Një zë ndryshe: një libër për paqenësinë e çështjes së detit me Greqinë

Mos i humb

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe fqinjit të saj jugor, Greqisë, kanë patur historikisht ulje dhe ngritje, të përshkuara nga periudha qetësie dhe periudha fërkimesh, nga përplasje të forta por dhe momente të shkurtëra dashurie. Një vargu problemesh që qëndrojnë pezull midis dy vendeve i është shtuar dhe një tjetër, tepër delikat dhe në diskutim prej gati një dekade: ajo e çështjes së detit.

Një temë që herë pas here i hedh benzinë zjarrit të luftës politike në Shqipëri, edhe kështu të ndezur fort. Palët ndryshojnë kahje në varësi të pozitës; nëse vite më parë socialistët i akuzonin demokratët për tradhti kombëtare, tani janë këta të fundit që lëshojnë të njëjtën akuzë ndaj kundërshtarëve të tyre politikë.

Cila është e vërteta, cila palë punon për vendin dhe cila po e tradhton atë? Cila palë politike ka synuar apo synon një marrëveshje të mirë për ujërat detare me Greqinë? Ku është gabuar, ku po gabohet?

Një marrëveshje për detin e vitit 2009, kur në pushtet ishte Partia Demokratike, dhe e nënshkruar nga qeveria shqiptare dhe ajo greke, është shpallur e pavlefshme nga Gjykata Kushtetuese një vit më vonë, si e papajtueshme me Kushtetutën. Një tjetër marrëveshje është në horizont tani, teksa qeveria e socialistëve i ka rinisur negociatat dhe synon një finalizim të tyre, me bindjen se ajo do të jetë më përfituese për palën shqiptare nga më e mëhershmja e viteve të shkuara.

E tëra kjo ka ndezur një debat të jashtëzakonshëm publik, ku, sigurisht, një pjesë e mirë e ligjërimit është e kushtëzuar nga rreshtimi politik i folësve. Dhe pikërisht në këtë kohë, mes dy kampeve spikat një zë ndryshe, një zë profesionisti, që ka dhe mbron një mendim krejt ndryshe, të pandeshur më herët dhe mjaft bindës!

Diplomati dhe publicisti Shaban Murati e quan çështjen e detit me Greqinë të paqenë! E bën këtë në një libër të shkruar prej tij, “Çështja e paqenë e detit: një intrigë diplomatike greke apo shqiptare?”

Por përpara se të bëhen të ditura disa prej ideve të tij, do duhet falënderuar Fondacioni “Alsar” për botimin e këtij libri tejet interesant. Po ky institucion, që në vijimësi i sjell lexuesit vepra të një niveli të ngjashëm dhe po kaq interesante, i ka bërë këtë të martë promovimin këtij libri me një veprimtari të denjë për të, me pjesëmarrjen e figurave të njohura në lëmin e historisë, diplomacisë dhe publicistikës.

Me përvojën e aktivitetit të tij të gjatë, dhe bazuar në një analizë koherente historike, Shaban Murati shprehet vendosmërisht se çështja e detit me fqinjin jugor është e paqenë, duke shtruar pyetjen, të përcjellë dhe në titull, në bëhet fjalë për një intrigë diplomatike greke apo shqiptare?

Qëndrimi i autorit është i qartë që në krye të librit, ku lexohet fjalë pas fjale: “Çështja e detit përbën një nga dosjet më enigmatike të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Greqisë. Është enigmatike për gjenezën e saj, për shndërrimin në objekt bisedimesh, për dinamikën e lëvizjes së saj dhe për komplikimet që solli në marrëdhëniet dypalëshe.”

Për të, bëhet fjalë për një metodë klasike të diplomacisë bizantine dhe ballkanike, atë të krijimit të një problemi nga hiçi mes dy shteteve. Ai e sheh qëndrimin e qeverisë shqiptare si një “efekt të sëmundjes së pashërueshme foshnjore, të diplomacisë shqiptare, të inferioritetit,” për ta cituar atë, nën petkun e “qëndrimit konstruktiv dhe të moderuar në Ballkan”.

Diplomati Shaban Murati e çmon fort vendimin e 15 prillit 2010 të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, për anulimin e marrëveshjes së nënshkruar një vit më herët nga ministri i Jashtëm Lulzim Basha dhe homologia greke, Dora Bakojanis, si një përgjegjshmëri të rrallë juridike, historike, kombëtare, politike, diplomatike. Por gjykon, njëherazi, se me kohë Greqia ka arritur një fitore të madhe diplomatike, duke krijuar në marrëdhëniet midis dy shteteve atë që quhet “Çështja e detit”.

I kthjellët në këndëvështrimin e tij, shkruesi i këtij libri nënvizon qartas se gjeneza e çështjes së detit midis dy vendeve nuk lidhet me probleme juridike, as me dyshimet nga kjo apo ajo qeveri greke për vlefshmërinë e kufijve tokësorë dhe detarë me Shqipërinë, të përcaktuar me traktate ndërkombëtare, as me motive reale politike apo diplomatike, por me motive dhe interesa ekonomike dhe energjitike, me zbulimin e pellgjeve të pasura të hidrokarbureve në zonat detare të vendit tonë dhe pranë tij. Janë këto që nxitën strategjinë greke të përpjekjeve për ndryshime gjeografike të kufijve detarë.

Çështja e kufijve shtetërorë të Shqipërisë, tokësorë dhe detarë, është një çështje e vulosur dhe e mbyllur nga fuqitë e mëdha në Konferencën e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913, thotë autori, e me Protokollet e Firences të vitit 1925, ndërkohë që ka marrë në Paris, më 30 korrik të 1926-s, formën e prerë të sanksionimit ligjor ndërkombëtar dhe të pranimit të këtyre kufijve nga vetë shtetet kufitare të Shqipërisë.

Prandaj autori pyet me të drejtë, ndonëse e di përgjigjen: “Përse nuk ka patur një çështje deti në marrëdhëniet dypalëshe as përpara rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve në vitin 1971, dhe as pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike pas vitit 1971? Përse nuk ka pasur një çështje deti as në kohën e regjimit komunist në Shqipëri dhe të regjimit të kolonelëve në Greqi, as pas rrëzimit të regjimit të kolonelëve dhe hyrjes së Greqisë në BE, dhe as në kohën e periudhës demokratike në Shqipëri pas largimit të regjimit komunist?”

I ndarë në katër pjesë, të titulluara përkatësisht, “Enigma e nxitimit diplomatik”, “Metamorfoza e objektit të bisedimeve”, “Bisedime me sindromën e Shën-Naumit”, “Një udhëkryq artificial diplomatik”, me një hyrje, një shtojcë, dhe një bibliografi, i bashkëshoqëruar me variantin në anglisht, libri shpjegon në detaje se si është arritur deri te shpikja e një çështjeje të paqenë.

Për të shpjeguar kompleksitetin me të cilin parashtrohet çështja e detit midis dy palëve, Shaban Murati sjell për lexuesin një shtjellim të problematikave në marrëdhëniet dypalëshe, nga çështja e varrezave të ushtarëve grekë të vrarë në luftën italo-greke të vitit 1940, çështja e kontrollit të kishës ortodokse shqiptare nga kisha greke, çështja çame, çështja e ligjit të luftës, të mbajtur akoma në fuqi nga Greqia, te çështja e pazgjidhur e ujërave të ëmbla kufitare.

Në libër zë vend analizimi i metodikës së gabuar të procesit të negociimit prej palës shqiptare, i nxitimit dhe mungesës së kompetencës së diplomacisë së vendit tonë në këto negociata, i mekanizmit të gabuar për shndërrimin e objektit të bisedimeve për detin midis dikastereve respektive. Nënvizohet dhe ndikimi negativ i aplikimit të diplomacisë së fshehtë së imponuar Shqipërisë nga Greqia në ecurinë dhe përfundimin e negociatave për çështjen e detit.

Një numër i madh dokumentesh të sjella prej autorit tregojnë se Shqipëria dhe Greqia e kanë pohuar ekzistencën dhe njohjen e kufirit detar në marrëveshjet e mëhershme dypalëshe për çështje të ndryshme. Libri ka disa plane shtjelluese në të, gjithmonë në kuadër të marrëdhënieve midis dy fqinjëve, me synimin për ta bërë sa më bindës konkluzionin se kemi të bëjmë me një çështje detare të paqenë.

Autori e sheh kështu marrëveshjen e parë për kufijtë detarë me Greqinë, të anuluar nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë: “Diplomacia dhe qeveria shqiptare e kohës së nënshkrimit të marrëveshjes së detit jo vetëm ndërmorën një akt të pashembullt të pazareve në dëm të sovranitetit dhe integritetit territorial të Shqipërisë, por krijuan dhe një vatër të re tensioni dhe përplasjeje në marrëdhëniet midis dy shteteve…”

Po kaq i ashpër tregohet ai dhe për negociatat e tanishme, të një krahu tjetër politik: “Rinegocimi i marrëveshjes së vdekur të detit do të thotë të përpiqesh të ringjallësh, në një formë apo tjetër, të njëjtën marrëveshje të zhvleftësuar dhe efektet e saj të dëmshme. Do të thotë të bësh objekt tratativash të reja diplomatike të njëjtën marrëveshje që ligjëronte humbjen e 350 kilometrave katrorë hapësirë detare territoriale shqiptare dhe dhënien e saj Greqisë. Do të thotë të bësh përsëri tratativa diplomatike me të njëjtin objekt të paligjshëm që kishte qysh në tiull marrëveshja e vitit 2009. Do të thotë të pranosh dhe të ribësh pazare me të huajt për kufijtë shtetërorë të Shqipërisë…. Do të thotë, në fund të fundit, të ripranosh dhe të ringjallësh marrëveshjen e vjetër të pavlefshme, me kënaqësinë infantile, që përpiqen të përhapin sirenat e lobit grek në Shqipëri, se tani Greqia mund të tregohet gjeneroze dhe të na rikthejë disa kilometra katrorë nga hapësira e madhe që i dhuroi asaj qeveria e vitit 2009.”

Për gjerësinë, thellësinë, dhe analizën shumëplanëshe që ka ky libër, në çdo rast përshkrimi i mësipërm do të mbetej i mangët. Vetëm një lexim serioz i librit do ta bënte lexuesin të kuptonte se ka në dorë një pikëpamje krejt të veçantë për një çështje tepër delikate. Te autori do të ndeshte bindjen se, siç thotë vetë ai: “E përmbledhur në një fjali, çështja e detit është një çështje e paqenë.” /tesheshi.com/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit