Nga Ermir HOXHA: Kriza, rrënjët e absurdit që kanë sjellë absurdin!

28
0

Sapo shumica në KQZ vendosi mosnjohjen e aktit të presidentit Meta mbi ç’dekretimin e zgjedhjeve, opozita PD-LSI, ithtarë të saj e anti-edramistë të thekur, vrushulluan e shkumëzuan me deklarata e komente mbi absurdin e këtij vendimi. Po, mund të kenë të drejtë. Juridikisht mund të jetë siç thonë ata, dhe ta marrim të mirëqenë që ashtu është, një absurd.

Por anashkalohet një fakt thelbësor në këtë gjykim, ai që ky asburd është efekti zinxhiror e një sërë asburdesh, e që kanë për bazë absurdin fillestar: djegien e mandateve.

Dhe ajo pjesë që e ka quajtur si normal këtë akt, ndërkohë që është një absurd, nuk pranon efektet zinxhir që sjellë ky asburd. Janë efekte politike të ndërthurura me ato juridike. Pse është absurd djegia e mandateve? Sepse ti zgjedh të dalësh jashtë sistemi, por jo të shkosh në mal për të luftuar por zgjedh të luftosh me vetë sistemin, për t’u  rifutur sërish në sistem, ama jo me rrugën normale që ofron sistemi, por me atë që zgjedh ti e që nuk ka lidhje me sistemin.

Nëse djegia e mandateve do ishte diçka normale,  nuk do ndodhte që në mbi një shekull sistem demokracie bazuar në pluralitet e votë, të kishte vetëm një precedent djegie mandatesh, siç ai në Italinë e viteve ’30. Kjo nuk do thotë se demokracia ka funksionuar perfekt, por kjo do të thotë se dhe aty ku nuk ka funksionuar, ka patur anti-corpe dhe mekanizma që janë vetërregulluar.

Që mos qëndrojmë vetëm në teori, mjafton praktika “Rama” në kushte opozite, ku në dy raste persekutimi elektoral të pretenduar, ka shfaqur një limit reagues dhe në fund e ka gjetur shpëtimin te vet sistemi, edhe pse përballë kishte një mit negativ, një të bërë gogol zgjedhjesh, Berishën vet; ajo ishte vota.

Dhe jo djegia e mandateve por vota si finale, është precedenti më i përhapur në demokraci, që edhe pse ka 100 probleme, ofron 101 mekanizma për evitimin e tyre.

Cenohet pluraliteti dhe për rrjedhojë demokracia nga mungesa e opozitës në zgjedhje? Nuk është e vërtetë. Eshtë i vërtetë vetëm aksidenti demokratik që krijohet. Dhe dihet që kudo e në çdo kohë, ka aksidente që prishin normalitetin e diçkaje. Ajo nuk është opozita një dhe një e vetme, ajo është opozita PD-LSI, sigurisht klasike dhe potente politikisht, por që ka vepruar në liri zgjedhjeje dhe po brenda kësaj lirie çdokush mund të bëjë opozitën.

Absurdi i radhës është se pasi ka djegur mandatet, ka dalë jashtë sistemit, thënë ndryshe ka goditur sistemin, vepron me mënyra anti-sistem për të mos e lënë sistemin të funksionojë pa të. Dhe e gjitha kjo skemë veprimi absurd, ka në sfond absurde si valëvitje flamujsh të Perëndimit me Perëndimin kundër dhe duke sulmuar Perëndimin, si dhe për sllogan “të qënit si Europa”, duke i ofruar Europës një precedent që nesër mund të jetë një fitil ndezës i rrëzimit të sistemit demokratik, ku vihet në pushtet nëpërmjet rregullave të sistemit  duke qenë brenda sistemit.

Absurdi tjetër është arsyeja se përse u dogjën mandatet. Në të gjithë arsyetimet e PD-LSI (ok PD, po LSI çfarë ka, kush ia ka cenuar votën, të drejtat?), ka mishmash akuzash, që variojnë nga ato klasiket të kësaj partie, të parafabrikuara këtu e 20 e kusur vite, sa herë ndodhet në opozitë, te ato mbi abuzimin me votën.

Shfrytëzuar një përgjim nga Prokuroria, qartazi i përdorur politikisht, ka ngritur me të kauzën e zgjedhjeve të cenuara, me kredon për të qenë të lira, e që si kusht kanë largimin e Ramës. E vulos vetë “blerjen e votës” pa verdikt drejtësie duke bërë vetë prokurorin e gjykatësin, gjë që nuk ja lejon sistemi – kujtojmë verdiktin për video-përgjimin Meta-Prifti që ndodhi si ndodhi, u dha si u dha, e riktheu Metën në poste – e më pas parashtron kushte të tilla të tipit “edhe akullore, edhe çokollatë”, pra edhe të ikë Rama, edhe të ketë zgjedhje të parakohshme.

Të paktën të kishte vetëm njërën dhe është legjitime ta ketë. Të paktën të kërkonte dorëheqjen morale të Dakos, edhe kjo do ishte plotësisht legjitime. Jo, sepse dhe me ndërgjegje ka zgjedhur rrugën e absurdit. Hapi i parë: dil jashtë sistemit. Dhe çdo të ndodhë më pas sikur të rifitojë pushtetin me këtë formë? Nuk do lejojë rivalin politik t’i veprojë jashtë sistemit. Por kjo pasi tashmë është në pushtet. E bën këtë? E bën patjetër. E ka bërë dhe e bën. PD është e tillë në letra. Ajo në fakt është një parti që reflekton psiqikën, moralin e deformuar të Berishës, në detaj e frymë; ajo reflekton absurdin që në ngjizje të kësaj force: një komunist afro gjysëmshekullor si kohë përqafimi idelogjik, merr drejtimin e një partie demokratike(!!!).  Dhe çfarë është sot trashëgimia politiko-morale e Berishës: ajo dy ose më shumë standarteve për çdo rast e për çdo gjë.

Ndaj sot kemi rënë edhe si shoqëri në një viciozitet absurd, sepse politika vetë është absurd i gjallë me gjithë ç’prodhon, në rastin konkret ajo PD-LSI. Vështrojeni me kujdes se ç’ngjizje është: partia simbol e erës demokratike të Shqipërisë, një vitrinë e vizionit perëndimor mbi të ardhmen, përcjellëse e idealeve studentore, një përbashkuese e afshit rinor, intelektual e qytetar, pas afro 30 vitesh ekzistencë, ka për aleat LSI-në e Meta-Kryemadhit, tumorin malinj të politikës shqiptare, dhe për më tepër gjendet në luftë me Perëndimin, investitorin kryesor që e solli dy herë në pushtet, që e mbështeti dhe për një mandat tjetër 2009-2013, e që ia lejoi t’ja merrte kaçakshe Edi Ramës, Bashkinë e Tiranës në 2011-ën.

Për t’ju kthyer dhe njëherë qerthullimit absurd, pse u zgjodh asburdi si kartë politike nga dyshja PD-LSI? Ka diçka të natyrshme në këtë mes: Sepse janë forca që vetëushqehen me absurd dhe mbahen nga absurdi. Ato nuk e njohin normalitetin demokratik, as në synime e as në praktika. E si të tilla nuk kanë asnjë mundësi të marrin pushtet në normalitet. Shikojuani ligjërimin se ç’dramë që e kanë, se ç’marrëzi, se ç’fyeje është për intelektin njerëzor. Nga njëra anë një patetizëm i gjallë, naiv sa më s’ka, një dogmatizëm i dalë boje që nuk merr në konsideratë as intelektin më minimal njerëzor, e nga ana tjetër një egërshani deri dhe me tendenca mizore, kur “tërheqja zvarrë” e kundërshtarit serviret si opsion normal. Përballë tyre, një Edi Rama me një 1001 probleme në qeverisje, ku nga koha e ku nga ai, ndoshta dhe i denjë për t’u larguar, por që në planin politik, atyre si forca nuk u ka bërë ndonjë padrejtësi.

Nëse ai do ishte mishërimi i së keqes, siç ata e trajtojnë, dhe ende nuk është e qartë, në raport me sjelljen ndaj tyre apo në raport me cilësinë qeverisëse, pse nuk e përdorin këtë si aset elektoral përballë votuesit në kushte normale, por zgjedhin rrugën e absurdit duke i dhënë goditje sistemit me dalje jashtë sistemit? E ka dhe kjo një përgjigje: zgjedhjet lokale 2011 dhe 2017, të parat si aleancë, të dytat si tregues.

Në dy rastet, është konstatuar një realitet elektoral që ka thyer mitin LSI-së garant pushteti në shifra. As bashkë, PD dhe LSI nuk e mundin dot Ramën. Nëse do kishte qenë e kundërta, nuk do zgjidhej rruga e absurdit, ajo e daljes jashtë sistemit.

Po pse nuk mundin dot Ramën? Në fakt, ata jo thjesht nuk mundin dot Ramën, por nuk bindin dot. Nuk bindin dot pasi nuk janë model ofertues. Nuk e kanë në natyrë, në frymë, në profil, në mendim, në ndjenjë. Ata janë, maksimumi, shkumëzues pa pushtet dhe pallëbërës në pushtet. Ata realisht nuk dijnë të gabojnë, pasi nuk tentojnë të bëjnë asgjë. Ata janë thjesht janë gabim që në ngjizje. /tesheshi.com/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here