“Nga sot Maqedonia dhe BeH vetëm me letërnjoftime”

Mos i humb

Kryeministri i Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev dhe kryesuesi i Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës (BeH), Denis Zvizdiç, deklaruan se nga sot qytetarëve të Maqedonisë dhe BeH-së do t’u lehtësohet lëvizja për kalimin e kufijve në të dy vendet vetëm me letërnjoftime.

Kryesuesi Zvizdiç, i cili është duke udhëhequr një delegacion të Këshillit të Ministrave të BeH-së, u prit me pritje solemne nga kryeministri Zaev para ndërtesës së Qeverisë, ndërsa delegacionet e të dy vendeve nënshkruan edhe bashkëpunim në fushën e arsimit dhe në atë të politikës së jashtme.

“Qytetarët e Maqedonisë do të hyjnë vetëm me letërnjoftime në BeH dhe qytetarët e BeH-së do të hyjnë vetëm me letërnjoftime në Maqedoni. Kjo tashmë është një praktikë që Maqedonia e ka krijuar me Serbinë dhe Shqipërinë ndërsa nga sot ajo vlen edhe për udhëtimet në BeH”, deklaroi kryeministri Zaev.

Zaev bëri të ditur se ky është hap i dytë konkret për lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve të të dy vendeve, i cili vijon pas marrëveshjes tashmë të nënshkruar për njohjen e ndërsjellë të patent shoferëve.

Kryeministri maqedonas shtoi se në të ardhmen Maqedonia dhe BeH do të intensifikojnë bashkëpunimin edhe në fusha të tjera, të tilla si në fushën e bujqësisë, turizmit, ndërtimtarisë si dhe në fushën e mbrojtjes dhe policisë.

“Sot Maqedonia dhe BeH dërguan edhe një mesazh të fuqishëm se në mënyrë serioze i jemi përkushtuar në zhvillimin e marrëdhënieve miqësore në fqinjësi dhe në një rajoni të bashkuar të drejtuar nga perspektivat europiane”, u shpreh Zaev.

Ndërkaq, kryesuesi Zvizdiç, tha se për të paraqet kënaqësi që është në vizitë në Republikën e Maqedonisë duke theksuar se takimet e tilla dërgojnë mesazhe të mira për tërë rajonin por edhe për Bashkimin Europian (BE) drejt së cilës aspirojnë të dyja vendet.

Zvizdiç tha se BeH dhe Maqedonia ndoshta janë vendet më të ngjashme në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe për shkak të kësaj, siç theksoi, shumë mirë merren vesh, kanë karakteristika të njëjta, janë vende të cilat kanë trashëgimi të pasur natyrore dhe kulturo-historike, vende në të cilat jetojnë më shumë popuj, më shumë religjione, vende me multikulturë të cilat tregojnë se religjionet e ndryshme dhe kombe mund t’i tejkalojnë problemet e së tanishmes dhe të bëjnë një plan për progres, përparim dhe lëvizje drejt atyre qëllimeve të cilat për ne janë të rëndësishme.

“Ballafaqohemi edhe me shumë probleme të ngjashme politike dhe ekonomike. Ajo që është me rëndësi për Republikën e Maqedonisë dhe BeH-së është se kemi një qëllim të njëjtë, qëllim kryesor, ndërsa ajo është lëvizja drejt BE-së e cila ende mbetet më e rëndësishme, emëruesi i përbashkët më i vogël për të gjitha vendet nga Ballkani Perëndimor dhe qëllim i cili paraqet kornizë për veprimin tonë të përbashkët”, tha Zvizdiç.

“Esenca ose përmbajtja e qëllimit është shumë i thjeshtë, ne duam paqe dhe prosperitet ekonomik për shtetet tona. Duam paqe dhe siguri për rajonin tonë. Duam të krijojmë ambient në të cilin potencialet tona natyrore dhe njerëzore ti vendosim në funksion të zhvillimit ekonomik dhe rritjes së standardit jetësor, duam ti mbajmë të rinjtë në shtetin tonë dhe sa më parë të jemi pjesë e sistemit ekonomik europian dhe të sigurisë”, tha Zvizdiç.

Ai theksoi se ndërmjet BeH-së dhe Maqedonisë nuk ekzistojnë kurrfarë problemesh dhe se marrëdhëniet dypalëshe janë në nivel të lartë të bashkëpunimit dhe mirëkuptimit, për çka theksoi se dëshmojnë edhe marrëveshjet e nënshkruara sot.

Duke iu referuar marrëveshjes së kalimit të kufijve me letërnjoftime, Zvizdiç tha se me këtë marrëveshje praktikisht është rrumbullakuar ideja e rajonit të Ballkanit Perëndimor pothuajse me kapacitet të plotë.

“Atë që ne po flasim është veçanërisht i rëndësishëm për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik, që është rreth 150 milionë euro në vit, por duke marrë parasysh zhvillimet ekonomike në vitet e fundit dhe industritë tona, ofrojmë hapësirë për rritjen e vëllimit të tregtisë së jashtme dhe bashëpunimt ekonomik”, tha Zvizdiç.

Ai poashtu vuri në dukje se një nga mangësitë më të mëdha në Ballkanin Perëndimor dhe në përgjithësi mundësitë për t’u zhvilluar bashkëpunimi ekonomik është transporti dhe infrastruktura dixhitale. Në atë kontest, ai tha se nga hapat për një lidhje më të mirë rajonale është linja ajrore që pritet të lidh Shkupin dhe Sarajevën, ndërsa me atë edhe qytetarët e të dy vendeve.

Zvizdiç shprehu shpresën se linja ajrore Shkup-Sarajevë do të jetë funksionale në fillim të sezonit të verës, duke shtuar se në këtë linjë ajrore duan të përfshihet edhe Mali i Zi.

Më pas, kryeministri Zaev dhe kryesuesi Zvizdiç, të cilëve iu bashkangjit edhe kryeministri bullgar, Boyko Borisov, u përfshin në “Marshin e të Gjallëve”, duke ecur deri para përmendores së 7.144 hebrenjve nga Maqedonia në Kombinatin e Duhanit, që mbahet në kuadër të shënimit të 75-vjetorit të holokaustit të hebrenjve nga Maqedonia./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit