OKB: Pak shenja të shpresës për refugjatët Rohingya

Mos i humb

Përfaqësuesja e posaçme e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara (OKB), Christine Schraner Burgener, ka deklaruar se muslimanët Rohingya që kanë ikur në Cox’s Bazar të Bangladeshit jetojnë në “kushte jashtëzakonisht sfiduese” me shenja të pakta shprese.

Burgener informoi Këshillin e Sigurimit të OKB-së për vizitat e saj të fundit në Mianmar, Bangladesh dhe destinacione të tjera në rajon.

Sipas një deklarate të lëshuar nga OKB-ja, Burgener tha se 18 muaj kanë kaluar që kur dhuna në shtetin Rakhinë të Mianmarit ka detyruar qindra mijëra muslimanë Rohingya të lëshojnë shtëpitë e tyre, përfshirë edhe në Bangladeshin fqinj.

“Përderisa Bangladeshi dhe komunitetet pritëse kanë qenë shumë bujarë, nuk mund të presim që kjo të vazhdojë pafundësisht”, tha Burgener.

Ajo tha se Plani i Përbashkët i OKB-së për vitin 2019 i nisur kohëve të fundit, që synon mbështetjen e refugjatëve dhe komuniteteve pritëse, ka nevojë për fonde “urgjente”.

Burgener po ashtu tha se duhet të ndërmerren një sërë hapash prioritare, duke përfshirë dhënien fund të dhunës në Mianmar, duke lehtësuar qasjen e papenguar ndaj njerëzve të prekur, duke adresuar shkaqet rrënjësore të tensioneve dhe duke mundësuar zhvillimin gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm.

Ajo tha se tensionet ushtarake dhe civile vazhdojnë në Mianmar në prag të zgjedhjeve të përgjithshme në vitin 2020.

Duke shprehur shqetësim se luftimet e rënda me ushtrinë e Arakanit do të ndikojnë më tej në përpjekjet e kthimit dinjitoz dhe vullnetar të refugjatëve, e dërguara e OKB-së u bëri thirrje të dyja palëve që të sigurojnë mbrojtjen e civilëve dhe që t’u përmbahen detyrimeve të tyre sipas ligjit ndërkombëtar.

Persekutimi i popullit Rohingya

Populli Rohingya, i përshkruar nga Kombet e Bashkuara (OKB) si njerëzit më të persekutuar në botë, është përballur me frikën e rritur të sulmeve, pasi dhjetëra u vranë në dhunën e vitit 2012.

Sipas një raporti të Agjencisë Ndërkombëtare të Zhvillimit Ontarios (OIDA), që nga 25 gushti i vitit 2017, rreth 24 mijë muslimanë Rohingya janë vrarë nga forcat shtetërore të Mianmarit.

Më shumë se 34 mijë Rohingya u hodhën në zjarr, ndërsa mbi 114 mijë të tjerë u rrahën, tha raporti i OIDA-s, i titulluar “Migrimi i detyruar i popullit Rohingya: Përvoja e patreguar”.

Raporti tha se rreth 18 mijë gra dhe vajza Rohingya u përdhunuan nga ushtria dhe policia e Mianmarit si dhe mbi 115 mijë shtëpi Rohingya u dogjën dhe 113 mijë të tjera u vandalizuan.

Sipas Amnesty International, më shumë se 750 mijë refugjatë Rohingya, kryesisht fëmijë dhe gra, u larguan nga Mianmari dhe kaluan në Bangladesh, pasi forcat e Mianmarit nisën një goditje ndaj komunitetit pakicë musliman në gusht të vitit 2017.

OKB-ja ka dokumentuar përdhunime në masë, vrasje, përfshirë foshnja dhe fëmijë të vegjël, rrahje brutale dhe zhdukje të tjera të kryera nga forcat shtetërore në Mianmar. Në një raport, hetuesit e OKB-së thanë se shkeljet e tilla mund të kenë përbërë krim kundër njerëzimit.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit