OKB: Eksodi nga Siria veriperëndimore tejkalon shifrën 800 mijë

Mos i humb

Qeveritë evropiane dhe Kombet e Bashkuara (OKB) të premten shprehën shqetësim për përshkallëzimin e dhunës që ka detyruar më shumë se 800.000 sirianë të ikin nga shtëpitë e tyre në rajonin e Idlibit që nga dhjetori,  (AA).

Duke folur në emër të anëtarëve të Bashkimit Evropian (BE), Sven Jurgenson, ambasadori i Estonisë në OKB, tha se ofensiva e regjimit sirian e mbështetur nga Rusia ka shkaktuar “një nga zhvendosjet më të këqija në botë të shkaktuara nga njeriu ndër vite”.

“Sulmet vazhdojnë të përfshijnë caqe civile në zona me popullsi të dendur, objekte shëndetësore dhe vendbanimet e personave të zhvendosur brenda vendit”, u tha Jurgenson gazetarëve pas bisedimeve me dyer të mbyllura për krizën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në New York.

“Këto sulme duhet të ndalen menjëherë”, shtoi ai.

Që nga dhjetori, forcat e qeverisë siriane të mbështetura nga Rusia po zhvillojnë një ofensivë të ashpër ndaj rajonit të Idlibit në Sirinë veriperëndimore, bastioni i fundit i mbajtur nga opozitarët në luftën civile nëntëvjeçare të vendit.

Sulmet e regjimit kanë shkaktuar valën më të madhe të zhvendosjeve gjatë konfliktit, ku më shumë se 800.000 njerëz janë arratisur drejt kufirit turk. Turqia, e cila tashmë strehon 3,6 milionë refugjatë sirianë, thotë se nuk mund përballojë një valë të re migrantësh.

“Miliona civilë mbeten të bllokuar në zonë, shumica e të cilëve janë gra dhe fëmijë”, deklaroi Jurgenson.

“Ata po përballen me kushte të vështira dimri pa mundur të mbulojnë nevojat themelore për strehim, ujë, ushqim dhe kujdes shëndetësor”, theksoi ai.

Sipas zëdhënësit të OKB-së, Stephane Dujarric, numri i refugjatëve që kanë lëvizur drejt kufirit turk ka arritur në 830.000, ndërkohë që luftimet e vazhdueshme rreth qytetit të Idlibit, Halepit dhe zona të tjera kanë detyruar 143.000 njerëz të braktisin shtëpitë e tyre vetëm në tri ditët e fundit.

“Gratë dhe fëmijët janë ata që vuajnë më shumë. Ata përbëjnë rreth 81 për qind të njerëzve të zhvendosur së fundmi”, tha Dujarric para gazetarëve në një konferencë të përditshme për shtyp në New York.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit