Nordikët ua kaluan sërish vendeve të tjera

Mos i humb

 

Pa u ndier fare, siç e kanë zakon, vendet nordike (Danimarka, Norvegjia, Suedia, Finlanda, Islanda, Ishujt Faroe, Groenlanda dhe ishujt Aland), kanë zënë vendin e parë në botë për risi në fushën e energjisë së rinovueshme, dhe kanë ndërmend ta mbajnë gjatë.

Motivi që i shtyn nuk është thjesht altruizmi, edhe pse janë mjaft të ndjeshëm për sa i përket ndryshimeve klimatike dhe ndotjes. Ata duan të kapin tregjet botërore të teknologjisë së pastër, që përfshin teknologjitë që nga riciklimi i produkteve e deri te prodhimi i pajisjeve që punojnë me energji të rinovueshme, si motorët elektrikë, etj. Në vitin 2017, investimet botërore në infrastrukturën e energjisë së rinovueshme, që përbën vetëm një pjesë të këtij tregu të gjerë, ka qenë 280 miliardë dollarë.

Ndonëse vende të tjera pro-energjisë së rinovueshme (si Gjermania) kanë punuar fort për imazhin ekologjik, nordikët e kanë përqafuar plotësisht krijimin e një shoqërie që nuk ndot mjedisin, dhe kanë kryesuar në fusha si transporti elektrik, qytetet “smart”, rrjetet elektrike që kalojnë kufijtë dhe ndërtim i centraleve me energji të rinovueshme.

Ja disa nga arritjet e fundit: në Norvegji, më shumë se gjysma e makinave të reja që janë shitur janë modele elektrike ose hibride, ndërkohë që po prodhohet një flotë e tërë me tragetë që funksionojnë me elektricitet. Danimarka vuri rekord botëror vitin e shkuar për prodhimin e energjisë elektrike nga era, prej të cilës mbuluan 43% të konsumit. Suedezët dhe finlandezët po prodhojnë gaz biologjik nga mbetjet dhe nga bimësia, të cilin e kthejnë në karburant për ngrohje dhe për makina. Islanda dhe Norvegjia kanë nisur tashmë të funksionojnë me energji të rinovueshme, për shkak të numrit të lartë të hidrocentraleve dhe centraleve gjeotermike.

Kopenhageni, kryeqyteti i Danimarkës, është një prej qyteteve më “smart” të Europës, një prej qyteteve që shkarkon më pak gazra ndotës në mjedis: dy të tretat e banorëve shkojnë me biçikleta në punë, ndërkohë që vetëm 9% ngasin makina. Në qytet ka 358 km korsi biçikletash dhe bashkia vazhdon të zgjerojë rrugët dhe urat për çiklistët. Pak qytete në botë kanë ajër aq të pastër në qendrat e tyre, gjë që e bën Kopenhagenin një nga qytetet më të jetueshme në botë, vit pas viti.

Veç kësaj, nordikët kanë rritur bashkëpunimin ndërkufitar. 27 milionë banorët e çdo vendi lidhen me njëri-tjetrin nëpërmjet rrjeteve të transmetimit elektrik, dhe kanë tregje të përbashkëta në të gjithë gadishullin skandinav. Kjo është shumë praktike, pasi, nëse në Danimarkë nuk fryn mjaftueshëm erë për turbinat, ata mund të marrin energji nga Norvegjia dhe t’ia kthejnë kur Norvegjia të jetë në nevojë. Ky rrjet do të jetë shembulli që do të ndjekë gjithë Europa një ditë, pasi të jenë hequr karburantet e djegshme.

Ky përparim energjik është arritur me lulëzimin e ekonomive. Që nga viti 2000, PBB e vendeve nordike është rritur me 28%. Gjermania e ka rritur me 22%. Ndërkohë, shkarkimi i ndotjeve në mjedis ka rënë me 18%. Duket qartë që investimet kanë kthyer të ardhura si dhe kanë bërë një mjedis më të shëndetshëm për banorët.

Sigurisht, jo të gjitha vendet kanë lumenj pa fund e liqene malore si Norvegjia, apo pasuri nëntokësore si Islanda vullkanike. Duke pasur shumë lumenj e shumë hidrocentrale, Norvegjia mund të garantojë çmim të ulët energjie për të karikuar makinat elektrike, kamionët dhe anijet. Danimarka, ku fryn shumë erë, ka vetëm 5.7 milionë banorë dhe është vend ideal për turbina në det.

Por ekspertiza e nordikëve në energji të pastër nuk vjen vetëm për shkak të vendndodhjes, por edhe prej largpamësisë.

Danimarka, për shembull, i kushtoi shumë rëndësi krizës energjetike që patën në vitet 1970, ndaj e kthyen vëmendjen te energjia e krijuar nga era. Me sytë nga e ardhmja, nordikët kanë ofruar më shumë fonde kërkimi për universitete private e shtetërore. Partneriteti publik-privat ka sjellë shumë prej arritjeve teknologjike në rajon.

Falë këtyre programeve, Norvegjia arriti rezultate të larta me makinat elektrike. Edhe sot, Norvegjia financon eksperimente të shumta me hidrogjen, një burim energjie që nordikëve u duket me potencial të madh.

Fondet e inovacionit, gjithsesi, nuk shihen si dhurime të bëra për industrinë, por si mbështetje fillestare për ngritjen e bizneseve teknologjike që shumë shpejt do të ecin me këmbët e tyre tregun e energjisë. Sa më shumë të zgjerohet përdorimi i teknologjisë së gjelbër, aq më shumë ulen çmimet nga ekonomia dhe nga përmirësimi i teknologjisë, siç ka ndodhur me energjinë diellore, që tashmë nuk ka nevojë për asnjë lloj subvencioni nga shteti.

Nordikët krenohen sot me qindra kompani që janë përqendruar te energjia e pastër. Kompania daneze, Vestas, udhëheq tregun botëror për prodhimin e turbinave të erës. Në vitin 2016 kanë shitur në 34 vende të botës, që nga Gjermania e deri në Kinë.

Sado mbresëlënëse e largpamëse të jenë këto risi, nuk mbeten pa një anë negative. Norvegjia e ka bërë shumicën e pasurisë nga rezervat e naftës në Detin e Veriut dhe nga gazi që eksporton në gjithë botën, që është burimi kryesor i fondeve bujare që ofron për energjinë e riciklueshme.

Sigurisht, tranzicioni drejt një shoqërie më të sigurt e me më pak ndotje është ende në zhvillim e sipër. Si Suedia, ashtu edhe Finlanda, kanë centrale energjie bërthamore apo me qymyr. Suedia ka në plan t’i mbyllë centralet bërthamore, ndërsa Danimarka nuk i mbulon dot nevojat e gjithë vendit me energjinë e krijuar nga era, dhe flota e peshkimit në Islandë funksionon e gjitha me naftë.

Megjithatë, nordikët janë një shembull që pjesa tjetër e botës kërkon ta imitojë. Ky është përfundimi logjik i marrëveshjes së Parisit për klimën, në vitin 2015.

Risitë e tyre nuk kanë asgjë magjike, pasi arritjet në energjinë e pastër janë thjesht fryt i vizionit, investimeve dhe shpirtit sipërmarrës. Ka shumë vende të tjera që zotërojnë burime të ngjashme. Thjesht duhet t’i vënë në përdorim.

Paul Hockenos, CNN

Top Channel

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit