Një rend i ri po ngrihet pa zhurmë në Lindjen e Mesme

Mos i humb

Nga Hussain Abdul-Hussain

Pavarësisht luftrave, kaosit dhe përçarjeve që e kanë kapluar Lindjen e Mesme, Uashingtoni duket i vendosur që të ndërtojë pa zhurmë një rend të ri në këtë rajon. Por pse do të duhej të kishte sukses një gjë e tillë kësaj radhe, kur përpjekjet e mëparshme kanë dështuar?

Elementi dallues i këtij rendi të ri, është se atë nuk e kanë projektuar diplomatët dhe politikanët, por gjeneralët ushtarakë. Ndoshta përvoja amerikane në Irak, vend ku ushtrisë iu la dorë e lirë dhe ku kjo e fundit shmangu me sukses luftën civile, e ka bindur Uashingtonin të mendojë se ndërhyrjet ushtarake janë më efikase sesa ato politike.

Përgjatë viteve të fundit, Izraeli ka këmbëngulur se i vetmi rrezik serioz në Lindjen e Mesme është Irani, qoftë ai si fuqi bërthamore ose jo. Gjatë qeverisjes së ish-Presidentit Barack Obama, Amerika ka pasur kundërshtime të forta me aleatin e saj. Por me zgjedhjen e Presidentit Donald Trump, politikat e jashtme të Shteteve të Bashkuara dhe të Izraelit janë bërë aq shumë të ngjashme, saqë duken gati identike.

Aleatët e tjerë të mëdhenj të Izraelit, si Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe  (UAE), kanë argumentuar gjithashtu se, për shkak të qëndrimit të tij agresiv, Irani përbën kërcënimin më të madh ndaj tyre dhe interesave të tyre kombëtare.

Duke qenë se Irani është armik i përbashkët i Izraelit dhe i shteteve të Gjirit, do të ishte vetëm çështje kohe që këto vende të arrinin në përfundimin klasik, sipas të cilit “Armiku i armikut tim është miku im”. Por miqësia ndërmjet Izraelit nga njëra anë dhe e vendeve anëtare të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC), nga ana tjetër, nuk është aq e lehtë sa mund të mendohet.

Në një kohë kur konflikti arabo-izraelit prej 7 dekadash ka lënë pasojat e veta dhe kur paqja ndërmjet palestinezëve dhe izraelitëve ka pushuar së ekzistuari, krijimi i një aleance ndërmjet Izraelit dhe vendeve të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC), duket një gjë e vështirë.

Pikërisht për të shmangur armiqësinë arabe ndaj Izraelit, e duke pasur parasysh edhe marrëdhëniet e saj ndër-ushtarake me Egjiptin, Irakun e deri diku edhe me Libanin, Amerika po i mëshon qëndrimit se aty ku dështojnë diplomacia dhe politika, mund të kenë sukses gjeneralët ushtarakë.

Përkundrejt këtij sfondi historik, gjeneralët e vendeve të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC), Egjiptit, Jordanisë dhe Shteteve të Bashkuara, u mblodhën në fillim të muajit shtator në Kuvajt, për të diskutuar krijimin e asaj që do të njihet si Aleanca Strategjike e Lindjes së Mesme (MESA). E quajtur ndonjëherë edhe NATO-ja arabe, kjo aleancë ushtarake parashikohet që të jetë më e qëndrueshme sesa marrëdhëniet politike të eksperimentuara më parë.

Në këtë takim morën pjesë komandantët ushtarakë të të dyja palëve rivale: Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe (UAE), Bahreinit dhe Egjiptit nga njëra anë, si dhe Katarit nga ana tjetër.

Aleanca e re ka strukturë të ngjashme me atë të NATO-s, brenda së cilës do të ngrihet një komandë e përbashkët, që me shumë gjasa do të drejtohet nga trupat amerikane.

Misioni kryesor  i Aleancës Strategjike të Lindjes së Mesme (MESA) është që të mbrohet prej 2 aktiviteteve iraniane, që Shtetet e Bashkuara i konsiderojnë si shqetësuese: armatosjes nga ana e Iranit, të forcave ushtarake të tij në rajon, si dhe aftësisë ushtarake të tij për të sulmuar objektivat e Gjirit. Aleancës do t’i duhet të ruajë tre dalje ujore: Hormuzin, Bab Al-Mandabin dhe Suezin. Kjo Aleancë do të mbështesë gjithashtu edhe grupet lokale, të cilët mund ta pengojnë Iranin që të furnizojë ushtarët e tij në rrugë tokësore, veçanërisht grupet në Irakun veri-perëndimor dhe në Sirinë veri-lindore.

Përveç anës ushtarake, Shtetet e Bashkuara shpresojnë që Aleanca Strategjike e Lindjes së Mesme (MESA) të ketë edhe dobi politike. Nëse Katari dhe kundërshtarët e tij arrijnë të mblidhen bashkë në një takim të kësaj Aleance, atëherë nuk ka arsye që ky bashkëpunim të mos shtrihet edhe në fusha të tjera, si: inteligjenca, e ndoshta në një të ardhme, të rivendosen edhe lidhjet diplomatike mes tyre.

E në fund, Aleanca Strategjike e Lindjes së Mesme (MESA) nuk do të ishte e plotë, pa e njohur Izraelin si partner. Fundja, Izraeli dhe kjo Aleancë do të gjuajnë në të njëjtin drejtim, kryesisht kundër Iranit dhe forcave të tij ushtarake në rajon. Për pasojë, është e natyrshme që të ketë një bashkëpunim ushtarak ndërmjet tyre.

Por sikurse në rastin e Katarit dhe të kundërshtarëve të tij, bashkëpunimi ushtarak mund të hapë rrugën e përmirësimit të marrëdhënieve me Izraelin edhe në nivele të tjera. Nëse marrëdhëniet arabo-izraelite përmirësohen, në fillim ato ushtarake e më pas marrëdhëniet diplomatike, atëherë do të krijohet terreni i duhur për realizimin e të ashtuquajturës “Marrëveshja e Shekullit”, një traktat paqeje ky, i projektuar nga Jason Greenblatt dhe mbështetësi i tij në administratën amerikane, Jared Kushner, këshilltari dhe dhëndrri i Trump-it.

Teksa është ende në fazat e para, Aleanca Strategjike e Lindjes së Mesme (MESA) duket si një organizim i leverdisshëm për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj. Orientimi i zemërimit arab dhe izraelit në drejtim të Iranit, i ndihmon të dyja palët që të dobësojnë një kundërshtar kokëfortë dhe shqetësues, e në të njëjtën kohë ul tensionet pothuajse një shekullore ndërmjet arabëve dhe izraelitëve. Teksa zemërimi ndërmjet këtyre të fundit është në rënie dhe po i hap udhën urrejtjes ndaj Iranit, paqja arabo-izraelite duket se po bëhet më e besueshme.

Bashkëpunimi ushtarak ka rezultuar më i qëndrueshëm sesa miqësitë politike. Në këtë mënyrë, Aleanca Strategjike e Lindjes së Mesme (MESA) mund të shërbejë si një gur themeli për paqen ndërmjet vendeve të Gjirit dhe atë ndërmjet arabëve dhe izraelitëve, si dhe mund ta detyrojë Iranin që të tërhiqet.

Ndonëse është një temë e nxehtë në Uashington, sërish Aleanca Strategjike e Lindjes së Mesme (MESA) mbetet më shumë një sferë veprimi e gjeneralëve ushtarakë sesa e diplomatëve dhe e politikanëve. Si e tillë, asaj nuk i është dhënë vëmendje e madhe, në krahasim me përpjekjet e mëparshme të Shteteve të Bashkuara, që janë shoqëruar shpesh me tifozllëk, por me pak rezultate. /tesheshi.com/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit