Nuk ndalet “Tepsia” e Ramës, drejt kapjes edhe Gjykata Kushtetuese, anëtarët e rinj pa Vetting

Mos i humb

Shumica socialiste ka propozuar një tjetër veprim antikushtetues në fushën e drejtësisë: emërimin e gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese pa kaluar procesin e rivlerësimit të figurës, njohur si vetingu.

Prej disa muajsh, Gjykata Kushtetuese, e cila që bën interpretimin përfundimtar të përputhshmërisë së ligjeve dhe akteve ligjore me Kushtetutën, është në ngërç pasi ka një boshllëk prej katër anëtarësh, nga nëntë gjithsej, për shkak të moszëvendësimit të atyre të cilëve janë larguar për shkak të dorëheqjes apo mbarimit të mandatit.

Anëtarit Sokol Berberi i mbaroi mandati dhe pasi qëndroi në detyrë për më shumë se një vit në pritje të zëvendësimit ai më në fund dha dorëheqjen para disa muajsh. Vladimir Kristo dha dorëheqjen një vit më parë, ndërsa Besnik Imeraj dha dorëheqjen para disa javësh. Anëtares Vitore Tushaj i ka përfunduar mandati dhe është larguar nga detyra.

Në këto kushte, Gjykata Kushtetuese nuk mund të formojë kuorumin e nevojshëm për zhvillimin e seancave gjykuese duke qenë kështu krejtësisht e bllokuar.

Për të zgjidhur këtë situatë, kryetari i shumicës parlamentare socialiste Taulant Balla propozoi që vendet bosh në GJK të plotësohen me anëtarë pa kaluar “vetingun”.

I ftuar në Ora News Taulant Balla shpjegoi të martën:

“Më pas bëjnë vetingun. Nëse [pasi të jenë emëruar] nuk e kalojnë vetingun, shkarkohen dhe menjëherë hyn në lojë propozuesi dhe inicion procesin [nga fillimi].”

Me këtë deklaratë, Zoti Balla po propozon praktikisht shkeljen e Kushtetutës dhe ligjeve të reformës në drejtësi.

Çfarë parashikon Kushtetuta për Gjykatën Kushtetuese?

Kushtetuta, në nenin 179/b të saj parashikon:

“Të gjithë gjyqtarët, duke përfshirë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, të gjithë prokurorët, duke përfshirë Prokurorin e Përgjithshëm, Kryeinspektorin dhe inspektorët e tjerë pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i nënshtrohen rivlerësimit ex officio.”

Po ashtu, Ligji për Organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, i ndryshuar nga shumica socialiste në vitin 2016-ën, në nenin 7 parashikon kushtet që duhet të plotësojë një gjyqtar që të përzgjidhet anëtar i GjK, ku ndër të tjera duhet dhe:

dh) të ketë kaluar me sukses procesin e kontrollit dhe verifikimit të pasurisë së tij personale dhe të familjarëve të tij, sipas ligjit.

Pra, si në Kushtetutë, ashtu dhe në ligjin rregullues, nënshtrimi dhe kalimi me sukses i procesit të vetingut është kusht për përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Kjo do të thotë se zgjedhja e anëtarëve të GjK pa kaluar vetingun është në shkelje të Kushtetutës.

Ironikisht, zoti Balla propozon që këta anëtarë që do të zgjidhen duke shkelur Kushtetutën më pas do të bëjnë interpretimin e Kushtetutës dhe do të gjykojnë kushtetutshmërinë e akteve ligjore dhe nënligjore.

Të njëjtën praktikë të shkeljes së Kushtetutës, Qeveria Rama përdori dhe në zgjedhjen e Kryeprokurores së Përkohshme të Përgjithshëm, Zonjës Arta Marku, e cila u zgjodh pa kaluar vetingun dhe madje në një pozicion që nuk parashikohet fare në Kushtetutë.

Sapo u përzgjodh si PPP, Arta Marku, po në shkelje të Kushtetutës dhe të ligjit ndryshoi strukturën e sistemit të prokurorisë së përgjithshme shkarkoi dhe bëri emërime të drejtuesve kryesorë në sistemin e prokurorisë, madje të gjithë pa kaluar vetingun.

Fatkeqësisht, dy vjet pas miratimit të reformës në drejtësi vetingu ka mbetur një koncept në letër pasi të gjitha emërimet në sistemin e drejtësisë janë bërë pa kaluar vetingun, ndërkohë që reforma në drejtësi po dështon të japë rezultate konkrete. /Exit.al

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit