“Nevojitet forcimi i bashkëpunimit ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë”

Mos i humb

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka pritur në një takim të enjten kryetarin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Nikolin Jaka dhe përfaqësuesin e Unionit të Prodhuesve të Shqipërisë, Arben Shkodra, me të cilët ka biseduar për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Rukiqi tha se kjo është vizita e parë që një delegacion nga jashtë ja bën kryesisë së re të Odës Ekonomike të Kosovës, me çka dërgohet mesazhi se orientimi kryesor është bashkëpunimi me Shqipërinë.

Ai shtoi më tej se bashkëpunimi i deritanishëm i dy odave ka qenë inferior, meqë nismat rajonale duhet të kenë një mbështetje nga marrëveshje konkrete mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“Si gjithmonë, bizneset u paraprijnë shumë proceseve, dhe si rrjedhojë edhe të atyre në relacion Kosovë-Shqipëri”, tha ai.

Rukiqi theksoi se është dakorduar një fushatë e përbashkët “Blej Shqip”, ku përveç aktiviteteve për tejkalimin e pengesave administrative, duhet të punohet edhe në ndërtimin e besimit në produktet vendore, si tek blerësit, njëjtë edhe tek bizneset.

Nikolin Jaka tha se në takimin në të cilin kanë qenë të pranishëm përfaqësues të shumtë të bizneseve kosovare, është diskutuar për problematikat të cilat janë të shumta, për çka është dakorduar një platformë bashkëpunimi.

“Ka shumë probleme, por jo të pazgjidhshme. Ky është një moment që edhe në kuadër të integrimeve të Ballkanit Perëndimor të fillojmë me integrimin Shqipëri-Kosovë, si një integrim ekonomik kombëtar, në mënyrë që të jemi në shërbim të qytetarëve dhe sipërmarrësve tanë”, tha Jaka.

Ai shprehu besimin e tij se qeveritë do fillojnë të zgjidhin problemet e sipërmarrësve, ndërkohë që Arben Shkodra u kërkoi qeverive të jetë ndihmuese, duke mos ndërhyrë gjatë importit të produkteve nga Shqipëria në Kosovë dhe anasjelltas./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit