Nga Ermir HOXHA: Opozita PD-LSI, në kërkim të një standarti moral!

Mos i humb

Nuk është ndonjë gjë e vështirë të hartosh një set akuzash ndaj qeverisjes, madje është gjë më e lehtë dhe më komode. Në kuptimin universal të fjalës, kjo mund të ndodhë me çdo qeverisje në botë a kohë të ndryshme, ku ndaj saj, publiku apo opozita politike, natyrshmërisht nuk mund të jenë të kënaqura. Kjo e dyta, aspak. Ndryshe nuk do quhej opozitë. Por ajo që bën diferencën në këtë përballje ç’prej kur lindi pushteti janë “rregullat e lojës”, etika e kundërshtisë, të cilin sistemi demokratik e ka ravijëzuar e strukturuar nëpërmjet disa rregullave.

Në kushtet e Shqipërisë, gjithnjë pushteti është një djall me brirë. Me pak diferenca etike mes dy kahjeve, ky është një regjistër fiks qasjeje. Në këtë rast, opozita vetëndihet si ëngjëll, e mbi këtë status nis abuzimi, që me fjalorin e më pas me aktet.

Për të qenë më konkretë, opozita aktuale në Shqipëri, e prirë nga dyshja PD-LSI, përfaqsuar nga figurat e Bashës e Kryemadhit, kanë tejkaluar çdo imagjinatë të një lufte politike normale. Ekstremizimi i tyre sakaq, i nxjerr ato pa limite morale. Dhe kjo është pika ku ata investohen më pak, a më saktë aspak, duke vijuar ta ushqejnë atë që është sëmundja më e rëndë e politikës shqiptare: amoralitetin.

Ndër të tjera, kjo është dhe pika më e dobët, pse jo, dështimi më i madh i modelit Rama në qeverisje. Deri më sot, ç’prej 6 vitesh që qeveris, Rama nuk ka ofruar ende një moralitet të ndjeshëm, të prekshëm, inspirues e shpresëndjellës për shoqërinë. Shteti i tij, më shumë se shtet, shihet si një mega-hajdut, ku më pa maska e pa doreza janë tatimorët.

Ky moralitet i munguar, mund të testohet fare mirë te biznesi, te sipërmarrja. Të gjithë shfryjnë, të gjithë janë të murrëtyer nga ajo që po ndodh: një asfiksi totale prej një shteti në trajtë bande që u “rri në pritë”.

Po opozita ç’ofron në këtë aspekt?

Edhe amoraliteti i saj është ulëritës. Duke i mëshuar vetëm qëllimit e jo formës – ikja e Ramës dhe ardhja e saj në pushtet, duke injoruar tërësisht llojin e rrugës së ndjekur drejt këtij synimi – dyshja Basha-Kryemadhi po e thellojnë më shumë depresionin shoqëror, pikërisht nga mungesa e frikshme e një kartë morale edhe të tyren individualisht. Që të dy, kanë një CV pa asnjë shkëlqim në politikë për aq kohë sa janë prezentë në të. Madje Basha dhe me shumë dritëhije prej skandaleve të përfolura. E pos kësaj, mënyra e zgjedhur e të bërit opozitë, është një vetëdenoncim që ata i bëjnë mungesës së një ashti moral.

Do mjaftonte vetëm shkelja e një rregulli etik në politikë që ata e bëjnë me një lehtësi të papërballueshme: si alternativë qeverisëse ndërmarrin akte anti-shtet me elementë anarkikë, gjë e palejuar nga rregullat demokratike. E këtë e bëjnë duke u shfaqur të përvëluar për demokracinë e cenuar nga qeveria e vepruar në emër të saj.

Pas protestave të shoqëruara me episode force e performanca alla “jelekverdhë” në përballje me ligjin, tashmë kanë paralajmëruar edhe bllokim rrugësh. Pa iu futur aspektit politik të qajses, ku qartazi shfaqet prirja për destabilitet me patjetër, pas një dështimi të skemës së djegies së mandateve plus protesta, gjë që mund t’i japë një tjetër goditje nga gjykimi i opinionit – nuk ka gjasë t’i bësh njerëzit për vete me bllokim rrugësh, sado ta urrejnë qeverinë, gjersa janë në timon e jo mes bllokuesve – kjo formë e propozuar së fundi në forumet e tyre është një tjetër shfaqje e amoralitetit politik. Më e pakta, ajo nuk merr në konsideratë asnjë ndjesi sociale dhe çon drejt themelimit të dy-standartit në politikë me krijimin e precedentëve të palejueshëm në regullat dhe etikën politike.

Sepse, pyetja që vjen pas gjithë kësaj mënyre të të bërit opozitë, që nga gjuha e deri te aktet, është: mbi ç’të drejtë, shtetërore e morale, do veprojë në kushte pushteti përballë një opozite, e cila krejt lehtësisht, siç e ka në natyrshmërinë e saj, do ngrejë akuzë pas akuzë ndaj pushtetit që ajo përfaqëson?

Pos kësaj, opozita PD-LSI flet e sillet duke imponuar një amnezi kolektive – pra, një harresë mbi të djeshmen e tyre në qeverisje. Ata sillen si rishtarë në politikë, pa asnjë vetëkritikë të thellë mbi të djeshmen e tyre, asnjë reflektim bindës e të përkorë, duke e konfirmuar këtë hon amoraliteti me egërshaninë e tyre në etjen për pushtet. Një pushtet të cilin e kërkojnë jo nga ajo çfarë ofrojnë, e cila është e gjithë në tre fraza të thëna tangentalisht në raport me qindra akuza të ngulura si thikë në trupin e qeverisjes, por dhe elektoratit, çdo ditë, orë e çast. Ndërkohë, vetë ribashkimi PD-LSI, është një amoralitet uluritës. Mos harrojmë se, edhe pse aleanca PS-LSI e rilidhur me një 1 maj 2013 ishte një shah politik, në terma moralë qe një goditje për PS-në, pasojat e së cilës ajo po vuan edhe sot. Pikërisht këtë moralitet nuk na jep dot opozita. Por çfarë na jep atëherë kur s’na jep kryesoren?

Dy gjëra e rrëzojnë Ramën: moraliteti dhe aftësia shumëplanëshe për të drejtuar një shtet. Në cilën prej tyre shkëlqen dyshja Basha-Kryemadhi? /tesheshi.com/       

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit