Nimetz: Me rëndësi të krijohen marrëdhënie të mira midis Maqedonisë dhe Greqisë

Mos i humb

Ndërmjetësi i Kombeve të Bashkuara (OKB) për mosmarrëveshjen rreth emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë, Matthew Nimetz, theksoi se është e rëndësishme të krijohen marrëdhënie të mira ndërmjet dy vendeve, duke shpresuar për avancim në drejtim pozitiv për sa i përket kësaj çështjeje.

Ndërmjetësi i OKB-së Nimetz dhe ministrat e jashtëm të Maqedonisë dhe Greqisë, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Kotzias, u takuan në kryeqytetin austriak, Vjenë, për të diskutuar mosmarrëveshjen rreth emrit midis dy vendeve, në mikëpritje të Ministres austriake për Evropën, Integrim dhe Punë të Jashtme, Karin Kneisle.

Takimi u mbajt i mbyllur për mediat, ndërsa më pas u mbajt konferencë për shtyp, ku Nimetz në emër të OKB-së dhe dy vendeve falënderoi Austrinë që ishte vend nikoqir i këtij takimi.

Nimetz tha se kanë zhvilluar një takim konstruktiv dhe se përveç ministrave të të dy vendeve, edhe diplomatët dhe ekspertët kryejnë punë për kompromis të aspektit kushtetues rreth çështjes, dhe se kanë arritur një avancim të caktuar.

Nimetz gjithashtu tha se nuk do të japë detaje mbi përmbajtjen e takimit.

“Po punojmë për të zgjidhur çështjet e diskutueshme. Mendimet dhe ndjenjat e mia janë në drejtim pozitiv. Ministrat e dy vendeve shkëmbyen pikëpamje për sigurimin e stabilitetit në rajon dhe vendosjen e marrëdhënieve afatgjata. Është e rëndësishme të krijohen marrëdhënie të mira mes dy vendeve. Kam plot shpresa se do të përparojmë në drejtim pozitiv”, shtoi ndërmjetësi Nimetz.

Dimitrov: Është bërë progres i kushtëzuar

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, tha se në takim janë diskutuar të gjitha çështjet e hapura dhe se është bërë progres i kushtëzuar.

“Ne diskutuam të gjitha çështjet e hapura rreth gjithë paketës. Mund të them se kemi bërë progres të kushtëzuar, sepse ndërsa shkojmë përpara, hasim në çështje të vështira dhe mendoj se në anën tonë dhe në anën e tyre kemi mjaft për të menduar dhe matur. Kemi punuar në logjikën e asaj që është më e rëndësishme për Republikën e Greqisë, çka është më e rëndësishme për Republikën e Maqedonisë dhe nëse mundemi që në kompromisin në të cilin po lëvizim t’i mbulojmë të dy çështjet. Por, na habit fakti që sa më hapur dhe më konkretisht hapërojmë drejt një zgjidhjeje, ashtu edhe vështirësitë gjithnjë e më shumë shfaqen”, ka thënë Dimitrov, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë.

Kujtojmë se të premten e kaluar, më 23 mars, në Shkup qëndroi për vizitë shefi i diplomacisë greke Nikos Kotzias, i cili u takua me udhëheqësit politikë në vend, duke përfshirë edhe me homologun e tij maqedonas Nikolla Dimitrov.

Duke folur për një zgjidhje të qëndrueshme që do të jetë e pranueshme nga të dyja palët, Dimitrov tha se ka ende shumë potencial për të gjetur një zgjidhje të pranueshme edhe për opinionin në të dy anët.

Ministri grek Kotzias në konferencën e përbashkët për shtyp me Dimitrov, duke folur për një zgjidhje të mundshme për kontestin me emrin, tha se zgjidhja e drejtë dhe e ndershme do të ishte një zgjidhje që do të ketë parasysh interesat e të dyja palëve, të cilët tashmë diskutohen në negociata./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit