“Gjirokastra 80€” është nisma që synon të përmbysë situatën turistike në Gjirokastër duke nxitur turizmin dimëror me një paketë të plotë dhe tarifa të përgjysmuara. Paketa që nuk ka qëllim përfitimi për operatorët turistikë synon frekuentimin e qytetit të gurtë edhe tej sezonit veror, kohë kur Gjirokastra përballet me mungesën e theksuar të turistëve.
Vizita në pikat kryesore të qytetit, muzetë dhe sitet arkeologjike, shëtitje me kuaj apo OF ROUD, janë vetëm disa prej aktiviteteve të ofruara në paketën promovuese të qytetit të gurtë që synon të tërheqë kryesisht te pushuesve vendas.
Ëngjëllush Serjani nga kjo zyrë thotë se paketa e re e operatorëve turistikë ka gjetur edhe mbështetjen e Bashkisë Gjirokastër që së shpejti do të kërkojnë miratimin në këshillin bashkiak për heqjen e tarifës së vizitës në katër muzetë e administruar nga bashkia, një ofertë e vlefshme gjatë fundjavave.
Për bizneset turistike që operojnë në zonën muzeale të Gjirokastrës, kjo paketë është mundësia më e mirë për t’i dhënë hov turizmit në muajt pasivë të dimrit dhe gjatë fundjavës kur çmimet në hotele dhe restorante do të jenë pothuajse të përgjysmuara.
Ndonëse prej pranverës në vjeshtë numri i turistëve në Gjirokastër një vit më parë shkoi në mbi 100 mijë turistë të huaj dhe vendas, muajt e tjerë të vitit qyteti muze përballet me vështirësitë e mbijetesës.