri në spitale, duke siguruar mbështetje për personelin shëndetësor.

“Ky nuk është vetëm një investim në infrastrukturë, por siguron edhe ekzaminimin dhe trajtimin e plotë të pacientëve brenda kësaj strukture. Me këtë investim, dyfishohen kapacitetet pritëse të urgjencës së infektivit me standarde bashkëkohore, duke garantuar një përgjigje më të mirë në kohë, por edhe me cilësi, në rastet e urgjencave infektive dhe duke siguruar kushte më të mira pune për stafin mjekësor”, u shpreh Manastirliu.

Ajo theksoi se po investojnë për përmirësimin e infrastrukturës shëndetësore dhe në pajisje mjekësore të teknologjisë së lartë.

“Nuk mund të tolerohet më që mjekët të mos lejohen të bëjnë punën e tyre, ndaj do të vendosim një regjim të ri në spitale, ku nuk do të lejohen familjarët në urgjenca, përveç rasteve kur kërkohet nga mjeku. Gjej rastin të bëj një apel, një lutje për qytetarët, të mirëkuptojnë personelin mjekësor”, tha ministrja Manastirliu.

Investimi i realizuar nga bashkëpunimi i institucioneve shqiptare me donatorë të ndryshëm në urgjencën e re të Shërbimit të Sëmundjeve Infektive përfshin integrimin e qendrës së imazherisë brenda kësaj urgjence, si dhe i siguron më shumë mundësi stafit mjekësor të japin ndihmën e nevojshme për pacientët.

Urgjenca e re e shërbimit infektiv ka një kapacitet prej 15 shtretërish, nga 6 që kishte shërbimi i mëparshëm dhe u shërben rreth 40.000 pacientëve në vit.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit