Nikolla: Lënda e gjuhës shqipe në Turqi, mundësi për komunitetin shqiptar

Mos i humb

 

 

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë e Shqipërisë, Lindita Nikolla, e cila gjendet për vizitë në Turqi, tha se mësimi i lëndës së gjuhës shqipe në shkolla në Turqi do të forcojë marrëdhëniet mes dy vendeve.

Në një prononcim për Anadolu Agency (AA), ministrja Nikolla tha se me futjen e lëndës së gjuhës shqipe si lëndë zgjedhore në Turqi do të jetë mundësi që komuniteti me prejardhje shqiptare në Turqi të ketë mundësi që fëmijët e tyre të mësojnë gjuhën dhe kulturën shqipe.

“Sigurisht, jo vetëm për komunitetin shqiptar, mendoj që është një mundësi edhe për këdo tjetër”, tha ministrja Nikolla.

“Prania e një lënde zgjedhore edhe në gjuhë dhe dialekte të tjera është hap demokratik. Këto hapa hidhen në rrugën drejt Bashkimit Evropian (BE). Rruga e vetme për të kuptuar kulturat e ndryshme është përmes gjuhës”, shtoi Nikolla.

Ndërkaq, Nikolla komentoi edhe rekomandimin e Komisionit Evropian (KE) për hapjen e negociatave për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian (BE).

“Ka qenë një lajm shumë i mirë për Shqipërinë dhe popullin shqiptar. Besoj se pas afro tri dekadave përpjekjeje, arritjeve, por edhe mosarritjeve, populli shqiptar ia doli në atë që në fakt është prioriteti dhe ëndrra e çdo shqiptari, integrimi në BE. Kanë qenë një sërë masash, një sërë reformash të thella strukturore, por edhe në fusha të ndryshme të realizuara nga qeveria shqiptare që kanë bërë të mundur dhënien e një vendimi pozitiv për rrugën e integrimit”, deklaroi ministrja Nikolla.

Ndërkohë, në lidhje me procesin e integrimit të Turqisë në BE, Nikolla u shpreh: “Mendimet e mia janë ato që janë të një populli vëlla dhe mik, të një populli që ka një bashkëpunim të kahershëm dhe sigurisht në këtë rrugë ne do të vazhdojmë në rrugën tonë të bashkëpunimit, aq më mirë që jemi dy popuj që kemi si aspiratë integrimin në BE”.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit