OKB: 5.5 milionë persona kanë migruar në Afrikë

Mos i humb

 

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) në raportin lidhur me lëvizjet e migracionit në Afrikë dhe pasojat e tij ekonomike ka njoftuar se numri i njerëzve të cilët kanë migruar në Afrikë nga rajonet e ndryshme të botës arrin në 5.5 milionë.

Raporti i emëruar “Migrim për Transformim Strukturor” i përgatitur nga Konferenca e OKB-së për Tregti dhe Zhvillim (UNCTAD), u prezantua përmes një konference për media nga Sekretari i Përgjithshëm i UNCTAD, Mukhisa Kituyi dhe Sekretarja e Përgjithshme e Komisionit Ekonomik Afrikan të OKB-së (UNECA), Vera Songwe, në kryeqytetin e Etiopisë, Addis Ababa.

Në raport thuhet se në Afrikë gjendet një trafik migrimi ndërkombëtar prej 41 milionë personave. Më tej bëhet e ditur se 19 milionë persona kanë migruar nga një shtet afrikan në tjetrin, 17 milionë afrikanë kanë migruar në vendet jashtë kontinentit dhe se 5.5 milionë persona kanë migruar në Afrikë nga rajonet e ndryshme të botës.

Numri i personave të migruar në kontinent nuk ka shënuar rritje të rëndësishme mes viteve 1990 dhe 2010, ndërsa kjo shifër pas vitit 2010 ka shënuar një rritje gati dyfish më të lartë dhe në vitin 2017 ka arritur në 5.5 milionë.

Sekretari i Përgjithshëm i UNCTAD, Kituyi, në një deklaratë për AA tha se edhe pse 5.5 milionë migrantë të ardhur jashtë Afrikës bazohen në motive të ndryshme, këto janë më shumë shkaqe ekonomike dhe sociale.

“Ka disa shkaqe të migrimit në Afrikë. Një nga këto është ardhja e ekspertëve të teknologjisë dhe informatikës në kontinent me mundësitë e biznesit të krijuar nga kompanitë ndërkombëtare. Ndërsa arsyeja tjetër është dëshira e personave që jetojnë në rajone të ndryshme të botës për të punuar në Afrikë”, tha Kituyi.

Ndërkohë në raport theksohet se edhe transferimi i parave në kontinent nga afrikanët që kanë migruar jashtë kontinentit në vitet e fundit ka shënuar rritje dhe se migrimi i brendshëm jep kontribut të madh në tregtinë mes shteteve afrikane.

Në vitet 2005-2007, në Afrikë janë transferuar 38.4 miliardë dollarë nga migrantët ndërsa kjo shifër në vitet 2014-2016 është rritur në 64.9 miliardë dollarë.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit