Nga taksa te Rruga e Kombit e deri te mini-shengeni Ballkanik/ Lëvizja Vetëvendosje rendit 16 kërkesat për Bashkim Kombëtar

Mos i humb

Më 28 nëntor, në ditën e Pavarësisë, Lëvizja Vetëvendosje në Tiranë do të organizojë një marshim për Bashkim Kombëtar

Bëhet me dije se marshimi do të nisë nga monumenti i Skënderbeut e deri tek shtatorja e Adem Jasharit.

Me anë të një njoftimi zyrtar, Lëvizja Vetëvendosje Qendra në Tiranë ka renditur edhe 16 kërkesat dhe motivet e marshimit, mes të cilave është heqja e taksës së rrugës së Kombit dhe gjithashtu kundër Shengenit të Ballkanit Perëndimor.

Njoftimi i plotë i Lëvizjes Vetëvendosje Qendra Tiranë:

Kërkesa që na bashkojnë në marshimin e 28 Nëntorit

Bashkim i kauzave me hapa drejt integrimit kombëtar

Bashkimi i tregut me Kosovën, jo mini-Schengen që na fut në sferën e Serbisë

Prodhimi është punë dhe zhvillim. Prodhuesit tanë janë në vështirësi të mëdha, u duhet treg, u duhet mbrojtje. Bashkimi doganor i Shqipërisë me Kosovën, u jep treg e u jep mbrojtje. “Mini-Schengeni Shqipëri – Maqedoni e Veriut – Serbi” dhe zgjerimi i tij me vende të tjera i lë prodhuesit vendas të zbuluar përballë konkurrencës së pandershme me praktika ilegale si dampingu. Në nivel politik, “mini-Schengeni” i minon përpjekjet e Kosovës për reciprocitet me Serbinë, e cila vazhdon të shfaqë politika agresive ndaj shqiptarëve, e përçan politikën e jashtme të dy republikave shqiptare dhe e shton ndikimin e Beogradit te Tirana zyrtare.

Treg i unifikuar energjetik Shqipëri-Kosovë, jo import me çmime të shtrenjta

Energjinë e blejmë shtrenjtë, sepse e importojmë me çmime e në kohëra të papërshtatshme kur mbetemi keq. Shqipëria me hidrocentralet dhe Kosova me termocentralet plotësojnë kushtet për një sistem të plotë energjetik. Marrëveshja për treg të unifikuar energjetik, ul koston e energjisë për qytetarët dhe na pavarëson nga importi.

Respektim i të drejtës për arsim, e jo nëpërkëmbje e studentëve dhe degradim sistemi

Dy republikat shqiptare nuk mund ta zhvillojnë kombin pa siguruar të drejtën në arsim publik cilësor e falas në të gjitha nivelet. Studentët në Shqipëri e Kosovë janë ngritur për të drejtat e tyre që mbeten ende të parealizuara. Kushtet e mësimdhënies dhe konvikteve nuk i plotësojnë standardet. Drejtues dhe pedagogë të pakualifikuar etë punësuar partiakisht pengojnë zhvillimin e mëtejshëm të cilësisë. Qarkullimi i studentëve dhe pedagogë Shqipëri-Kosovë e anasjelltas ka pësuar regres të madh, e kundërta është zgjidhje optimale.

Duhen masa urgjente, reformë strukturore, që dy republikat do mund ta kryenin më mirë të koordinuara me njëra-tjetrën. Shkolla ka për detyrë t’u mësojë nxënësve dije, kulturë, shkencë e moral, por edhe histori e identitet. Nxënësit shqiptarë duhet të njohin trojet ku u formua e jeton kombi ynë në kuptimin e historisë e gjeografisë. Ndaj plotësimi i ndërsjellë kurrikular është i domosdoshëm. Ai duhet plotësuar nga vizitat edukative në Shqipëri, Kosovë e troje, që duhet të jenë pjesë e kalendarit mësimor.

Heqja e taksës në rrugën e kombit, jo pasurim i oligarkisë

Taksa e “Rrugës së Kombit” është paguar dy herë nga qytetarët e Republikës së Shqipërisë. Taksa e re është e padrejtë dhe shumë e shtrenjtë. Fitimet e kësaj takse po u shkojnë atyre milionerëve që trau në rrugë u koncesionohet si monopol në kurriz të shumicës së shqiptarëve. Kjo rrugë nuk është zakonshme, ajo i shërben interesit strategjik kombëtar. Prandaj dhe shteti do duhej të kujdesej për mirëmbajtjen e saj.

Politika të përbashkëta për zhvillim, jo thellimi i pabarazisë me PPP

Kosova e Shqipëria kanë minerale, naftë e burime të tjera. Ato janë pasuri e gjithë kombit. Përdorimi e përpunimi i tyre është interes kombëtar. Një plan i përbashkët investimi në to do ta zhvillonte sektorin, zgjeronte punësimin, kualifikimin dhe organizimin e punëtorëve. Duke zëvendësuar modelin tashmë të dështuar ngritur mbi privatizime të egra dhe Partneritetin Publiko-Privat (PPP) me modelin e bazuar në prodhim e punësim që ndal edhe shpopullimin e trevave shqiptare.

Mbrojtje dhe avancim i të drejtave të grave, jo dhunë e shfrytëzim

Realizimi i të drejtave kombëtare nuk mund të arrihet pa luftuar për të drejtat e plota të grave, si një përpjekje e përbashkët drejt çlirimit të dyfishtë. Dy republikat shqiptare duhet të çlirohen nga kapja. Gratë kanë nevojë të çlirohen nga dhuna e strukturuar, objektifikimi dhe shtypja. Kudo ku rritet varfëria e përkeqësohen arsimi, shëndetësia e shërbimet publike, po ashtu përkeqësohet gjendja e grave. Papunësia për to është më e lartë dhe ato shpesh janë viktima të dhunës: në familje, rrugë, media, vend të punës. Shqipëria e Kosova së bashku duhet të marrin masa konkrete për punësim e arsimim të grave për edukim kundër dhunës sistemike dhe ndalje të shfrytëzimit fizik e seksual të tyre.

Krimi i integruar luftohet kur shteti është i bashkuar

Krimi i organizuar vepron në Kosovë, Shqipëri e mërgatë, tashmë i koordinuar. Është e pamundur të luftohet ndarazi nga dy shtete të ndara. Pastrimi i parave, trafiqet, edhe fenomenet e dhunës, duhet ta marrin një përgjigje të fortë nga një shtet i fortë. Shqipëria e Kosova duhet të njësojnë politikat e tyre të sigurisë, dhe luftën kundër mafies e krimit të organizuar.

LEXO EDHE  Marshimi i 28 Nëntorit, 16 kauzat/ Nga bashkimi i tregut Kosovë-Shqipëri, te heqja e taksës në Rrugën e Kombit

Mbrojtja e të drejtave kombëtare shqiptare në trevat e rajonit

Të drejtat kombëtare dhe qytetare të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, në Mal të Zi dhe të shqiptarëve të dëbuar nga Çamëria duhet të jenë çështje prioritare e Shqipërisë dhe Kosovës në raportet dypalëshe dhe shumëpalëshe me shtetet e tjera të rajonit. Bashkërendimi i përpjekjeve të dy republikave në këtë drejtim është imperativ. Në takimet e dy qeverive duhet të ftohen përfaqësues politikë të shqiptarëve nga trevat e tjera që të shtrojnë problematikat e tyre.

Mbrojtje e mjedisit, jo degradim i natyrës

Problemet mjedisore në Shqipëri e Kosovë i kanë shkaqet, rrjedhimisht pasojat, të ngjashme, prandaj duhet t’u përgjigjemi së bashku. Rreziqet vijnë nga shfrytëzimi i egër, i pambikëqyrur dhe i toleruar nga autoritetet. Politika e njësuara mjedisore, si pakt në mbrojtje të burimeve ujore, lumenjve e lagunave, parqeve, pyjeve e tokave bujqësore, bregdetit, cilësisë së ajrit e ujit të pijshëm, mbeturinave, na garanton cilësi jete, për sot dhe të ardhmen.

Jo përjashtim por përfshirje dhe të drejta për diasporën

Mërgimtarët duhen përfshirë, që të zhvillohet ekonomia, demokracia e krijimtaria. Së pari u duhet dhënë e drejta e votës. Së dyti, duhet krijuar një institucion i përbashkët për mërgatën, mes Shqipërisë e Kosovës, që u ofron atyre këshillim për investime në sektorët strategjikë, që i rekruton për punë më të aftët mes tyre, e që koordinon shkollimin shqip për fëmijët e tyre.

Heqja e roaming-ut, jo zvarritje e marrëveshjeve të nënshkruara

Vendet e Bashkimit Evropian e kanë hequr roaming-un mes njëra-tjetrës. Kosova e Shqipëria mund ta bëjnë të njëjtën gjë, pra të zbatojnë marrëveshjet që kanë nënshkruar duke mos u fshehur pas nismave rajonale. Kjo i liron shumë kostot e komunikimit për qytetarët e sipërmarrësit.

Njësim i kurrikulave dhe jo pengesa në njohjen e diplomave e licencave profesionalePër të gjitha nivelet arsimore, pa pasur nevojë për procedura shtesë Shqipëria duhet të njohë e të njësojë diplomat me Kosovën dhe anasjelltas. Në arsimin e detyrueshëm duhet të njësohen kurrikulat. Në atë të mesëm e universitar diplomat. E licencat profesionale të barasvlerësohen ashtu që të njihen për të dyja vendet. Vetëm kështu zgjerohet e dinamizohet tregu i punës e i profesioneve në nivel kombëtar.

Eliminimi i lejeqëndrimit, jo trajtim si të huaj

Qytetarët e dy republikave shqiptare duhet të kenë mundësi të punojnë dhe të jetojnë kudo në Kosovë e Shqipëri, pa dokumente shtesë. Kjo do të rriste mundësitë e të rinjve për punësim, si dhe mundësitë e bizneseve për të gjetur punëtorë. Nuk mjafton heqja e lejeve të punës, duhet të hiqet dhe pengesa për leje të qëndrimit.

Mbrojtje e trashëgimisë kulturore, jo rrënim i Teatrit Kombëtar

Të punohet drejt unifikimit të kornizave ligjore e të koordinohen institucionet për hulumtime, dokumentime dhe fonde të përbashkëta për konservimin e trashëgimisë. Të përfaqësohemi me politika të njësuara në institucionet e organizatat ndërkombëtare. Trashëgimia duhet mbrojtur nga projektet tjetërsuese dhe privatizuese. Dy shtetet shqiptare duhet t’i vendosin të gjitha vendndodhjet e trashëgimisë në një regjistër të përbashkët dixhital e publik dhe t’i bëjnë pjesë të kurrikulave shkollore.

Kinema publike dhe financim për filmin, jo rrënim e harrim

Rrjeti i kinemave publike në Shqipëri dhe Kosovë është rrënuar, degraduar e tjetërsuar. Qasja në kinema publike e edukim me filmin është e drejtë qytetare, e pareduktueshme vetëm te iniciativa private. Ndaj dy republikat duhet të themelojnë fondin e përbashkët për rivitalizimin e rrjetit të kinemave publike. Buxheti që ndahet në dy vendet për projektet filmike, arkivat e filmit dhe shpërndarjen e promovimin e prodhimit filmik është më i vogël se ai për shpenzimet e zyrave të qeverive, ai duhet shtuar e bashkërenduar. Festivalet e filmit aty ku kanë bërë traditë duhet të bashkë-financohen nga të dy republikat si vlerë kombëtare e çmuar.

Jo krenari për ndarje, por bashkim i ligave sportive

Liga e përbashkët e futbollit është kërkesë e kahershme e sportdashësve dhe profesionistëve. Ekzistojnë të gjitha kushtet për bashkimin e ligave dhe bashkërendimin e Federatave. Duke nisur fillimisht prej kupave të përbashkëta në sportet kolektive e pa u kufizuar në to. Prej ligave të bashkuara për ekipet e moshave e të akademive sportive, tek organizimi për liga e kampionate të përbashkëta deri tek njësimi i formacioneve të kombëtareve sipas Federatave në sporte të ndryshme.

Tiranë, 28 Nëntor, ora 12:00, Monumenti i Heroit Kombëtar “Gjergj Kastriot Skënderbeu”

*** MARSHIM PËR BASHKIM **

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit