Nënshkruhet kalendari i përbashkët kulturor mes Kosovës dhe Shqipërisë

Mos i humb

Ministri i Kulturës i Kosovës, Kujtim Gashi dhe homologia e tij nga Shqipëria, Mirela Kumbaro-Furxhi, në qytetin e Prizrenit kanë nënshkruar kalendarin e përbashkët kulturor mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.

Ministri Gashi sot në Prizren priti në takim ministren Furxhi, ku morën pjesë edhe delegacionet e të dy shteteve. Takimi u zhvillua i mbyllur për media.

Pas këtij takimi në ambientet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u zhvillua ceremonia e nënshkrimit të Kalendarit të përbashkët kulturor në mes të dy shteteve.

Në një fjalim rasti, ministrja Furxhi tha se ky është viti i pestë që si ministre e Kulturës së Shqipërisë e nënshkruan këtë kalendar. Ajo tha se ky është një formalizim i një bashkëpunimi dhe komunikimi kulturor në mes të dy shteteve. Ministrja Furxhi theksoi se ky kalendar është bërë nga drejtuesit e institucioneve dhe specialistët e kulturës.

Duke e vlerësuar kulturën si një hapësirë të hapur pa kufi, Furxhi tha se, “Kufijtë janë administrativ, neve të kulturës nuk na shqetësojnë. Në konceptin tim kultura është si lumentjë, lumenjtë kur kalojnë vijën e ujit nga një vend në tjetrin nuk pyesin nëse ka kufi dhe as s’kanë pasaportë për të treguar”.

Ajo me këtë rast foli për aktivitete të fushave të ndryshme që mund të realizohen në bashkëpunim të dy shteteve si në atë të teatrit, operas, baletit, kinemasë e të ekspozitave, raporton aa.

Ndërsa ministri Gashi tha se kjo marrëveshje e kalendarit vjetor hap rrugë të reja për bashkëpunim në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, veçanërisht në institucionet e kulturës.

“Të gjitha institucionet e kulturës, por duke përfshirë edhe ato të trashëgimisë do të kenë aktivitete të përbashkëta edhe në Kosovë edhe në Shqipëri. Deri më tani ju e dini se ka pasur aktivitete edhe në Kosovë edhe në Shqipëri, ka pasur qoftë shfaqje nga teatri, qoftë ekspozita të ndryshme, por qoftë edhe aktivitete të cilat artistët i kanë bërë individualisht dhe po mendoj që ky është një moment ku dy institucionet tona marrin përgjegjësi”, tha ai./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit