Ballina Zvicra “Novartis” akuzohet se ka korruptuar mijëra mjekë grekë për t`ua shitur barnat

“Novartis” akuzohet se ka korruptuar mijëra mjekë grekë për t`ua shitur barnat

16
0
SHPËRNDAJE

Ndaj kompanisë së madhe farmaceutike Zvicerane, “Novartis” janë ngritur akuza për korrupsion. Sipas akuzuesve, “Novartis” u ka paguar para mijëra mjekëve dhe nëpunësve administrativë në Greqi, për t`u imponuar atyre blerjen e barnave të saj.

Gjiganti zviceran akuzohet që këto veprime korruptimi i ka bërë në mënyrë sistematike dhe për një kohë të gjatë, transmeton albinfo.ch shkrimet e medieve zvicerane. Greqia dhe SHBA tash kërkojnë ndihmë juridike nga Zvicra në lidhje me këtë skandal.

Zyra Federale për Drejtësi ka konfirmuar se i kanë ardhur tashmë dy kërkesa përkatëse. Ato janë duke u shqyrtuar, ka thënë për Agjencinë e Lajmeve SDA, zëdhënësi i zyrës në fjalë, Folco Galli, pa ofruar detaje të tjera rreth çështjes.

Galli kështu ka vërtetuar raportimet e bëra në këtë drejtim nga gazetat “Tages Anzeiger” dhe “Bund” si dhe nga Televizioni i Zvicrës Perëndimore (frankofone) RTS. Nga ana tjetër “Novartis” ka deklaruar vetëm se është duke kooperuar me autoritetet.

Ministri grek i drejtësisë Stavros Kontonis akuzon Novartisin se edhe pas kolapsit që kishte pësuar ekonomia greke në vitin 2010 kishte shitur medikamente të “stërshtrenjtuara”, transmeton albinfo.ch. Këto metoda, sipas hetuesve grekë, i kanë kushtuar Greqisë në periudhën në mes viteve 2000-2015 rreth 23 miliardë euro.

Ndër zyrtarët e akuzuar grekë janë dhjetë ish zyrtarë të lartë të qeverisë së kaluar, e në mesin e tyre edhe komisari aktual i lartë i BE-së, Dimitris Avramopoulos. Ky i fundit ka hedhur poshtë çdo lidhje me aferën e përmendur të korrupsionit./Albinfo.ch/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here