Nga Kosova, ministri i Jashtëm hungarez: Azili i Gruevskit, çështje ligjore

Mos i humb

Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Péter Szijjártó thotë se shteti i tij do ta trajtojë kërkesën e ish-kryeministrit të Maqedonisë, Nikola Gruevski, për azil politik, si çështje ligjore dhe jo politike.

Në një konferencë për shtyp në Prishtinë, me ministrin e Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli, Szijjártó ka thënë se autoritetet do ta trajtojnë këtë çështje bazuar në ligjin ndërkombëtar.

“Mund t’iu them një gjë: Ne do ta shikojmë këtë çëshjtje në aspektin ligjor dhe jo politik. Autoritetet tona përkatëse, autoritetet e Emigracionit do t’i kryejnë procedurat bazuar në ligjin ndërkombëtar, e do të shohim rezultatet”, tha Péter Szijjártó, ministër i Jashtëm hungarez.

Ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski u arratis të martën drejt Hungarisë, vend në të cilin ka kërkuar azil politik. Autoritetet e Maqedonisë janë në kërkim të tij, pasi ai është dënuar me dy vite burg për shpërdorim detyre.

Largimi i tij nga Maqedonia ka ndezur debate, me mediet serbe që kanë raportuar se ai është arratisur përmes Tiranës. Sipas versionit të tyre, Gruevski ka kaluar kufirin maqedonas-shqiptar me pasaportë të rreme, e më pas është larguar me avion drejt Budapestit.

Autoritetet në Shkup thanë më herët se Gruevski nuk kishte kaluar në kufi, duke çuar në aludime se ai mund të ketë përdorur një pasaportë bullgare, gjë që u hodh poshtë nga Sofja. Ndërkohë, policia shqiptare thotë se nga Rinasi nuk ka dalë asnjë person me emrin Nikol Gruevski.

Ambasada hungareze në Tiranë, e kontaktuar nga Top Channel refuzoi të jepte komente për një çështje që, siç tha ajo, është në zhvillim, pavarësisht pretendimeve se Gruevski është strehuar atje për një natë.

Ndërkohë, presioni mbi Budapestin për të ekstraduar Gruevskin është i madh, si nga opozita, ashtu edhe nga qarqet e BE-së. Sipas tyre, Gruevski nuk po largohet nga një vend i përfshirë nga konflikti dhe nuk është i përndjekur, thjesht po përpiqet të evitojë dënimin. Nuk ka munguar as reagimi i Departamentit amerikan të Shtetit, sipas të cilit ish-kryeministri maqedonas duhet të vuajë dënimin me burg në vendin e tij./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit