OECD: Vlerësimi i ABV-së i rëndësishëm për ambiciet europiane të Kosovës

Mos i humb

 

 

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës, përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), në bashkëpunim me Organizatën për Koordinim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) mbajtën takimin me temë “Vlerësimi i Aktit për Biznes të Vogël (ABV) për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë (2016-2019)”.

Vlerësimi i ABV-së ka të bëjë me dhjetë parimet të politikave të cilat përqendrohen në tema me rëndësi të veçantë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM). Ndër to veçohen: korniza institucionale dhe rregullatore për hartimin e politikave të NVM-së dhe shërbimet mbështetëse, qasja në financa për NVM-të dhe të tjera. Në secilën nga këto parime dhe për secilën ekonomi pjesëmarrëse, vlerësimi i ABV jep rezultate të hollësishme, analiza cilësore dhe rekomandime. Rezultatet dhe rekomandimet e vlerësimit ABV paraqiten në botimin e Indeksit të Politikave të OECD-së për NVM.

Drejtori i përgjithshëm i KIESA-s, Besian Mustafa, duke folur për strukturën e zbatimit të ABV-së, tha se me vendim të kryeministrit të Kosovës janë krijuar 12 grupe punuese për të reflektuar 12 dimensionet e OECD.

“E gjithë kjo është bërë për të treguar seriozitetin dhe rëndësinë që i jep Qeveria e Kosovës aktit për biznes të vogël dhe dhjetë parimeve të tij, por njëkohësisht për të koordinuar punën masive që kërkon vlerësimi dhe zbatimi i të gjitha rekomandimeve ose të gjeturave që dalin nga ky vlerësim”, tha Mustafa.

Ai tregoi se në aspektin teknik në të gjitha nivelet Kosova është vlerësuar mjaft mirë nga OECD sa i përket raportimit të pyetësorëve nga kontribuuesit, numri i të cilëve sipas tij është 150 nga gjitha institucionet e ndryshme të Kosovës.

Udhëheqësja e Divizionit të OECD për Evropën Juglindore, Marzena Kisielewska, tha se procesi i vlerësimit të OECD-së ka rëndësi të madhe për ambiciet e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).

Sipas saj zhvillimi i sektorit privat është njëri nga kriteret e Kopenhages në BE dhe Programin e reformave ekonomike (ERA) që duhen të implementohen nga Kosova. Duke shtuar se këto vlerësime nuk janë të izoluara nga zhvillimet që bëhen në ekonominë e vendit, Kisielewska tha se: “Ky vlerësim është bërë për të pestën herë në Kosovë dhe dua të them se ka qenë shumë i suksesshëm”.

Ndërsa, menaxheri i projektit nga divizioni për Evropën Juglindore në OECD, Umur Gokce tha se: “Vlerësimi i Qeverisë ka filluar më 12 tetor dhe kemi pasur një procedurë paralele që është quajtur vlerësimi i pavarur i cili është bërë përmes konsulenteve tanë në çdo shtet të Ballkanit. Kemi pasur pyetjet e njëjta për secilin që janë përgjigjur nga konsulentët e pavarur dhe të dhënat janë marrë nga 80 intervistat e zhvilluara që shumica e tyre nuk kanë qenë vetëm nga institucionet publike, por edhe nga akademia dhe shoqëria civile që kanë dhënë pikëpamjet e tyre që i kemi bartur në pyetësor” .

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit